[email protected]
Rishikimi i javës: Përmbajtje e paverifikuar lidhur me Xhakën, raportohet gabimisht për numrin e shqiptarëve në Mal të Zi
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Përmbajtjet mashtruese janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa i përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Tri mashtrime janë publikuar së fundmi në platformën Facebook, me tema të ndryshme. I pari është një postim i sponsorizuar nga faqja “Next Step Careers” më 10 tetor, ku pretendohej se kërkoheshin pastrues për punësim, por mungonin të dhënat bazike dhe kontakti me biznesin, duke e bërë atë një mashtrim. Mashtrimi i dytë, publikuar më 14 shtator nga faqja “DOC-shop”, pretendonte se ofroheshin instruksione për rimbursim për ujë, energji elektrike dhe gaz. Hibrid.info zbuloi se vetëm rimbursimi për energjinë elektrike ishte legjitim dhe i ofruar nga institucionet e Kosovës për familjet e cenueshme. I treti mashtrim është publikuar më 11 tetor nga faqja “Kredi personale”, ku pretendonte se ofroheshin kredi deri në 15,000€ me aprovim brenda 10 minutave, duke përdorur imazhin e një banke të licencuar në Kosovë, pa lidhje me ofertën e pretenduar.

Disa lajme të rreme janë publikuar në TikTok. Më 13 tetor, llogaria “politik.shqip” shpërndau një sondazh të rremë për partitë politike në Kosovë, duke pretenduar se ishte kryer nga kompania amerikane “Cygal”, e cila nuk ekziston. Po ashtu, llogaria “pograddeccii” shpërndau një pretendim të rremë se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kishte thënë që veriu i Kosovës duhet t’i takojë Serbisë. Pas verifikimeve nga hibrid.info, asnjë deklaratë e tillë nuk u gjet dhe u gjet se fotografia e postuar ishte nga takimi i Erdoganit me Vuçiq më 11 tetor.

Përmbajtje e paverifikuar u vlerësua pretendimi se trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviq, foli për përshëndetjen me Granit Xhakën pas ndeshjes në Ligën e Kombeve. Ky pretendim u mor nga mediumi serb “kurir.rs” dhe u raportua nga mediat shqipe duke cituar “mediat serbe”. Hibrid.info verifikoi se Stojkoviq kishte komentuar për takimin me trajnerin e Zvicrës, Murat Yakin, dhe jo për Granit Xhakën.

Dy raportime gabim janë publikuara në media: Një artikull nga mediumi “kosova-sot.com” është publikuar më 15 tetor me titullin “Popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 9.97% shqiptarë”, i cili është vërtetuar si i pasaktë nga Hibrid.info, që zbuloi se shqiptarët përbëjnë 4.97% të popullsisë sipas regjistrimit të vitit 2023 nga Monstat. Gjithashtu, disa media raportuan se një objekt i strukturës paralele i mbyllur ndodhej në komunën e Skenderajt, por Policia e Kosovës sqaroi se objekti ishte në territorin e Mitrovicës së Veriut dhe shërbente si pjesë e strukturave ilegale për Skenderajn, duke ngatërruar kështu vendin me emrin e komunës.

Manipulim i fakteve/Dezinformatë u vlerësua pretendimi i publikuar në TikTok se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka darkuar me presidentin serb, Alleksandar Vuçiq, dhe se në tavolinë kishte produkte serbe. Hibrid.info vërtetoi se fotografia ishte manipuluar; në origjinalin e saj, shfaqej edhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, dhe nuk kishte prova për praninë e produkteve serbe.

Lajm i rremë

U publikua një sondazh në formë postimi për disa nga subjektet politike në Kosovë, me pretendimin se i njëjti u krye nga kompania amerikane Cygal. Postimi u publikua më 13 tetor në TikTok nga llogaria “politik.shqip”. Në këtë sondazh, Lëvizja Vetëvendosje paraqitet me 37%, Partia Demokratike e Kosovës (34%), Lidhja Demokratike e Kosovës (24%) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – NISMA (4%). Pas hulumtimit të kryer online nga hibrid.info, ky sondazh nuk është gjetur i publikuar nga asnjë burim kredibil. Po ashtu, nuk ka asnjë kompani amerikane me emrin “Cygal” që merret me sondazhe. (këtu)

U pretendua se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se veriu i Kosovës duhet t’i takojë Serbisë. Ky pretendim u publikua në formë postimi në TikTok nga llogaria “pograddeccii”. Në mbishkrimin e këtij postimi, thuhet se Erdogani këtë deklaratë e dha për televizionin serb B92. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, nuk është gjetur asnjë deklaratë e presidentit turk në lidhje me çështjen e veriut të Kosovës, gjatë vizitës së tij njëditore që e kishte në Serbi me 11 tetor. Edhe fotografia në këtë postim është marrë nga takimi i 11 tetorit, ndërmjet presidentit turk dhe atij serb, Alleksandar Vuçiq. (këtu)

Përmbajtje e paverifikuar

Disa mediume në gjuhën shqipe kanë pretenduar se përzgjedhësi i Serbisë, Dragan Stojkoviq, ka folur për përshëndetjen me kapitenin e Zvicrës, Granit Xhaka, pas ndeshjes së futbollit të shtunën në Ligën e Kombeve. Pretendimi fillimisht u gjet në mediumin në gjuhën serbe “kurir.rs”. Mediat në gjuhën shqipe i kanë cituar “mediat serbe” kur kanë raportuar për deklaratën e Stojkoviqit. Pasi ka verifikuar konferencën për media dhe deklaratat tjera pas ndeshjes, Hibrid.info ka gjetur se deklarata e Stojkoviqit ka qenë për takimin e tij me përzgjedhësin e Zvicrës, Murat Yakin, dhe jo për mesfushorin me prejardhje nga Kosova. (këtu)

Mashtrim

Është publikuar një përmbajtje me anë të së cilës pretendohet se kërkohet pastrues për punësim. Pretendimi është shpërndarë më 10 tetor, me anë të një postimi të sponsorizuar në Facebook, nga një faqe me emrin “Next Step Careers”. Hibrid.info ka gjetur se mungojnë të dhënat bazike dhe nuk bëhet e qartë si mund të kontaktohet me biznesin që ka hapur shpalljen e pretenduar. (këtu)

Është publikuar një përmbajtje me mbishkrimin, ku pretendohet se ofrohen instruksione për të kontrolluar nëse jeni në listën e rimbursimit për ujë, energji elektrike apo gaz. Ky pretendim është publikuar përmes një vegëze në formë imazhi, (14 shtator) si e sponsorizuar nga një faqe me emrin “DOC-shop”, në Facebook. Hibrid.info ka gjetur se e vetmja mundësi për rimbursim, është ajo për energjinë elektrike, e ofruar nga institucionet e Kosovës, për familjet e cënueshme. (këtu)

Publikohet një përmbajtje që pretendon se ofrohet kredinë e shpejtë me aprovim vetëm brenda 10 minutave deri në 15,000€. Ky pretendim është publikuar me anë të një imazhi, më 11 tetor në Facebook nga një faqe me emrin “Kredi personale”. Gjetjet tregojnë se kjo faqe ka përdorur imazhin e një banke të licensuar në Kosovë, duke e paraqitur si mundësi të ofruar nga kjo faqe. (këtu)

Gabim

Është publikuar një përmbajtje e titulluar “Popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 9.97% shqiptarë”. Artikullin e ka publikuar “kosova-sot.com”, medium me përmbajtje në gjuhën shqipe, dje më 15 tetor. Hibrid.info ka gjetur se përqindja e popullsisë shqiptare në Malin e Zi, është paraqitur në mënyrë të pasaktë në titullin e këtij teksti. Në komunikatën e shkruar nga regjistrimi i popullsisë së vitit 2023, i publikuar nga Monstat, Zyra e Statistikave në Malin e Zi, tregohet se shqiptarët përbëjnë 4,97% të popullsisë së Malit të Zi. (këtu)

Disa mediume kanë raportuar se objekti i strukturës paralele që u mbyll të mërkurën gjendej në komunën e Skenderajt. Objekti i mbyllur nuk ka qenë në territorin e komunës së Skenderajt. Në fakt, sipas Policisë së Kosovës, objekti në fjalë ka qenë në territorin që mbulohet nga Drejtoria Rajonale e Mitrovicës së Veriut, por ka shërbyer si pjesë e strukturave ilegale si përgjegjëse për komunën e Skenderajt. Pra publikuesit kanë ngatërruar vendin me emrin e komunës paralele të mbyllur. (këtu)

Manipulim i fakteve/Dezinformatë

Përmes një fotografie pretendohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka darkuar me presidentin serb, Alleksandar Vuçiq dhe se në tavolinë kishte produkte serbe. Ky pretendim u publikua mw 16 tetor në formë postimi në TikTok nga llogaria “tavnikcitypdk”. Në këtë postim shfaqet fotografia që paraqet Kurtin dhe Vuçiqin. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se është ndërhyrë në këtë fotografi, pasi në atë origjinalen, në tavolinë ishte edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Po ashtu, nuk ka asnjë fakt që në tavolinë kishte produkte serbe, siç pretendohet nga llogaria e lartcekur. (këtu)

Share With Others

Leave a Reply

Translate »