Portali informativ “Kosova sot” ka publikuar dje (19 tetor) një artikull me titull “Gjendet e vdekur në dhomën e saj të hotelit këngëtarja e njohur”.
Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info është vërtetuar se titulli është përgjithësues që nuk sqaron se për cilën këngëtare bëhet fjalë dhe se ku ka ndodhur ngjarja.
Lajmi qartësohet vetëm në përmbajtjen e artikullit, ku thuhet “Trupi i një gruaje është gjetur, mbrëmjen e djeshme, në një hotel në Trstenik të Serbisë”.
Duke parë faktin që portali informativ është i regjistruar në Kosovë (shih këtu) dhe shumica e lexuesve të tij janë shqip-folës (shih këtu), titulli lë hapësirë për interpretim se bëhet fjalë për ndonjë këngëtare nga Kosova, apo se ngjarja ka ndodhur në vendin tonë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Hibrid.info po ashtu për të vërtetuar se bëhet fjalë për vdekjen e një këngëtare në Serbi, ka gjetur artikullin e publikuar në mediumin serb “Mondo.rs”. (shih këtu)
Analiza:
Portali informativ “Kosova Sot” ka publikuar një artikull në lidhje me vdekjen e një këngëtareje në Serbi, por që në titull nuk sqarohet se për kë bëhet fjalë, e as ku ka ndodhur ngjarja.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.