[email protected]
Rishikimi i javës: lajme të rreme për ndryshim të flamurit dhe rritje të pensioneve, pretendim i pavërtetë nga Vuçiq, imazhe të manipuluara të politikanëve dhe gazetarëve
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Artikujt që janë cilësuar si “lajm i rremë” dhe “lajm i rremë/mashtrim” janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Lajmet e rreme u publikuan nga llogari në gjuhën shqipe në Tiktok dhe media në gjuhën serbe. Në Tiktok u publikuan pretendimet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar për ndryshimin e pamjes së flamurit shtetëror të Kosovës; si dhe se ish-presidenti Hashim Thaçi është dënuar me 25 vite burgim për 100 vrasje e gjenocid. Në media në gjuhën serbe u publikua deklarata e rreme e presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq se ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, tashmë ka caktuar një tubim si kundër-tubim në raport me protestën e serbëve.

Lajmet e rreme/mashtrime u publikuan nga faqe dhe llogari në media sociale. Në Facebook u publikua një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi, me mbishkrimin që pretendon se do të rriten pensionet në Kosovë në vitin 2024; publikohet një përmbajtje e titulluar “Banka e Kosovës po padit Vehbi Kajtazi për ato që tha në televizionin live”; nga faqe të ndryshme në median sociale Facebook u publikuan fotografi të disa zyrtarëve politikë dhe gazetarëve në Kosovë, me pretendimin se të njëjtit kanë ndërruar jetë.

Përmbajtja e paverifikuar është publikuar në media në shqip me pretendimin se në një vetaksident me veturë që ka ndodhur në Veternik, kanë mbetur të plagosur dy persona, e që njëri prej tyre u raportua se ishte pjesëtar i KFOR-it.

Dezinformatat u publikuan nga llogari në shqip në TikTok dhe media në serbisht. Në TikTok u publikua një video-material ku pretendohet se “Beretat e Gjelbra” të ushtrisë amerikane kanë rrethuar veriun e Kosovës dhe Ujmanin, si nga toka ashtu edhe nga ajri. Ndërsa, në media në serbisht u publikua se (8 gusht) zyrtarët që po e lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër, kanë mbuluar me ngjyrë edhe flamujt e Serbisë, të cilët ishin të vizatuar në atë pjesë.

Dezinformatë/Clickbait janë vlerësuar publikimet me tituj çorientues në media në shqip, lidhur me hapjen e urës së Ibrit; si dhe pretendimin në titull se ushtria serbe hyn në Kosovë.

Teori konspirative është vlerësuar një video-material i publikuar në Facebook, me anë të së cilit pretendohet se pamjet paraqesin se si duket oksidi i grafenit në vaksinën kundër Covid-19.

Manipulimi i fakteve është publikuar në media në shqip ku pretendohet se Richard Grenell, ish-ambasadori amerikan në Gjermani ka shpalosur detaje se si u rrëzua “Qeveria Kurti 1”.

Përmbajtje mashtruese është vlerësuar publikimi në Facebook i një vegëze të sponsorizuar, në formë imazhi, me mbishkrimin që pretendon se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) do të ofrojë mbi 75 kurse falas për personat në moshën 18 vjeçare e lart.

Clickbait artikulli është publikuar nga portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “atdheulajm.com” në lidhje me tërmetet e regjistruara në Greqi, pa treguar në titull se në cilin vend ka ndodhur ngjarja.

Përmbajtje e paverifikuar

U pretendua se gjatë ditës së shtunë (3 gusht) në një vetaksident me veturë që ka ndodhur në Veternik, kanë mbetur të plagosur dy persona, e që njëri prej tyre u raportua se ishte pjesëtar i KFOR-it. Artikulli me këtë pretendim u publikua nga disa media online si, “Sinjali.com” dhe “Botasot.info”. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e publikuar në portalet “Sinjali.com” dhe “Botasot.info”, si “Përmbajtje e paverifikuar”. (këtu)

Lajm i rremë

Publikohet përmbajtje që pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar për ndryshimin e pamjes së flamurit shtetëror të Kosovës. Ky pretendim është publikuar me anë të një imazhi në TikTok nga një llogari me emrin “sunduesinates”. Në fotografi shfaqet flamuri i Kosovës dhe flamuri i ndryshuar ku harta e Kosovës është zëvendësuar me shqiponjën dy krenare të flamurit kombëtar shqiptar. Hibrid.info ka gjetur se nuk ka vendim zyrtar për ndryshimin e pamjes së flamurit shtetëror të Kosovës. (këtu)

