info@hibrid.info
Rishikimi i javës: Teori konspirative dhe deklarata të paargumentuara nga mediat dhe zyrtarët serb për sulmin në Ibër-Lepenc, mashtrime për sondazhe dhe shitje
shape
shape
shape

Përgatiti: Festim Rizanaj

Keqinformatat e vlerësuara mashtrim janë ato që kanë dominuar gjatë javës që shkoi sa u përket keqinformatave të publikuara në media, portale të dyshimta dhe faqe e llogari në media sociale.

Përmbajtjet mashtruese janë shpërndarë kryesisht në platforma si TikTok, Facebook dhe përmes mesazheve SMS në WhatsApp, duke përfshirë disa tema të ndryshme. Në TikTok, një llogari shpërndau një artikull të vjetër të “Reporteri.net” mbi një sondazh politik, duke e paraqitur atë si aktual. Në WhatsApp, qytetarët morën mesazhe në gjuhën shqipe që pretendonin të ishin nga Facebook/META, por përmbanin vegëza të dyshimta dhe softuer dashakeq për të vjedhur të dhëna, me numrin dërgues që kishte prefiksin e Vietnamit. Në Facebook, një postim pretendonte të ofronte mundësi për të aplikuar për shtëpi të lira në Kosovë, por u konstatua si mashtrim pa informacione të sakta për ofertuesin. Po ashtu, një ueb-faqe me emrin “coldispam.com” përdori një fotografi të një mjeku popullor për të reklamuar një produkt të rremë që pretendonte rikthimin e dëgjimit, duke keqpërdorur logon e portalit “BalkanWeb”.

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë u vlerësua një fotografi, e publikuar në Facebook, përmes së cilës pretendohej se pamjet shfaqin patrullim të FSK-së në Mitrovicë pas shpërthimit të 29 nëntorit në Zubin Potok, edhe pse fotografia ishte shkrepur më 27 nëntor gjatë marshimit të kadetëve të FSK-së në liqenin e Batllavës dhe nuk lidhej me ngjarjen.

Disa mediume në gjuhën serbe kanë shpërndarë teori konspirative lidhur me ngjarje në Kosovë dhe jashtë saj. Mediumi “alo.rs” pretendoi më 1 dhjetor se shpërthimi në Zubin Potok ishte një “sulm i rremë terrorist” dhe pjesë e një skenari të kryeministrit Albin Kurti, duke u bazuar vetëm në një deklaratë paralajmëruese të tij pa ofruar fakte. Po ashtu, një tjetër pretendim, pa bazë faktike, akuzon Kurtin për organizim të një proteste kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Cyrih, e cila pas verifikimit nga hibrid.info rezultoi e pabazë.

Teori konspirative dhe deklarata të paargumentuara janë shpërndarë nga zyrtarë serbë lidhur me shpërthimin në kanalin e “Ibër-Lepencit” më 29 nëntor. Milovan Drecun pretendoi se shpërthimi ishte inskenuar nga Kosova për t’ia atribuuar Serbisë, por nuk ofroi asnjë provë për këtë pretendim, i cili u publikua nga mediumi “blic.rs”. Po ashtu, kryeministri serb Millosh Vuçeviq deklaroi se shpërthimi dhe ndalimi i deputetëve të Listës Serbe më 5 dhjetor ishin pjesë e një “regjie të dobët” të Kurtit, sipas një artikulli në “rts.rs”. As Drecun dhe as Vuçeviq nuk paraqitën prova konkrete që të mbështesin pretendimet e tyre, duke i lënë ato pa bazë faktike.

Disa lajme të rreme dhe mashtrime u publikuan së fundmi në TikTok. Më 30 nëntor, një llogari publikoi një sondazh të pretenduar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, duke renditur partitë politike, por hibrid.info nuk gjeti burime të besueshme që e mbështesin këtë sondazh. Po ashtu, më 2 dhjetor, një llogari tjetër publikoi një imazh që pretendonte se Ramush Haradinaj kishte shkruar në Facebook për lirimin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga Haga, duke thënë se ata do të kthehen më 20 dhjetor. Hibrid.info vërtetoi se nuk ka asnjë njoftim zyrtar për lirimin e tyre dhe asnjë postim të tillë në llogarinë zyrtare të Haradinajt.

Së fundmi janë shpërndarë lajme të rreme në TikTok dhe Facebook. Më 28 nëntor, një llogari në TikTok pretendoi se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbështet Bedri Hamzën nga PDK-ja për kryeministër të Kosovës. Hibrid.info vërtetoi se ky pretendim është i pabazuar. Po ashtu, më 3 dhjetor, një faq në Facebook publikoi një imazh që pretendonte se presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte shpërndarë në X një postim të Berat Buzhalës, i cili kishte akuzuar Albin Kurtin për shpërthimin në Zubin Potok. Edhe ky pretendim u konfirmua si i rremë nga hibrid.info.

Një artikull i publikuar më 2 dhjetor nga portali i televizionit Top Channel pretendonte në titull se eksperti i sigurisë, Drizan Shala, kishte deklaruar: “Në kufi me Kosovën ka 22 baza ushtarake serbe, qytetarët marrin armë”. Megjithatë, hibrid.info vërtetoi se përmbajtja e artikullit nuk përmban asnjë referencë ku Shala të ketë thënë se “qytetarët marrin armë”, duke e bërë titullin të pavërtetë dhe keqinformues.

Clickbait i publikuar një artikull i publikuar më 6 dhjetor në “lajmpress.org” përdori titullin “Kurti në Sarajevë: Nuk e pyesim Dodikun me kë të takohemi”, duke pretenduar se ishte deklaratë e Albin Kurtit. Pas verifikimit, u zbuluar se citimi ishte i Zheljko Komshiq dhe jo i Kurtit, duke bërë titullin një formë të clickbait-it.

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergej Lavrov, ka bërë sërish krahasimin e Kosovës me Krimenë në një intervistë për gazetarin Tucker Carlson, publikuar më 5 dhjetor. Ky krahasim, i përdorur nga Lavrovi si justifikim për aneksimin e Krimesë nga Rusia në 2014, është i pabazuar, pasi faktet tregojnë se situatat në Kosovë dhe Krime janë të ndryshme dhe nuk mund të krahasohen.

Përmbajtje e paverifikuar/Dezinformatë

Përmes një fotografie u pretendua se pamjet paraqesin pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjatë patrullimit në Mitrovicë, duke e ndërlidhur me shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në Zubin Potok. Ky postim u publikua në Facebook nga faqet “Prishtina News” dhe “Lajme Nga Bota”, në datat 30 nëntor dhe 1 dhjetor. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se kjo fotografi nuk ndërlidhet me shpërthimin e 29 nëntorit që ndodhi në Zubin Potok, por e njëjta u gjet e publikuar me datë 27 nëntor, e shkrepur gjatë marshimit të kadetëve të FSK-së në rrethinën e liqenit të Batllavës. (këtu)

Teori konspirative

Mediumi në gjuhën serbe “alo.rs” ka shkruar më 1 dhjetor se shpërthimi në Zubin-Potok “ka qenë sulm i rremë terrorist”. Artikulli merr për bazë një deklaratë paralajmëruese të Kurtit për tentime të mundshme për destabilizim para zgjedhjeve. Mediumi në gjuhën serbe pretendon se ajo deklaratë konfirmon se gjithçka “është mashtrim në skenarin e tij të keq”. Artikulli i njëjtë u publikua edhe në mediume të tjera në gjuhën serbe. Artikujt në fjalë nuk ofrojnë asnjë fakt se shpërthimi ka qenë i rremë apo se ka qenë pjesë e ndonjë skenari të Kurtit. (këtu

Një medium në gjuhën serbe po pretendon pa asnjë fakt se kryeministri Albin Kurti po organizon protestë kundër presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në Cyrih. Sipas këtij pretendimi, protesta do të zhvillohet para një restoranti në këtë qytet, të mërkurën, ku pritet të qëndrojë presidenti serb për një darkë. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se ky pretendim i bërë nga mediumi i lartcekur nuk ofron asnjë fakt që do ta mbështeste atë. (këtu)

