Shkroi: Fatbardh Dema
Imazhi i një personi të moshuar po pretendohet se paraqet ish-presidentin tashmë të vdekur amerikan John Kennedy në 100 vjetorin e lindjes së tij.
Kjo video-përmbajtje u publikua me datë 19 prill nga faqja në Facebook në gjuhën shqipe, “Patriotet e Botes Re”.
Kush është në të vërtetë personi në video?
Hibrid.info ka hulumtuar dhe vërtetuar se imazhi i shfaqur në video-material i përket Russell LeeRoy Pickett, veteran amerikan i Luftës së Dytë Botërore, e jo John Kennedy, siç pretendohet nga faqja “Patriotet e Botes Re”.
Vegëza e përmbajtjes së publikuar në Facebook nga faqja “Patriotet e Botes Re”:
Hibrid.info ka hulumtuar me anë të programit të automatizuar “InVID”, ku ka gjetur se imazhi shfaq momentin e përqafimit të ish-presidentit Trump me veteranin e Luftës së Dytë Botërore, Russell Pickett. (shih këtu)
Videoja është publikuar nga tabloidi britanik “Daily Mail” në Youtube me datë 6 qershor 2019. (shih këtu)
Pjesë nga përshkrimi i video-materialit të publikuar nga “Daily Mail”, i përkthyer në shqip:
Presidenti Donald Trump të enjten ofroi një shpërfaqje të rrallë emocionesh kur përqafoi veteranin 94-vjeç Russell Pickett, i cili luftoi në plazhet e Normandisë si 19-vjeçar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Hibrid.info ka gjetur të dhëna nga faqja e Shtëpisë së Bardhë, ku tregohet më shumë për ish-presidentin e vdekur, John F. Kennedy, i cili u vra më 22 nëntor 1963, në Dallas, Teksas. (shih këtu)
Ndërsa për të dëshmuar edhe më shumë faktin se personi në video-material është Russel Pickett, hibrid.info ka gjetur artikull ku tregon më shumë për këtë veteran të Luftës së dytë botërore, i vdekur që nga viti 2020. (shih këtu)
Analiza:
Faqja në Facebook “Patriotet e Botes Re” ka publikuar një video-material me imazhin e një personi të moshuar, duke pretenduar rrejshëm se ai është ish-presidenti tashmë i vdekur amerikan, John Kennedy.
Pas verifikimit të fakteve, është vërtetuar se imazhi që shfaq personin që pretendohet se është John Kennedy, i përket Russell LeeRoy Pickett, veteran amerikan i Luftës së Dytë Botërore.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë video-material si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.