[email protected]
Rishikimi i javës: dezinformatë se edhe Britania i ka vënë kushte Kosovës për anëtarësim në KiE, mashtrime me produkte shëruese, teori konspirative nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Si rezultat i gjetjeve dhe trajtimeve të keqinformatave të publikuara gjatë javës që shkoi, dezinformatat janë ato që e dominuan ekosferën keqinformuese.

Dezinformatat u publikuan në portale informative dhe faqe në mediat sociale për tema rreth sportit, politikës, sigurisë e sociales. Në fushën e sportit u pretendua rrejshëm se futbollisti nga Kosova, Albion Rrahmani, është transferuar në një nga ekipet e ligës më elitare të Italisë, Serie A. Sa i përket sociales, u publikua pretendimi i pasaktë se çmimi i bukës me peshë 500 gram, në Slloveni, është 0.19 euro.  Në fushën e sigurisë, nëpërmjet një videoje është pretenduar për hyrjen e xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës. Ndërsa nga politika u publikua pretendimi i rremë se edhe Britania e Madhe e kushtëzon Kosovën për në Këshillin Evropian.

Clickbait artikulli është publikuar në portal informativ lidhur një ngjarje tragjike në Gjermani, e që në titull nuk është treguar se ku ka ndodhur ngjarja, e madje fotografia me anë të cilës është paraqitur lajmi, është shkrepur në hapësirën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Përmbajtjet mashtruese janë publikua në disa faqe në media sociale me pretendimin për produkte shëruese, lidhur me produktin që mban emrin “U Caps”, me pretendimin se i njëjti është ilaç që ndihmon në rikthimin e dëgjimit, si dhe nëpërmjet një publikimi të një postimi të rremë u bë thirrje që njerëzit të marrin një ilaç për trajtim të prostatit.

Dy përmbajtje të paverifikuara janë publikuar gjatë javës që shkoi. Një medium online në gjuhën angleze ka publikuar një artikull që pretendon për shkarkimin e Gabriel Escobarit nga detyra e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan. Po ashtu, një video që shfaq disa persona teksa marrin pjesë në faljen e namazit, është publikuar me mbishkrimin që pretendon se paraqet studentë amerikanë në Universitetin e Kalifornisë, në Los Angeles (UCLA), të konvertuar në besimin islam.

Clickbait/Dezinformatë është vlerësuar pretendimi se të burgosurit në burgun e Dubravës po presin deri në 10 ditë për t’u pastruar. Ndërsa, dezinformatë clickbait u vlerësua interpretimi i deklaratës së profesorit amerikan Daniel Serwer, “e nisën të gjithë keq dhe përfundoi edhe më keq për Kosovën dhe Serbinë”.

Teoritë konspirative janë publikuar në mediat në gjuhën serbe duke iu referuar komunikatave të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila, pretendon se Albin Kurti, kryeministri i Kosovës po e kriminalizon veriun me “dhunë ligjore ndaj serbëve” dhe “qëllimin kriminal e planin për spastrimin gradual etnik” nga institucionet në Kosovë.

Lajm i rremë është publikuar në media sociale, ku përmes një artikulli pretendohet se një doktor shqiptar e shëron diabetin për vetëm një ditë.

Manipulimi i faktit është publikuar në media sociale, e që përmes një videoje të publikuar në rrjetin social “TikTok” është pretenduar se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka reaguar ndaj betimit të Qeverisë së re të Serbisë.

Dezinformatë

Është publikuar një artikull, në titullin e të cilit pretendohet se futbollisti nga Kosova, Albion Rrahmani, është transferuar në një nga ekipet e ligës më elitare të Italisë, Serie A. Artikulli i një portali informativ, “futbolli.al” është publikuar (2 maj), nga një faqe në Facebook, me emrin “Serie A Shqip”. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka konfirmim zyrtar për transferimin e Rrahmanit në një nga ekipet italiane dhe se i njëjti vazhdon të jetë pjesë e Rapidit të Bukureshtit. (këtu)

Është publikuar një fotografi ku shfaqet produkti ushqimor, bukë, me etiketën që tregon çmimin për 0.19 euro dhe me mbishkrimin që pretendon se paraqet vlerën e këtij produkti në shtetin slloven. Pretendimi i paraqitur me anë të një fotografie, që thotë se çmimi i bukës me peshë 500 gram, në Slloveni, është 0.19 euro, nuk është i saktë. Hibrid.info ka gjetur se për të njëjtin produkt, në këtë vend, paguhet diçka më shumë se 1.70 euro, ndërsa Kosova renditet në mesin e vendeve me çmimin më të ulët në Evropë, sa i përket vlerës së bukës në treg. (këtu)

Nëpërmjet një videoje është pretenduar për hyrjen e xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës. Videoja është postuar nga faqja “Publiku” në Facebook, më 24 prill, me mbishkrimin “Alarmante-Ushtria serbe futet brenda territorit të Kosovës”. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se videoja është e vjetër. “Gazeta Metro” e kishte publikuar videon më 20 mars të 2020-s. (këtu)

“Edhe Britania e Madhe kushtezon Kosoven per ne Keshillin Europian – Asociacioni duhet tani” është mbishkrimi i vendosur, një imazhi të publikuar, që shfaq delegacinon e Britanisë së Madhe në OSBE. Ky imazh është publikuar (10 maj) në faqen në Facebook të portalit informativ të televizionit “ntv.al” dhe i është bashkangjitur edhe vegëza e një artikulli të publikuar, po ashtu nga portali në fjalë. Por, hibrid.info ka gjetur se në deklaratën e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Neil Holland, nga e cila edhe buron artikulli i bashkangjitur, nuk përmendet asnjë lloj kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. (këtu)

Clickbait

“Katër fëmijë 13-vjeçar bien nga tarraca e palestrës, ja gjendja e tyre shëndetësore” është titulli i një artikulli të publikuar në hapësirën digjitale. Artikulli është publikuar (6 maj) në portalin e televizionit “ntv.al” dhe në faqen në Facebook të këtij mediumi. Por, në titull nuk është treguar se ku ka ndodhur ngjarja, e madje fotografia me anë të cilës është paraqitur lajmi, është shkrepur në hapësirën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). (këtu)

Mashtrim

Është hedhur për shitje online një produkt që mban emrin “U Caps”, me pretendimin se i njëjti është ilaç që ndihmon në rikthimin e dëgjimit. Ky produkt është promovuar nga dy ueb-faqe të dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe, “al3.diefiltertea.info” dhe “teaequisphere.pro”. Brenda përmbajtjes promovuese gjendet një fotografi e një burri, që pretendohet se ai është doktor me emrin “Nikola Gjorgiev”, i cili paraqitet si otorinolaringolog. (këtu)

Nëpërmjet një postimi në Facebook është pretenduar për ndihmë humanitare për një medikament për trajtimin e prostatës. Llogaria me emrin “Medical Office – EU” ka publikuar më 7 maj një postim në të cilin ka bërë thirrje që njerëzit të marrin një ilaç për trajtim të prostatit. Thirrja është bërë duke thënë se kjo është ndihmë humanitare. “Ngutuni të merrni – Vëmendje! Ndihmë humanitare është caktuar për të gjithë banorët e Kosovës! Ilac për trajtimin e prostatit për vetëm 3 ditë! Nxitoni të merrni”, shkruan në postim duke mos u dhënë  Pas verifikimit nga hibrid.info, del se postimi përdor fotografi të vjetër e nga një vend i huaj; klikimi në artikull çon në faqe të dyshimtë; si dhe se medikamenti në fjalë “Prostafix” nuk është në listën e produkteve me autorizim për marketing në Republikën e Kosovës. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

“Frontliner.uk” ka publikuar një artikull që pretendon për shkarkimin e Gabriel Escobarit nga detyra e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan. Artikulli i publikuar rezulton të ketë një pretendim të gabuar (shkarkimi i Escobarit) i cili mëton të argumentohet me një përmbajtje të paverifikuar (ndërlidhja e Escobarit me një kompani ligjore). Pra, reagimi i DASh hedh poshtë edhe formën e vendimit për ambasadorin Escobar, duke sqaruar se nuk është shkarkim por procedurë e rregullt e rotacionit të angazhimit diplomatik; dhe për arsyen e kësaj lëvizjeje, pra nuk ndërlidhet me ndonjë rast të konfliktit të interesit, siç pretendohet në artikull. (këtu)

Një video që shfaq disa persona teksa marrin pjesë në faljen e namazit, është publikuar me mbishkrimin që pretendon se paraqet studentë amerikanë në Universtitetin e Kalifornisë, në Los Angeles (UCLA), të konvertuar në besimin islam. Videoja është publikuar më 3 maj, nga një faqe në Facebook me emrin “Mesazhi.com”. Por, hibrid.info ka gjetur se në bazë të trajtimit të së njëjtës përmbajtje nga kontrolluesi i fakteve në gjuhën angleze, “Snopes.com” (këtu), në video nuk tregohet asnjë provë që sugjeron se personat e shfaqur, janë konvertuar në besimin islam. (këtu)