Teori konspirative/Deklaratë e paargumentuar

Milovan Drecun, kryetari Komitetit Parlamentar për Mbrojtje dhe Çështje të Brendshme në Serbi, ka pretenduar se shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok më 29 nëntor ka qenë inskenim nga Kosova për t’ia atribuuar Serbisë. Megjithatë, për pretendimin e tij ai nuk ka ofruar asnjë fakt. Deklarata e tij u publikua në mediumin në gjuhën serbe “blic.rs”, me titull: “’Incident i paraplanifikuar’ truqet parazgjedhore të Kurtit dhe përpjekjet për t’i shtypur serbët: Ky është operacion i ‘flamurit të rremë’”. Drecun dhe Milivojeviq nuk kanë prezantuar asnjë provë konkrete ose materiale që mund të mbështesë dhe të verifikojë vërtetësinë e deklarimeve të tyre. (këtu)

“Vuceviq: Regji e dobët e Albin Kurtit, Serbia insiston në hetim ndërkombëtar”, mban titullin një artikull i publikuar nga mediumi publik në Serbi, “rts.rs”. Në këtë artikull, kryeministri  Serbisë, Millosh Vuçeviq, citohet të ketë thënë se shpërthimi në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në Zubin Potok më 29 nëntor dhe ndalimi i deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës më 5 dhjetor, kanë qenë pjesë e një “regjie të dobët” të Kurtit. Vuçeviq nuk ka prezantuar asnjë provë konkrete ose materiale që mund të mbështesë dhe të verifikojë vërtetësinë e deklarimeve. Deklarata mbetet pa bazë të dokumentuar dhe pa ndonjë argument të qartë që do t’i jepte kredibilitet pretendimeve. (këtu)

Lajm i rremë/Mashtrim

U publikua një sondazh që pretendohet të jetë kryer ditëve të fundit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Ky sondazh u publikua në TikTok nga llogaria “liria_ka_emër” me datë 30 nëntor. Në përshkrimin e këtij postimi pretendohet se sondazhi u realizua 48 orë më herët. Përmbajtja i rendit partitë politike si vijon: VV: 50.3%, PDK: 17%, LDK: 15.5%, AAK/Nisma: 8.6% dhe LS: 3%. Hulumtimi i hibrid.info nuk ka gjetur se një sondazh i tillë është publikuar nga burime kredibile. (këtu)

Publikohet një imazh që pretendon se Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shkruar Facebook, ku është shprehur i lumtur me lajmin e lirimit nga Haga, të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ish-krerëve të UÇK-së, për të cilët në shkrim pretendohet se do të kthehen në Kosovë, më 20 dhjetor. Përmbajtja që paraqet postimin e Haradinajt në Facebook, është publikuar (2 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “kadriveseliofficial_”. Hibrid.info nuk ka gjetur asnjë njoftim nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs, që tregon se ish-udhëheqësit e UÇK-së janë liruar nga procesi gjyqësor në Hagë dhe se në llogarinë e liderit të AAK-së në Facebook, nuk është gjetur asnjë postim, çfarë shihet në publikimin e trajtuar. (këtu)

Lajm i rremë

Nëpërmjet një fotografie të publikuar në TikTok është pretenduar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e mbështet për kryeministër të Kosovës, kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.  Pretendimi u bë nga llogaria “partiademokratike88” në TikTok më 28 nëntor. Pas verifikimit nga hibrid.info, del se pretendimi nuk është i bazuar në fakte. (këtu)

Përmes një imazhi pretendohet se presidenti serb, Alleksandar Vuçiq ka shpërndarë në X (ish-Twitter) postimin e gazetarit Berat Buzhala. Tutje në përshkrimin e këtij imazhi pretendohet se në këtë postim, Buzhala ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor në kanalin e ujit “Ibër-Lepenc” në Zubin Potok. Kjo përmbajtje u publikua (3 dhjetor) në Facebook nga faqja “Lajme Nga Bota”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se pretendimi i bërë nga faqja e lartcekur, është i rremë. (këtu)

