Portali Kosova-sot.info ka publikuar me dje (1 janar) një artikuj me titull “Ngjarje e rëndë: Një studente var veten në banjon e universitetit”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se, titulli i këtij artikulli nuk i përgjigjet përmbajtjes.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtje, ku thuhet se “Një studente 20 vjeçare ka varur veten në një universitet në Milano në Itali”.
Duke ditur se portali i lartcekur është i regjistruar në Kosovë (këtu) dhe shumicen e audiencës i ka nga Kosova (këtu), me vendosjen e titullit, lë të kuptohet se lajmi ka të bëjë me shtetin ku vepron ky medium, pra Kosovën.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Për ta vërtetuar edhe më shumë faktin se kjo ngjarje ka ndodhur në Itali, hibrid.info ka gjetur artikullin e publikuar në disa mediume italiane. (shih këtu dhe këtu)
Analiza:
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull lidhur me një studente që ka bërë vetëvrasje në banjon e universitetit.
Ky medium online është portal i cili vepron në Kosovë dhe që numrin dominues të lexuesve i ka nga Kosova, bazuar në përcjellësit e faqes në Facebook. Pra, mosdhënia e informacioneve për vendin e ngjarjes, shumë lehtë mund t’i dezinformojë lexuesit, duke i bërë të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur në Kosovën.
Bazuar në metodologjinë e punës,hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.