info@hibrid.info
Titull i pabazuar në fakte, nuk ndërlidhet as me përmbajtjen
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Nëpërmjet titullit të një videoje të publikuar në Facebook, është pretenduar se “shkëmbehen territoret/ Kosova dhe Serbia gjejnë një zgjidhje”.

Publikimi u bë më 22 tetor nga faqja “NTV Televizion” në Facebook.

Çka nuk shkon me titullin?

Titulli nuk përkon me përmbajtjen e materialit. Pas verifikimit të përmbajtjes, është gjetur se video-materiali gati 8-minutësh përmban disa kronika televizive me lajme dhe ngjarje që lidhen me Kosovën, por që në asnjërën prej tyre nuk paraqitet ndonjë njoftim që tregon shkëmbime territoresh apo se Kosova e Serbia kanë gjetur zgjidhje.

Po ashtu kërkimet e hibrid.info në motorin online të kërkimeve “google” nuk kanë gjetur fakte që konfirmojnë pretendimet në titullin e “NTV Televizion”.

Diskutimet për çështje që lidhen me idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë u përfolën ditëve të fundit pasi, John Bolton, këshilltari i Sigurisë Kombëtare në administratën e ish-presidentit amerikan Donald Trump, u raportua të ketë thënë se edhe shkëmbimi i territoreve do të ishte opsion për zgjidhje në dialog, “nëse të dyja palët do të pajtoheshin”.

Analiza:

“NTV Televizion” në Facebook ka publikuar një video me titull “Shkëmbehen territoret/ Kosova dhe Serbia gjejnë një zgjidhje”.

Pas një verifikimi të detajuar, është zbuluar se videoja përmban kronika televizive të ndryshme që lidhen me Kosovën, por që në asnjërën pjesë nuk paraqiten njoftime për shkëmbime territoresh apo gjetje të zgjidhjes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, edhe kërkimet në internet tregojnë se nuk është arritur ende një zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.

Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »