Shkroi: Etrit Rexhepi
Janë publikuar disa përmbajtje me pretendime që lidhen me shpërthimin, i cili dëmtoi kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, në Zubin Potok.
Pretendimet janë publikuar si video-materiale nga kanalet zyrtare të mediave në gjuhën shqipe (NTV Televizion dhe Euronews Albania).
Pretndimet kanë të bëjnë me kërcënime ndaj Serbisë, nga ana e ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar, kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili fajëson serbët për atë që ndodhi e deri tek pretendimi se qytetarët në vend kanë mbetur pa rrymë.
Por, gjetjet e hibrid.info tregojnë se asnjë nga këto pretendime nuk janë të sakta.
Ambasadori amerikan kërcënon Serbinë?
Titulli i këtij video-materiali të publikuar në kanalin zyrtar në Youtube të mediumit, “NTV Televizion”, njofton se përmbajtja paraqet reagimin e Jeff Hovenier, ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, pas sulmit ndaj kanalit të ujit në Zubin Potok, ndërsa në kopertinë të kësaj videoje pretendohet se ka kërcënim për Serbinë.
Duke qenë se bëhet fjalë për paraqitje deklaratës se ambasadorit amerikan, audienca mund ta lexojë se ky i fundit ka kërcënuar Serbinë.
Hibrid.info ka gjetur se reagimi i ambasadorit Hovenier është bërë në llogarinë e tij në platformën “X” (ish-Twitter). Ambasadori ka dënuar sulmin duke mbështetur Qeverinë e Kosovës në hetimet në identifikimin e personave përgjegjës, për kryerjen e këtij akti, gjë e cila theksohet edhe në kronikën e paraqitur në video.
Reagimi i plotë i ambasadorit Hovenier në “X” i përkthyer në shqip:
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në pjesën kritike të infrastrukturës në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e monitoruar situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës.
Ne gjithashtu dënojmë sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor. Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës. Kosova duhet të mbajë përgjegjësi.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të solidarizohen me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë sulmeve të tilla kriminale.”
Pra, nga ky publikim dhe në përmbajtje të videos së trajtuar, kuptohet se Hovenier në asnjë rast nuk ka kërcënuar Serbinë.
Ambasadori britanik kërcënon dhe tregon se kush sulmoi në veri?
Titulli i këtij video-materiali të publikuar në kanalin zyrtar në Youtube të mediumit “NTV Televizion”, le të nënkuptojë se Jonathan Hargreaves, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, ka kërcënuar dhe ka identifikuar kryerësit e sulmit në veri. Por, nga postimi i tij në Facebook, të cilin e ka hasur hibrid.info, kuptohet se Hargreaves ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar hetim të shpejt për çdo sulm të qëllimshëm në infrastrukturën kritike.
Reagimi i plotë i ambasadorit britanik Hargreaves në Facebook, i përkthyer në shqip:
“Incidenti i rëndë në Zubin Potok sonte ka pasoja potencialisht të rënda për furnizimin me energji dhe ujë të komuniteteve të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës. Duhet të hetohet shpejt për çdo sulm të qëllimshëm në infrastrukturën kritike.”
Reagimi i ambasadorit britanik, ndryshe nga titulli i videos, është paraqitur saktë në brendësi të videos.
Rama deklaron se sulmi është akt sabotazhi nga serbët?
Në titullin e këtij video-materiali të publikuar në kanalin zyrtar në Youtube, të mediumit “Euronews Albania”, pretendohet se kryeministri Rama e ka cilësuar sulmin ndaj kanalit të ujit në veri, si akt sabotazhi nga serbët.
Nga postimi i Ramës në “X” dhe nga përmbajtja e videos, kuptohet ai e ka cilësuar sulmin si akt sabotazhi, por nuk ka fajësuar komunitetin apo shtetin serb për atë që ndodhi në fshatin Varragë në komunën Zubin Potokut.
Postimi i plotë i Ramës në “X”:
“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së.”
A mbetën qytetarët pa rrymë në veri?
Nga titulli i këtij video-materiali të publikuar në kanalin zyrtar në Youtube, të mediumit “Euronews Albania”, pretendohet se një gazetar nga veriu (Urall Boshnjaku), ka deklaruar se, pas sulmit në veri nuk ka energji elektrike.
Pas kontrollit dhe verifikimit të përmbajtjes së video-materialit, kuptohet se gazetari Boshnjaku, ka treguar se ndonëse pritjet ishin që pas sulmit edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), të kishte vështirësi në furnizimin me ujë, çka do të vështirësonte pastaj prodhimin e energjjise elekrike nga ky institucion, por siç thotë ai, tani për tani është bërë një zgjidhje e përkohshme e këtij problemi, sa i përket rrymës.
Nga kjo vegëz mund të shihni deklaratën e plotë të gazetarit.
Analiza:
Në titujt e disa video-materialeve është pretenduar se ambasadori britanik ka kërcënuar dhe identifikuar autorët e sulmit ndaj kanalit të ujit në veri, se kryeministri Rama ka vlerësuar se akti u krye nga serbët dhe se një gazetar ka deklaruar se qytetarët në atë pjesë kanë mbetur pa energji elektrike.
Ndërsa në kopertinën e një video-materiali është pretenduar ambasadori amerikan ka kërcënuar Serbinë, pas këtij sulmi.
Por, hibrid.info ka gjetur dhe vërtetuar se pretendimet nuk janë të sakta dhe titujt nuk i korrespondojnë përmbajtjes së materialeve.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.
“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.