Clickbait/dezinformatë

Është publikuar një artikull i titulluar, “Skandal në Dubravë: Të burgosurit po presin deri në 10 ditë për t’u pastruar”. Pretendimi se të burgosurit në burgun e Dubravës po presin deri në 10 ditë për t’u pastruar, nuk është i bazuar në fakte, por në deklarata. Lajmi është publikuar dje (7 maj), në portalin informativ “kosova-sot.info”, mirëpo hibrid.info ka gjetur se informata e publikuar vjen nga një deklaratë e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj, gjë e cila nuk specifikohet në titullin e këtij artikulli. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

“E nisën të gjithë keq dhe përfundoi edhe më keq Daniel Serwer për Kosovën dhe Serbinë” është mbishkrimi i vendosur, një imazhi të publikuar, që shfaq fotografinë e profesorit amerikan Daniel Serwer. Ky imazh është postuar (11 maj) në Facebook në faqen e portalit informativ të televizionit “ntv.al”, të cilit i është bashkangjitur edhe vegëza e një artikulli. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky mbishkrim është i pasaktë dhe i njëjti nuk i përgjigjet përmbajtjes. Në përmbajtje të artikullit, bëhet e qartë se profesori amerikan në opinionin e tij, fjalinë “e nisën keq dhe përfundoi keq” nuk e ka thënë për Kosovën e Serbinë, por për Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak. (këtu)

Teori konspirative

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë (ZKQS) ka vazhduar me narracionin se serbët e Kosovës po përballen me dhunë të vazhdueshme në Kosovë. Më 7 maj, drejtori i ZKQS-së, Petar Petkoviq, i reagoi kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit e cilësoi propagandë narracionin e Serbisë në lidhje me sigurinë e serbëve të Kosovës. Edhe në pretendimin e fundit, pjesa më e madhe e reagimit të Petkoviqit nuk është bazuar në fakte. Ai thotë se Kurti po e kriminalizon pjesën veriore të vendit, pa e mbështetur këtë pretendim në asnjë fakt. Ai thotë gjithashtu se Kurti po tenton të gjejë arsyetime për “dhunën fizike dhe ligjore” ndaj serbëve, por as këtë pretendim nuk e bazon në asnjë fakt. Petkoviqi thotë po ashtu se “përkeqësimi i situatës në veri” është “pasojë direkte e okupimit të kryer nga Kurti”. As për këtë pretendim nuk bazohet në asnjë fakt, ndërsa vazhdon të pretendojë pa fakte se “falangat e tij terrorizojnë, qëllojnë mbi serbët, rrahin edhe fëmijët tanë!”. (këtu)

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pa u mbështetur në fakte, e ka ndërlidhur arrestimin e një qytetari serb në Jarinjë, me “dhunë ligjore ndaj serbëve” dhe “qëllimin kriminal e planin për spastrimin gradual etnik” nga institucionet në Kosovë. Kjo zyrë ka thënë se serbët po arrestohen pa asnjë bazë. Policia e Kosovës në një njoftim për mediat ka thënë se personi është arrestuar nën dyshimin për disa vepra e që lidhen me protestat e dhunshme të 29 majit në Zveçan. (këtu)

Lajm i rremë

Përmes një artikulli pretendohet se një doktor shqiptar e shëron diabetin për vetëm një ditë. Ky artikull u publikua me datë 9 maj në Facebook nga një faqe që mban emrin “Atdheu Lajm”. Në përmbajtje të artikullit pretendohet se kirurgu kosovar, Arbër Morina është shprehur se shëron sëmundjen e diabetit për një ditë. Hibrid.info pas hulumtimit në llogarinë personale të Morinës në Facebook, ka gjetur se i njëjti ka demantuar këtë artikull, duke e quajtur si të rremë dhe se i njëjti nuk është bërë nga ana e tij. (këtu)

Manipulim i fakteve

Përmes një videoje të publikuar në rrjetin social “TikTok” është pretenduar se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka reaguar ndaj betimit të Qeverisë së re të Serbisë. Llogaria me emrin “shqiponja.ksv” ka publikuar një video më 6 maj me mbishkrimin: “Qeveria serbe betohet ta ruaj Kosovën nën serbi, Njësia Speciale reagon…”Pas verifikimit nga hibrid.info, del se janë ndërlidhur dy video, që nuk kanë pasur të bëjnë me njëra-tjetrën. (këtu)

Share With Others

Translate »