Publikohet përmbajtje që pretendon se ish-presidenti Hashim Thaçi është dënuar me 25 vite burgim për 100 vrasje e gjenocid. Pretendimi është publikuar në TikTok nga llogaria me emrin “fatjona989” me anë të një video-materiali, që shfaq pamje brenda dhomës së gjykimit në objektin e “Dhomave të Specializuara”, në Hagë, ku po gjykohet Thaçi me akuzat për krime lufte. Gjykata ende nuk ka marrë asnjë vendim për ish-presidentin Thaçi. (këtu)

Presidenti i Serbisë, Alleksandër Vuçiq ka deklaruar se ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri me urdhër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, tashmë ka caktuar një tubim si kundër-tubim në raport me protestën e serbëve, e cila pritej të mbahej (7 gusht) nga ora 11:00 në sheshin “Car Lazar”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se ky pretendim nuk qëndron. Kurti ka demantuar pretendimin e Vuçiqit, duke e cilësuar si të rremë. Ndërsa, Bahtiri, përmes llogarisë së tij në Facebook, është shprehur se se është koha për të organizuar një tubim madhështor, në të cilin, qytetarët e Veriut dhe Jugut të Mitrovicës, njëzëri kërkojnë hapjen e Urës së Ibrit. Por, në asnjë rast nuk ka caktuar ndonjë datë në lidhje me mbajtjen e këtij tubimi. Po ashtu, bazuar në postimin e Bahtirit, në asnjë rast nuk përmendet se një tubim i tillë do të mbahet me urdhët të Kurtit, siç pretendon pa fakte presidenti serb. (këtu)

Lajm i rremë/Mashtrim

Publikohet një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi, me mbishkrimin që pretendon se do të rriten pensionet në Kosovë në vitin 2024. Përmbajtja në të cilën shihet edhe fotografia e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës, është publikuar më 3 gusht në Facebook nga faqja me emrin “Chirstest2-service”. Hibrid.info ka hulumtuar dhe vërtetuar se nuk është paraparë rritje të pensioneve për këtë vit. Në përmbajtje është vërejtur aktivitet me 24 komente deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli. (këtu)

Publikohet një përmbajtje e titulluar “Banka e Kosovës po padit Vehbi Kajtazi për ato që tha në televizionin live”. Në përmbajtje pretendohet për një intervistë të gazetarit Berat Buzhala me gazetarin tjetër, Vehbi Kajtazi, ku ky i fundit tregon për një mënyrë se si të pasuroheni, përmes paltformës, online “Nearest Edge”. Në shkrim po ashtu, pretendohet se emisioni u ndërpre me anë të një telefonate nga siç thuhet Banka e Kosovës, por brenda artikullit tregohet edhe një pjesë e kësaj interviste të pretenduar, ndërmjet Buzhalës dhe Kajtazit. Kjo përmbajtje që është paraqitur si informacion i publikuar nga portali “telegrafi.com”, është publikuar nga një ueb-faqe në emrin e paltformës online “Nearest Edge”. Gjetjet tregojnë se kjo përmbajtje është publikuar në mënyrë të paautorizuar në emër të një mediumi dhe ka përdorur deklarime të rreme për ta paraqitur informacionin e synuar. (këtu)

Nga faqe të ndryshme në median sociale Facebook u publikuar fotografi të disa zyrtarëve politikë dhe gazetarëve në Kosovë, me pretendimin se të njëjtit kanë ndërruar jetë. Në këto postime paraqiten emrat dhe logot e disa mediave online në shqip dhe serbisht. Mirëpo, pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, në asnjë nga këto media nuk është gjetur i publikuar ndonjë artikull me pretendim të tillë. Të gjitha këto përmbajtje posedojnë pretendime të rreme dhe të njëjtat janë të manipuluara në aspektin vizual. (këtu)

Dezinformatë

Përmes një video-materiali pretendohet se “Beretat e Gjelbra” të ushtrisë amerikane kanë rrethuar veriun e Kosovës dhe Ujmanin, si nga toka ashtu edhe nga ajri. Videoja me këtë pretendim u publikua në TikTok nga llogaria “gazettajournal” me datë 5 gusht. Hibrid.info ka vërtetuar se videoja është e vitit 2018, atëkohë kur pjesëtarëve amerikan të KFOR-it, iu kishte dhënë detyra ta vëzhgojnë liqenin e Ujmanit. (këtu)

