[email protected]
Pretendim i paverifikuar se Sadriu ka kërkuar mbrojtje të afërt
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një artikulli është pretenduar se Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, pas rastit të vrasjes në Ferizaj ditë më parë.

Artikulli është publikuar fillimisht nga mediumi në gjuhën shqipe “reporteri.net” të mërkurën (21 gusht).

Çka nuk shkon me këtë artikull?

Pas raportimit fillestar të mediumit për “kërkesën” e Sadriut për mbrojtje, “reporteri.net” e ka ndryshuar artikullin duke raportuar më pas se “Zotëriut të Parë të shtetit i ofrohet mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës” (shih këtu)

Artikulli bën fjalë për shoqërimin me mbrojtje të afërt nga zyrtarë policorë të Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, pak ditë pas rastit në Ferizaj në të cilin u vra një i moshuar, e që u raportua të jetë familjar i Sadriut.

Si u gjet ky artikull?

Hibrid.info ka gjetur artikullin me titull “Vrasja në Ferizaj, Zotëriu i Parë i shtetit kërkon mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës” në disa portale në gjuhën shqipe (“periskopi.com”, “orainfo.net”, “nacionale.com”). Këto portale i referoheshin shkrimit të “reporteri.net”.

Për ta verifikuar përmbajtjen, hibrid.info ka kërkuar në makinat online të kërkimit me titullin e njëjtë. Aty shfaqet edhe vegëza e “reporteri.net” dhe shihet se titulli ka qenë “Rasti në Ferizaj, Zotëriu i Parë i shtetit kërkon mbrojtje të…” ndërsa fjalia e parë thotë se “Zotëriu i Parë i shtetit, Prindon Sadriu, ka kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës” (shih këtu). Sipas indeksimit të artikullit në “Google” vazhdimi i tekstit ka qenë “Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se Prindon Sadriu, me kërkesë të tij, ka pak ditë që po shoqërohet me mbrojtje nga zyrtarë policorë”.

Po që se hapet, artikulli çon në titullin “Rasti në Ferizaj, Zotëriut të Parë të shtetit i ofrohet mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës” (shih këtu).

Fillimi i artikullit pas ndryshimeve:

“Zotëriu i Parë i shtetit, Prindon Sadriu i është ofruar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës. Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se Prindon Sadriu, ka pak ditë që po shoqërohet me mbrojtje nga zyrtarë policorë”

“Reporteri.net” e ka ndryshuar artikullin edhe në postimet në faqen e vet në Facebook. Fillimisht artikulli është publikuar si vegëz (shih këtu) dhe më pas si imazh. Te postimi si imazh në opsionin për të parë historinë e editimit, kuptohet se fillimisht artikulli është postuar me titull “Rasti i ditëve më parë në Ferizaj, Prindon  Sadriu kërkon mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës”. Ky titull ishte publikuar në orën 13:09 të mërkurën (21 gusht). Editimi i tij është bërë në orën 13:23. Tani shkrimi në Facebook ka qenë “Rasti i ditëve më parë në Ferizaj, Prindon  Sadriut i ofrohet mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës”.

Vegëza e postimit të faqes “Reporteri” në Facebook:

https://archive.is/XE21r

“Reporteri.net” ka pranuar se e ka edituar përmbajtjen, kur ka njoftuar për një reagim të Presidencës se zotëria i parë s’ka kërkuar mbrojtje të afërt.

“Gazeta online Reporteri.net, gjatë ditës së sotme fillimisht raportoi se Prindon Sadriu ka kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, për ta edituar pak minuta më pas se Sadriut i është ofruar mbrojtje në përputhjet me vlerësimet e sigurisë”, thuhet në artikullin me titull “Reagim nga Presidenca: Zotëria i Parë s’ka kërkuar mbrojtje të afërt, ajo i ofrohet i familjes së Presidentes sipas ligji”. Ky artikull u publikua në “reporteri.net” të mërkurën në orën 14:12 (shih këtu). Në këtë artikull, Presidenca ka mohuar se Sadriu ka kërkuar mbrojtje të afërt. Presidenca ka deklaruar se mbrojtja i takon në përputhje me ligjin dhe vlerësimet e sigurisë.


Edhe pse artikulli në burimin fillestar është ndryshuar, ai vazhdon të mbetet në disa mediume të tjera, që nuk e kanë edituar më pas përmbajtjen – Shih këtu: “periskopi.com”, “orainfo.net”, “nacionale.com”, “joq-albania.com”, “fokusi.info” dhe “prishtinasot.com”.


Analiza:

Nëpërmjet një artikulli, mediumi në gjuhën shqipe “reporteri.net” ka pretenduar se Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, pas rastit të vrasjes në Ferizaj ditë më parë. Megjithatë, vetë ky medium e ka edituar artikullin duke raportuar më pas se atij i është ofruar mbrojtje e afërt nga Policia e Kosovës.

Pavarësisht se “reporteri.net” e ka ndryshuar përmbajtjen, artikulli i parë është shpërndarë në disa mediume të tjera që nuk e kanë edituar më.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “E paverifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »