[email protected]
Titull dezinformues, keqinterpretohet deklarata e një politologu
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një mbishkrimi të një imazhi që shfaq kandidatin për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, pretendohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë zgjedhur atë si kryeministër.

Artikulli u publikua sot (21 gusht) nga portali informativ në gjuhën shqipe “ntv.al”, i cili mban titullin “SHBA zgjedh Hamzën si kryeministër/ Takimi në Washington, mesazh për Kurtin”.

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se titulli/mbishkrimi i këtij artikulli nuk përputhet me përmbajtjen.

Në përmbajtje të artikullit gjendet një deklaratë e politologut nga Beogradi, Ognjen Gogiq, i cili kishte folur për takimin që Hamza pati ditë më parë në Departamentin e Shtetit me udhëheqësin e diplomacisë amerikane në Ballkan, Alexander Kasanof.


Vegëza e artikullit të publikuar në portalin informativ “ntv.al”:


Pas hulumtimit të kryer, hibrid.info ka vërtetuar se ky artikull i publikuar nga ntv.al është marrë nga mediumi në gjuhën serbe “Kosovo-Online.com”. Në këtë medium artikulli mban titullin “Gogiq: Amerika tashmë ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, takimi Hamza-Kasanof mesazh për Kurtin”. (shih këtu)

Çka tha Gogiq?

“Në përgjithësi, amerikanët mbajnë vazhdimisht kontakte në nivele të ndryshme me liderët politikë, qofshin ata në pushtet apo në opozitë. Sa i përket Hamzës, ai gjatë muajve të kaluar ka pasur takime të nivelit të lartë si jashtë vendit ashtu edhe në Kosovë, gjë që është e pazakontë pasi që ai ka takuar disa zyrtarë të cilët kryeministri i Kosovës nuk i ka takuar. Pra, ajo vizitë në Amerikë është në një nivel më të lartë se sa ka pasur Kurti kur shkoi në Amerikë. Dhe kjo tashmë është një gjë e pazakontë, sepse ai që flet në emër të Kosovës është anashkaluar dhe bisedohet me liderët e opozitës”, thotë Gogiq. (shih këtu)


Analiza:

U publikua një artikull me pretendimin në titull se ShBA-ja ka zgjedhur Bedri Hamzën nga radhët e PDK-së, si kryeministër të ardhshëm të Kosovës.

Lajmi qartësohet në përmbajtje të artikullit, ku tregohet se kjo është vetëm një deklaratë e politologut nga Beogradi, Ognjen Gogiq.

Gogiq ishte shprehur se takimi i Hamzës në Departamentin e Shtetit, mund të jetë një mesazh për Kurtin dhe se sipas tij ShBA-ja do të gjejë dikë që dëshiron të jetë më bashkëpunues se kryeministri i tanishëm i Kosovës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull të publikuar nga “ntv.al” si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »