Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar dje (24 prill) një artikull me titull “Plagosen nëntë nxënës”.
Pas verifikimit të fakteve të paraqitura në këtë përmbajtje, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i artikullit është përgjithësues që nuk tregon se ku ka ndodhur ngjarja.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Nëntë persona janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një festë të nxënësve të shkollës së mesme në Jasper County, Teksas”.
Përveç titullit jo sqarues, edhe fotografia e vendosur në këtë artikull nuk i përgjigjet përmbajtjes, pasi në të paraqitet shiriti i policisë në të cilin shkruan shqip “SKENE KRIMI MOS KALO”, që lë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës.
Duke pas parasysh se portali i lartcekur është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumicën e lexuesve i ka shqipfolës (shih këtu), kjo mund t’i dezinformojë lexuesit se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se lajmi ka të bëjë me nxënësit e shkollës “Jasper County”, në Teksas të SHBA-së, Hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në disa mediume të huaja. (këtu, këtu)
Analiza:
Në titullin e artikullit të publikuar nga “Kosova-sot.info” nuk sqarohet se në cilin shtet ka ndodhur kjo ngjarje, ndërsa lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku bëhet e ditur se rasti në fjalë ka ndodhur në Teksas të SHBA-ve.
Përveç titullit përgjithësues, artikulli përmban edhe fotografi jo adekuate, pasi në të shfaqet shiriti i policisë në të cilin shkruan shqip “SKENE KRIMI MOS KALO”, që lë të kuptohet se ngjarja ka ndodhur në ndonjë vend shqipfolës
Mosdhënia e informacioneve për vendin se për ku bëhet fjalë, ky lajm shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit e vet, duke i bërë të mendojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.