[email protected]
Rishikimi i javës: Lajme të rreme për vdekjen e Sabri Fezjullahut dhe armatosjen e FSK-së, manipulim i fakteve rreth çmimit të rrugës Prizren-Tetovë, manipulim i fakteve/dezinformatë se Kurti është takuar me nënpresidenten e SHBA-ve, Kamala Harris
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Artikujt që janë cilësuar si “lajm i rremë” janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Lajmet e rreme janë publikuar në media sociale, kryesisht në TikTok.  Në këtë media sociale u publikuan përmbajtjet e rreme, me pretendimin se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidentja Vjosa Osmani, janë pagëzuar; se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dhënë parashikim në përqindje për kryeministrin Albin Kurti për zgjedhjet e ardhshme; se Ushtria e Kosovës përfundimisht do të pajiset me raketa në fillim të vitit 2025; se Kosova ka pranuar nga Turqia edhe 62 automjete ushtarake “BMC Vuran”; se Sabri Fejzullahu ka vdekur pas një sëmundjeje të rëndë; se Qeveria izraelite ka deklaruar se ka shpallur popullin shqiptar si armik të Izraelit. Ndërsa në Facebook është publikuar pretendimi i rremë se Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian ia ka premtuar Serbisë që nuk hapet kjo urë e se ai e ka konsideruar çështje të kryer hapjen e saj duan apo nuk duan të tjerët.

Manipulim i fakteve është vlerësuar publikimi në Facebook, ku pretendohet se rruga Prizren – Tetovë, me tunel 6.4 km, do të kushtojnë në total 35 milionë euro.

Manipulim i fakteve/dezinformatë është vlerësuar pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me nënpresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kamala Harris, gjatë Konventës së Partisë Demokratike, të mbajtur në Chicago.

Deputeti i Kuvendit, Dimal Basha e ka interpretuar gabimisht raportin vjetor të çrregullimit informativ të publikuar nga hibrid.info.

Teoria konspirative është publikuar nga mediumi në gjuhën serbe, “Informer.rs” me pretendimin se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm ta pushtojë me dhunë veriun e Kosovës duke i kërcënuar publikisht të gjithë serbët!

Dezinformatë/Clickbait janë vlerësuar pretendimet e publikuara në media sociale se ShBA-ja ka zgjedhur Bedri Hamzën nga radhët e PDK-së, si kryeministër të ardhshëm të Kosovës; se është ngritur çmimi i fasules.

Përmbajtje e paverifikuar është vlerësuar artikulli ku mediumi në gjuhën shqipe “reporteri.net” ka pretenduar se Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, pas rastit të vrasjes në Ferizaj ditë më parë.

Mediat në serbisht kanë publikuar dezinformatën se Albin Kurti dhe shërbimi i tij qëndrojnë pas kërcënimeve ndaj ambasadave serbe në Evropë.

Gabim

Dimal Basha, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka interpretuar raportin e çrregullimit informativ të publikuar nga hibrid.info. Ai pretendon se 67% e 818 artikujve janë vlerësuar si dezinformata. Në raportin e hibrid.info, thuhet se 21% e përmbajtjeve keqinformuese nga 818 sosh, janë vlerësuar si “dezinformatë”, e jo 67% siç pretendohet nga Basha. Ndërsa, në përmbajtjet e vlerësuara si “dezinformatë” (21%), 37% janë nga fusha e sigurisë e 30% nga politika. (këtu)

Lajm i rremë

Përmes dy fotografive në të cilat paraqiten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e në tjetrën presidentja Vjosa Osmani, pretendohet se këto dy figura politike janë pagëzuar. Këto postime u publikuan (8, 15 gusht) në TikTok nga llogaria “arber112”. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se pretendimet e bëra nga llogaria e lartcekur, janë të rreme. (këtu)

Nëpërmjet dy postimeve në TikTok është pretenduar se ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dhënë parashikim në përqindje për kryeministrin Albin Kurti për zgjedhjet e ardhshme. Pas verifikimit nga hibrid.info del se pretendimi në fjalë nuk është gjetur në asnjë medium kredibil informacioni. Përmbajtja nuk gjendet as në faqen logoja e së cilës është përdorur në imazh. Kjo temë nuk është përmendur fare në intervistën e fundit publike të ambasadorit. (këtu)

“Ushtria e Kosovës përfundimisht do të pajiset me këto raketa në fillim të vitit 2025 (Elbit System)”, mban mbishkrimin një video-material. Kjo përmbajtje u publikua (20 gusht) në Facebook nga faqja “Me Albin Kurtin”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në burime kredibile që dëshmon këtë pretendim. (këtu)

Pretendohet pa fakte se Kosova ka pranuar nga Turqia edhe 62 automjete ushtarake “BMC Vuran”. Ky pretendim u publikua (20 gusht) në TikTok nga llogaria “fskkosova2024”. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë informacion i tillë i publikuar nga burime kredibile. Gjithashtu, video-materiali i përdorur në këtë rast është i vitit 2021. (këtu)

U pretendua se (21 gusht) këngëtari Sabri Fejzullahu ka vdekur pas një sëmundjeje të rëndë. Ky pretendim u publikua në median sociale TikTok nga llogaria me emrin “aridonii01”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, një lajm me pretendim të tillë nuk është gjetur i publikuar në asnjë burim kredibil. (këtu)

Përmes një postimi u pretendua se Qeveria izraelite ka deklaruar se ka shpallur popullin shqiptar si armik të Izraelit. Ky pretendim u publikua më 17 gusht në Facebook nga faqja “Lajme Nga Bota”, të cilin e ka cilësuar si “Lajmi i fundit”. Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info nuk ka gjetur një informacion të tillë të publikuar në burime kredibile, që do ta dëshmonte si të mirëqenë pretendimin e bërë nga faqja e lartcekur. (këtu)

Nëpërmjet një postimi në Facebook, është pretenduar për një deklaratë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për çështjen e Urës së Ibrit. Publikimi u bë nga faqja “Lajme Nga Bota” më 15 gusht. Sipas pretendimit, Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian ia ka premtuar Serbisë që nuk hapet kjo urë e se ai e ka konsideruar çështje të kryer hapjen e saj duan apo nuk duan të tjerët. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se një deklaratë e tillë nuk mund të gjendet në asnjë burim kredibil që do ta dëshmonte si të mirëqenë pretendimin e bërë. (këtu)

Manipulim i fakteve

Pretendohet se rruga Prizren – Tetovë, me tunel 6.4 km, do të kushtojnë në total 35 milionë euro. Ky pretendim u bë përmes një postimi të publikuar në Facebook nga faqja në Facebook “Korrekt Press”, me datë 18 gusht. Duke aluduar në këtë shifër, kjo faqe ka krahasuar këtë projekt me atë të ndërtimit të urës së Kukësit, e cila ka kushtuar rreth 35 milionë euro. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se pretendimi që rruga Prizren – Tetovë me tunel 6.4 km, nuk do të kushtojë 35 milionë euro. Kostoja e përllogaritur e projektit parashihet të jetë rreth 200 milionë euro. (këtu)

Manipulim i fakteve/Dezinformatë

Nëpërmjet artikujve është pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me nënpresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kamala Harris, gjatë Konventës së Partisë Demokratike, të mbajtur në Chicago. Pretendimi është publikuar nga portalet në gjuhën shqipe “botasot.info” dhe “ina-online.net” të enjten (22 gusht) dhe më pas është shpërndarë nga portale të tjera. “Kurti takohet me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris”, është titulli i artikujve në fjalë. Hibrid.info pas verifikimit ka gjetur se kryeministri Kurti nuk ka njoftuar për asnjë takim me Harrisin në ditët e fundit, gjatë vizitës në SHBA. Madje fotografia e përdorur në këta artikuj del të jetë e vjetër. Po ashtu artikulli përmban fjali që nuk ndërlidhen njëra me tjetrën. Fillimisht raportohet se Kurti po qëndron në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike në Chicago në SHBA, e më pas flitet për takimet e tij në kuadër të Forumit të Paqes në Paris. (këtu)

