info@hibrid.info
Video e vjetër e Faton Hajrizit shfaqet si aktuale me pretendimin se ai është i gjallë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet video-materiali që pretendon se shfaq të dyshuarin për vrasjen e një polici serb, Faton Hajrizin teksa flet, disa ditë pas njoftimit nga shteti serb se i njëjti është vrarë.

Videoja ku Hajrizi dëgjohet të thotë se “është gjallë” është publikuar dje (31 korrik) në Facebook nga një faqe me emrin “Gjilani”.

Cila është e vërteta?

Ky video-material i publikuar është i vjetër.

Pse u trajtua nga hibrid.info?

Deri në momentin e trajtimit videoja ka marrë 1.2 milionë shikime dhe mbi 1 mijë e 400 komente.


Vegëza e video-materialit të publikuar nga faqja “Gjilani” në Facebook:

https://www.facebook.com/gjilaniqytetiim/videos/842406484152901


Deklarata e pretenduar e Faton Hajrizit e dëgjuar nga video:

“Përshëndetje shqipet e mia, ju kërkoj ndjesë për maskën se edhe që s’kam mujt mu lajmëru ma herët, po deri jam drejtu. Shumë shpejt kam me hy edhe live edhe ja u shpjegoj kejt këtë rrugëtim që ka ndodhë këto ditë. Veç dine që Faton Hajrizi është mirë e gjallë. T’ua prishi qefin do llaskucav t’mediav.”


Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinave të kërkimit dhe ka gjetur këto pamje të publikuara janë marrë nga videoja e parë e Hajrizit e publikuar më 8 korrik, pas arratisjes së tij nga burgu i Smrekonicës (shih këtu).

Pamja në video-materialin e trajtuar shfaqet e afruar dhe fytyra e personit që pretendohet se flet nuk shfaqet e plotë, duke treguar vetëm ballin dhe flokët e tij. Duke u bazuar në ndriçimin e video-materialit, formën e flokëve të personit të shfaqur dhe hapësirën prapa tij, hibrid.info ka gjetur se pamjet janë nxjerrë nga videoja ku Faton Hajrizi tregonte për arratisjen e tij (shih këtu).

Pikat e ngjashme nga video e publikuar më 31 korrik dhe asaj të publikuar më 8 korrik


Hibrid.info ka kontrolluar edhe përmbajtjen e kësaj video për të vërtetuar në rast se audioja e saj përputhet me atë që dëgjohet në materialin e trajtuar, por e njëjta nuk është hasur aty.

Audioja në fjalë me gjithë hulumtimin, nuk është verifikuar nga hibrid.info.

Po ashtu, hibrid.info ka hulumtuar edhe në llogarinë në Facebook të avokatit Arianit Koci, i autorizuar nga familja Hajrizit, për të sjellë trupin e Faton Hajrizit në Kosovë, në bazë të njoftimeve të të cilit, nuk konfirmohet se personi në fjalë është i gjallë (shih këtu).


Analiza:

Videoja e publikuar me datë 31 korrik me pretendimin se Faton Hajrizi është i gjallë, nuk është aktuale.

Video-materiali që shfaq atë teksa flet, është i vjetër. Ndërsa audioja nuk përputhet me përmbajtjen e videos autentike.

Autori i publikimit, po ashtu pretendon se përmbajtja nuk është verifikuar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Mashtrim” dhe “Përmbajtje e pa verifikuar”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »