[email protected]
Titull çorientues, Trump nuk ka folur për Kosovën
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

“Trump FLET për Kosovën/ Nesër me fitoren do të…ja planet në tryezë”, mban titullin artikulli i publikuar nga mediumi online në gjuhën shqipe “ntv.al”.

Ky artikull u publikua sot (18 korrik) edhe në faqen e mediumit të lartcekur në Facebook “Ntv Televizion”.

Çka nuk shkon me këtë titull?

Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli është çorientues. Pas klikimit në vegëzën e artikull, vërehet se titulli nuk përputhet me përmbajtjen.

Në përmbajtje të artikullit bëhet e ditur se kjo është vetëm një deklaratë e Jovana Radosavljeviç, drejtoreshë ekzekutive e nismës së re sociale në Serbi.

Pra, në artikull nuk gjendet asnjë deklaratë e dhënë nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, për dhe rreth Kosovës.


Vegëza e artikullit të publikuar në mediumin online “ntv.al”:


Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka vërtetuar se artikulli është marrë nga mediumi “Euronews Albania”, për të cilin kishte dhënë intervistë Radosavljeviç. Ky artikull mban titullin “Ekspertja: Ja ç’do ndodhë mes Kosovës dhe Serbisë nëse Trump fiton zgjedhjet në SHBA”. (shih këtu)

Pra, mediumi online “ntv.al” ka marrë artikullin nga “Euronews Albania”, të cilit më pas i ka ndryshuar titullin. (shih këtu)


Çka tha Radosavljeviç?

“Kuptohet, dy përfundime do të ketë. Nëse kemi fitoren e Trumpit, ndoshta mund të mendojmë t’i rikthehemi qasjes ndaj dialogut që kishim gjatë mandatit të tij të parë. Kjo do të thotë gjithashtu se do të kemi Riçard Grenellin në një lloj marrëveshjeje me Ballkanin Perëndimor. Kështu që, mund të mendojmë vetëm për periudhën e mëparshme kur Trumpi ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe Grenelli në fakt ngulmoi drejt marrëveshjes së Uashingtonit”, tha ndër të tjerash Radosavljeviç.


Analiza:

Përmes titullit të një artikulli pretendohet pa saktë se ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka folur për Kosovën.

Në përmbajtje të artikullit gjendet intervistë e drejtoreshës ekzekutive e nismës së re sociale në Serbi, Jovana Radosavljeviç, e cila ka dhënë mendimin e saj se “nëse kemi fitoren e Trumpit, ndoshta mund të mendojmë t’i rikthehemi qasjes ndaj dialogut që kishim gjatë mandatit të tij të parë”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson artikullin e publikuar nga “ntv.al” si “Clickbait”.

Arsyetimi:

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »