Shkroi: Fatbardh Dema
“Miliona euro investime për Ushtrinë E Kosovës: Planifikohet blerja e 300 transporterëve dhe 100 tankeve”, mban mbishkrimin një video-material.
Kjo përmbajtje u publikua dje (25 gusht) nga llogaria “viktorks112” në TikTok.
E vërteta?
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka gjetur se ky artikull është i vjetër, i publikuar me datë 30 tetor 2018 nga mediumi në serbisht “Informer.rs”. Artikulli nuk është bazuar në asnjë fakt.
Vegëza e përmbajtjes së publikuar në TikTok nga llogaria “viktorks112”:
Pjesë nga artikulli i publikuar në vitin 2018 nga mediumi online serb “Informer.rs”:
Shtetet e Bashkuara i kanë lejuar shqiptarët e Kosovës të ndërtojnë ushtri dhe të blejnë armë për 300 milionë euro
Në tre vjetët e ardhshëm, autoritetet në Prishtinë, selia e të vetëshpallurës “Republika e Kosovës”, do të blejnë armë në vlerë prej 300 milionë euro për ushtrinë e tyre.
Kujtojmë se çmimi i tankeve të përdorura dhe transportuesve të blinduar varion nga gjysmë milioni deri në tre milionë dollarë. Në të njëjtën kohë, armët antitank dhe pajisjet e tjera ushtarake janë shumë më të lira dhe mund të blihen me një çmim të volitshëm nga ish-republikat sovjetike, por edhe nga vendet e NATO-s që duan të heqin qafe armët, resurset e të cilave janë drejt fundit, ose janë thjesht të vjetruara. (shih këtu)
Gjatë hulumtimit, hibrid.info ka gjetur se artikulli i vitit 2018 i publikuar nga medium në gjuhën serbe “Informer.rs”, është shpërndarë edhe në disa media online në Kosovë.
Portalet si “Ballkani.info” dhe “Botasot.info” e kanë publikuar këtë artikull me datë 28 dhe 29 gusht të vitit 2021. (shih këtu). Artikulli nga “Botasot.info” duket se është fshirë. (shih këtu)
Hibrid.info edhe në vitin 2022 ka trajtuar pretendimin e njëjtë. Atëkohë, portali i dyshimtë “albasky.com” kishte publikuar artikullin e njëjtë duke iu referuar mediumit në gjuhën serbe “Informer.rs”. (shih këtu)
Analiza:
Pretendimi se Kosova planifikon blerjen e 300 transporterëve dhe 100 tankeve, është i rremë.
Ky pretendim përmes një video-materiali u publikua në median sociale TikTok.
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se ky pretendim u bë në vitin 2018 nga media në gjuhën serbe “Informer.rs”, duke mos u bazuar në asnjë fakt.
Një pretendim i tillë, u publikua edhe në vitin 2022 nga një portal i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe, e që edhe atëkohë është trajtuar nga hibrid.info.
Ky ri-publikim i këtij pretendimi të rremë, sipas metodologjisë së punës së hibrid.info, merr vlerësimin si “Transmetim i lajmeve të rreme”.
Arsyetimi:
Ky vlerësim u jepet raporteve të mediave në të cilat transmetohet përmbajtja origjinale e një mediumi tjetër, i cili përmban një lajm të rremë. Vlerësimi jepet vetëm për transmetimin e përmbajtjes që kategorizohet si lajm i rremë.