Dezinformatë/Përmbajtje e paverifikuar

Përmes titullit të një artikulli u pretendua se eksperti i sigurisë, Drizan Shala ka deklaruar se “Në kufi me Kosovën ka 22 baza ushtarake serbe, qytetarët marrin armë”. Artikulli me këtë titull u publikua (2 dhjetor) nga portali i televizioni TopChannel, “top-channel.tv”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, krahas titullit, në përmbajtjen e artikullit të publikuar nga “top-channel.tv” në asnjë rast nuk përmendet që Shala të ketë thënë “qytetarët marrin armë”. (këtu)

Mashtrim

Një postim i shpërndarë në një rrjet social shfaq një artikull që mban logon e portalit informativ “Reporteri.net”, në titullin e së cilit shkruan “Sondazhi i Institutit Amerikan: Kurti politikani më i besueshëm në Kosovë, Osmani e dyta”. Ky postim u publikua (3 dhjetor) në TikTok nga llogaria “toke.ilirodardane”. Pas kontrollit të fakteve të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se artikulli është i vjetër, i publikuar në “Reporteri.net” me datë 5 korrik 2022, të cilin hibrid.info e ka gjetur përmes makinës së kërkimit “Google”. (këtu)

Një mesazh elektronik (SMS) iu është dërguar qytetarëve të Kosovës në WhatsApp, i cili është në gjuhën shqipe dhe pretendon të jetë nga Facebook/META. Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se i njëjti nuk është dërguar nga Facebook dhe përmban një vegëz (link) të dyshimtë, si dhe “Malware” që është softuer dashakeq i zhvilluar nga hakerë për të vjedhur të dhënat dhe për të dëmtuar ose shkatërruar pajisje kompjuterike, serverë dhe sisteme kompjuterike. Gjithashtu, numri që ka dërguar këtë SMS ka prefiksin e Vietnamit. (këtu)

Përmes një postimi në Facebook pretendohet se përmes një aplikimi ofrohet mundësi për të përfituar shtëpi në Kosovë. Në mbishkrimin e këtij postimi, bëhet thirrje që të aplikohet përmes “Aplikacionit për banim në Kosovë”. Postimi u publikua më 27 nëntor nga faqja “IN-4”. Përmbajtja që pretendon se ofrohet mundësi për të aplukuar për shtëpia të lira, është mashtrim. Në të mungojnë informatat se kush e ofron këtë mundësi dhe publikuesi i përmbajtjes është i dyshimtë. (këtu)

Një ueb-faqe e quajtur “coldispam.com” ka vendosur në shitje një produkt me pretendimin se ndihmon në rikthimin e dëgjimit. Kjo ueb-faqe në kreun e saj ka vendosur logon e portalit në gjuhën shqipe “BalkanWeb”. Po ashtu, në përmbajtje të saj është vendosur edhe fotografia e një personi që njihet si mjek popullor, Erxhan Muharremi, i cili mban në duar një produkt me emrin “U CAPS”. Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se për të shitur këtë produkt që pretendohet rrejshëm se i njëjti ndihmon në rikthimin e dëgjimit, është përdorur një fotografi që paraqet një person me emrin Erxhan Muharremi, i cili njihet si mjek popullor. (këtu)

Clickbait

Nëpërmjet një titulli është pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Sarajevë, ka thënë se nuk e pyet kreun e entitetit të Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë, Millorad Dodik, se me kë mund të takohet. “Kurti në Sarajevë: Nuk e pyesim Dodikun me kë të takohemi” mban titullin artikulli i publikuar nga portali në gjuhën shqipe “lajmpress.org” të premten (6 dhjetor). Hibrid.info ka gjetur se ndryshe nga përmbajtja, titulli i këtij artikulli është paraqitur në formën e një deklarate të ardhur nga Kurti, ndonëse ky deklarim është bërë nga Komshiq. (këtu)

Deklaratë e pavërtetë

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergej Lavrov, ka përsëritur krahasimin e rastit të Kosovës me të Krimesë. Krahasimin më të fundit ai e ka bërë në një intervistë për gazetarin Tucker Carson. Ajo u publikua më 5 dhjetor. Edhe pse faktet tregojnë se krahasimi i Kosovës me Krimenë është i pabazë, Lavrovi ka vazhduar ta përdorë si justifikim për aneksimin e dhunshëm të gadishullit ukrainas (Krimesë) nga Rusia në vitin 2014 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. (këtu)

Share With Others

Translate »