info@hibrid.info
S’ka vendim për lirim nga Haga për Kadri Veselin
shape
shape
shape

Shkroi: Astrit Veliqi

Përmes një publikimi në TikTok është pretenduar për lirimin nga gjykimi i ish-kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit nga Gjykata Speciale në Hagë.

Publikimi u bë më 22 nëntor nga llogaria “kadriveseliofficial_” në TikTok, ku shkruan “Lirohet nga gjykimi KADRI VESELI”, derisa në përshkrimin e një foto të Veselit thuhet se “Çlirimtarët priten të vijnë në Kosovë në muajin Dhjetor”.


Por cila është e vërteta?

Pas verifikimit të fakteve zbulohet se Gjykata Speciale nuk ka marrë vendim për lirimin e ish-parlamentarit, njëherit ish-kyetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili bashkë me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin janë në paraburgim në Hagë, nën akuzën për krime lufte.

Por në ueb-faqen zyrtare të Speciales, në vegëzën për rastin “Thaçin dhe të tjerët ku përfshihet edhe Veseli, Krasniqi e Selimi tregohet se rasti është ende në fazë të gjykimit. (këtu)

Derisa në vegëzën për vazhdimin e gjykimit thuhet se rasti për procesin “Thaçi dhe të tjerët”, do të fillojë të hënën (sot me 25 nëntor). (këtu)

Sikurse edhe po që se kërkohet në Google me fjalët kyçe “Lirohet nga gjykimi Kadri Veseli”, nuk ka artikuj me burime kredibile, që e mbështesin pretendimin e llogarisë “kadriveseliofficial_” në TikTok. (këtu)


Për çka akuzohet Kadri Veseli?

Aktakuza përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të pretenduar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikur janë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sipas kësaj aktakuze, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së”, thuhet në historikun e aktakuzës. (këtu)


Analiza:

Pretendimi se ish-kryeparlamentar i Kosovës dhe ish-kryetari i PDK-së Kadri Veseli është liruar  nga Gjykata Speciale në Hagë, del të jetë i pavërtetë.

Pas verifikimit të fakteve del se asnjë dokument publik në uebfaqen e Speciales, sikurse edhe ndonjë artikull në media kredibile, nuk e mbështesin pretendimin e publikuar nga llogaria “kadriveseliofficial_” në TikTok.

Prandaj bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.


Ky artikull është përgatitur si pjesë e projektit ‘Kundër Dezinformimit përmes Inovacionit dhe Mësimit Eksperimental’, i mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë. Artikulli është verifikuar nga ekipi i Hibrid.info dhe ekspertët e angazhuar për të siguruar përputhjen me metodologjinë tonë për verifikimin e fakteve. Ky artikull përmban verifikime të mirëfillta, por nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Hibrid.info apo të Ambasadës së SHBA-së.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »