[email protected]
Shqipëria dhe Kosova paraqiten gabimisht si anëtare të Bashkimit Evropian në listën e pagave minimale
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Është pretenduar se Shqipëria është e parafundit në listën e shteteve të Bashkimit Evropian (BE) sa i përket pagës minimale, e se Kosova është e fundit.

Pretendimi është bërë në hyrje të artikullit nga mediumi në gjuhën shqipe “panorama.com.al”, të publikuar më 28 gusht, dhe në titullin e mediumit tjetër “radiokosovaelire.com” të publikuar të enjten (29 gusht).

Çka nuk shkon me këtë pretendim?

“Në vendet e Bashkimit Evropian, Shqipëria renditet e parafundit për pagën minimale, duke lënë pas vetëm Kosovën”, është pretendimi në hyrje të artikullit të “panorama.com.al”. Kjo është gabim. Shqipëria dhe Kosova nuk janë pjesë të Bashkimit Evropian, e madje edhe lista e publikuar përmban disa shtete që s’janë pjesë e bllokut.


Vegëza e artikullit të “panorama.com.al”:

https://archive.is/zGsNi


Artikulli merr për bazë të dhënat e publikuara nga “Radio Evropa e Lirë”. Megjithatë, në publikimin e “evropaelire.org” titulli flet për pagat minimale në kontinentin evropian, dhe jo vetëm për anëtaret e Bashkimit Evropian.

Përmbajtja e njëjtë është publikuar edhe në artikullin e “radiokosovaelirë.com” që pretendimin e ka paraqitur edhe në titull.

Në listën e publikuar, “Radio Evropa e Lirë” ka shkruar: “Në kontinentin evropian, Kosova e ka pagën më të vogël minimale, ndërsa Luksemburgu i prin listës si shteti me pagën më të madhe minimale. Paga minimale e një shteti përcaktohet me ligj dhe zbatohet për shumicën e punonjësve të atij shteti”.

Kjo tabelë e publikuar paraqet pagën minimale në 20 shtete. Turqia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova që janë në këtë listë, nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian është bashkimi politik dhe ekonomik i 27 shteteve anëtare, të vendosura kryesisht në kontinentin evropian (shih listën e anëtarëve dhe detajet këtu).


Kontekst:

Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën (28 gusht) ta rritë pagën minimale në vend në 350 euro bruto për punëtorët e të gjitha moshave, pa dallim. Ky vendim pason hyrjen në fuqi të Ligjit për pagën minimale, i cili parashikonte një rritje në 264 euro bruto. Me këtë vendim të ri, i cili hyn në fuqi më 1 tetor, shkalla e re e pagës minimale do të jetë 2 euro për orë pune të rregullt, apo 350 euro për orar të plotë në muaj. Kryeministri Albin Kurti deklaroi se kjo rritje do të prekë rreth 150.000 punëtorë, kryesisht në sektorin privat (shih këtu).

Paga minimale është paga më e ulët për orë, ditore apo mujore që punëdhënësit duhet t’iu japin në kompensim të punësuarve në saje të marrëdhënies së punës. Thënë me fjalë të tjera, paga minimale është paga më e ulët e mundshme që u jepet punëtorëve në shkëmbim të punës së tyre (Wikipedia)

Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore theksohet se paga minimale caktohet çdo fundvit kalendarik nga Qeveria e Kosovës, sipas propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social.


Analiza:

Mediumet në gjuhën shqipe “panorama.com.al” dhe “radiokosovaelire.com” i kanë paraqitur Shqipërinë dhe Kosovën si shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Tabelën që këto dy mediume e kanë marrë për bazë paraqet shtetet e kontinentit evropian dhe jo vetëm anëtaret e BE-së.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e vlerëson si “gabim”.

Vlerësimi:

Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.

Share With Others

Translate »