U pretendua se (8 gusht) zyrtarët që po e lyenin murin afër urës kryesore mbi Ibër, kanë mbuluar me ngjyrë edhe flamujt e Serbisë, të cilët ishin të vizatuar në atë pjesë. Ky pretendim u ngrit nga mediumi online në gjuhën serbe “Kosovo-Online.com”. Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info vërtetoi se në murin afër urës kryesore mbi Ibër, nuk kishte të vizatuar flamuj serb. Gjithashtu as në videon e publikuar nga vet portali “Kosovo-Online.com” nuk paraqiten pamje që dëshmojnë se gjatë lyerjes së këtij muri, ishin mbuluar me ngjyrë edhe flamujt serb. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

Përmes titullit të një përmbajtjeje pretendohet se “Hapet Ura e Ibrit”, ndërsa në kopertinën e video-materialit gjendet mbishkrimi “BE NE KRAHE TE KOSOVES”. Pretendimi është hasur në video-materialin e publikuar me datë 7 gusht në kanalin e televizionit  NTV në Youtube. Hibrid.info ka gjetur se pretendimi që Ura e Ibrit është hapur, nuk është i saktë. Po ashtu, Bashkimi Evropian (BE) nuk ka dal në krahë të Kosovës lidhur me çështjen për hapjen e kësaj ure, siç pretendohet nga kanali i lartcekur. (këtu)

Është publikuar një video-material i një kronike televizive, ku shfaqet lajmi i titruar me titullin “USHTRIA SERBE HYN NE KOSOVE”. Kjo përmbajtje është publikuar (9 gusht) në TikTok nga llogaria me emrin “ntvtelevizion”, që është llogaria e televizionit “NTV Televizion”. Pas verifikimit, hibrid.info ka kuptuar se kjo kronikë informon për takimin ndërmjet komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Beograd. Çka do të thotë se titulli i këtij lajmi nuk përmban temën e kronikës së lexuar dhe paraqitur në këtë video-material. (këtu)

Teori konspirative

Përmes një video-materiali, pretendohet se pamjet paraqesin oksidin e grafenit se si duket në vaksinën kundër Covid-19. Kjo përmbajtje u publikua sot (7 gusht) në Facebook nga llogaria që mban emrin “Investiguesi Shkrimor”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se videoja është e vjetër, e gjetur e publikuar jo më herët se në vitin 2016. Gjithashtu, pas hulumtimit të kryer online, u vërtetua se vaksinat kundër Covid-19 nuk përmbajnë oksid grafeni, siç pretendohet nga llogaria e lartcekur. (këtu)

Manipulim i fakteve

Publikohet përmbajtje ku pretendohet se Richard Grenell, ish-ambasadori amerikan në Gjermani ka shpalosur detaje se si u rrëzua “Qeveria Kurti 1”. Ky pretendim është publikuar (1 gusht) me anë të një artikulli nga mediumi “botasot.info” dhe mban titullin ““Më erdhën në zyre e më thanë jemi gati për ndarjen e Kosovës, vetëm largoje…”, dalin detaje se si “Grenell rrëzoi Kurtin””. Nga përmbajtja vërehet se artikulli është bazuar në një postim të Luan Gacaferit, anëtar i kryesisë së partisë “Guxo”, në Facebook, gjë e cila nuk sqarohet në titull. (këtu)

Mashtrim

Është publikuar një vegëz e sponsorizuar, në formë imazhi, me mbishkrimin që pretendon Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) do të ofrojë mbi 75 kurse falas për personat në moshën 18 vjeçare e lart. Kjo përmbajtje është publikuar më 6 gusht në Facebook nga një faqe me emrin “Noah Harris”. Hibrid.info ka gjetur se mundësia e pretenduar, nuk ofrohet nga MAShTI. (këtu)

Clickbait

Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “atdheulajm.com” ka publikuar një artikull në lidhje me tërmetet e regjistruara në Greqi, pa treguar në titull se në cilin vend ka ndodhur ngjarja. Mos qartësimi i vendndodhjes së ngjarjes në titull nga ky portal i dyshimtë i shkruar në gjuhën shqipe, mund të qojë deri te dezinformimi i lexuesve, duke lënë hapësirë të nënkuptohet se tërmetet kanë ndodhur në një nga hapësirat shqip-folëse. (këtu)

 Deklaratë e pavërtetë

Presidenti serb Vuçiq përmes një konference për media, ishte shprehur në lidhje me aksionin (5 gusht) për mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri, duke pretenduar se Kurti Kurti është duke u përpjekur për të provokuar një konflikt dhe se sipas tij, ai po e bën atë në mënyrë të organizuar me mbështetjen e disa fuqive perëndimore. Por, kjo deklaratë e tij nuk qëndron. Ambasada e SHBA-ve në Kosovë dhe Bashkimi Evropian e kanë vlerësuar këtë aksion si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë pikave të Postë së Serbisë në veri të Kosovës. (këtu)

Share With Others

Translate »