Teori konspirative

Mediumi në gjuhën serbe, “Informer.rs” ka publikuar një artikull (20 gusht) me pretendimin se kryeministri Albin Kurti është i gatshëm ta pushtojë me dhunë veriun e Kosovës duke i kërcënuar publikisht të gjithë serbët! Artikulli i referohet deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, dhënë për Zërin e Amerikës (VOA) gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara (ShBA), për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago. Bazuar në deklaratën e dhënë nga Kurti, nuk bëhet fjalë për ndonjë kërcënim ndaj serbëve. (këtu)

Clickbait

“Tmerr në një gjimnaz/ Të shtëna me armë zjarri, raportohet për tre të vdekur dhe një i plagosur”, mban titullin një artikull. Ky artikull me titull të njëjtë u publikua në së paku dy portale informative me përmbajtje në gjuhën shqipe, “sot.com.al” dhe “bulevardnews.com”. Titulli i këtij artikulli është përgjithësues, pasi nuk sqaron se në cilin shtet ka ndodhur ngjarja. Vetëm pas klikimit në artikull, lajmi qartësohet duke treguar se bëhet fjalë për ngjarje të ndodhur në Bosnjë e Hercegovinë. (këtu)

Dezinformatë/Clickbait

U publikua një artikull me pretendimin në titull se ShBA-ja ka zgjedhur Bedri Hamzën nga radhët e PDK-së, si kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Lajmi qartësohet në përmbajtje të artikullit, ku tregohet se kjo është vetëm një deklaratë e politologut nga Beogradi, Ognjen Gogiq. Gogiq ishte shprehur se takimi i Hamzës në Departamentin e Shtetit, mund të jetë një mesazh për Kurtin dhe se sipas tij ShBA-ja do të gjejë dikë që dëshiron të jetë më bashkëpunues se kryeministri i tanishëm i Kosovës. (këtu)

Fasulet kapin rekord në treg/ Nuk do ta besoni sa ka shkuar cmimi për kilogram”, mban titullin një artikull i publikuar (23 gusht). Ky artikull u publikua nga faqet në Facebook si “Atdheu Lajm”, “Analiza”, “Shkupi”, “Lajmi Fundit” dhe “Rajoni Sot”. Të gjitha këto faqe kanë shpërndarë këtë artikull nga portali i dyshimtë “atdheulajm.com”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se lajmi për ngritjen e çmimit të fasules është i vjetër dhe i njëjti u mundua të paraqitet rrejshëm si aktual. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Nëpërmjet një artikulli, mediumi në gjuhën shqipe “reporteri.net” ka pretenduar se Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, pas rastit të vrasjes në Ferizaj ditë më parë. Megjithatë, vetë ky medium e ka edituar artikullin duke raportuar më pas se atij i është ofruar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës. Pavarësisht se “reporteri.net” e ka ndryshuar përmbajtjen, artikulli i parë është shpërndarë në disa mediume të tjera që nuk e kanë edituar më. (këtu)

Dezinformatë

Mediat serbe kanë publikuar pretendimin se Albin Kurti dhe shërbimi i tij janë pas kërcënimeve ndaj ambasadave serbe në Evropë. Artikulli lidhet me pretendimet se Denis Krasniqi ka kërcënuar ambasadat serbe në disa shtete evropiane dhe se këto veprime janë të lidhura me shërbimin inteligjent të Kosovës (SHIK), i cilësuar si besnik i Kurtit. Megjithatë, këto pretendime janë të pabazuara dhe nuk mbështeten me fakte apo burime të verifikueshme. Familjarët e Denis Krasniqit kanë deklaruar se ai ka nevoja të veçanta dhe ka një shkallë invaliditeti prej 90% të lëshuar nga Zvicra. Ata pohojnë se Denisi nuk flet dhe ka një formë të rëndë të autizmit. (këtu)

Share With Others

Translate »