[email protected]
Vuçiq deklaron pasaktë se aksioni për mbylljen e objekteve të Postës së Serbisë në veri u bë nga Kurti me mbështetjen e disa fuqive perëndimore
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Policia e Kosovës dje (5 gusht) ka njoftuar se përmes një aksioni i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, më herët gjatë ditës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq përmes një konference për media lidhur, foli rreth kësaj ngjarje, duke pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke u përpjekur për të provokuar një konflikt dhe se sipas tij, ai po e bën atë në mënyrë të organizuar me mbështetjen e disa fuqive perëndimore.

Çka nuk shkon me këtë pretendim të Vuçiqit?

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë dhe Bashkimi Evropian e kanë vlerësuar Si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar aksionin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë pikave të Postë së Serbisë në veri të Kosovës.


Deklarata e Vuçiqit në një konferencë për media që u transmetua nga Tanjug.rs

“Sjellja e Kurtit është një përpjekje për të provokuar një konflikt lufte. Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen, por ai po e bën atë qëllimisht, të organizuar dhe me mbështetjen e disa fuqive perëndimore”, tha Vuçiq, i pyetur se si e komenton presionin e qeverisë së Kurtit ndaj serbëve dhe arrestimet e tyre frikësuese të shtunën dhe bastisjet e sotme në objektet e Postës së Serbisë në veri të Kosovës. (shih këtu)

Çka tha Ambasada e SHBA-ve në Kosovë?

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës ndaj degëve të postës serbe në veri të Kosovës.

Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (shih këtu)

Çka tha Bashkimi Evropian?

Bashkimi Evropian ka reaguar pas mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës, duke e quajtur si një veprim të njëanshëm të autoriteteve të Kosovës.

Deklarata për media e ndarë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano:

“Bashkimi Evropian e konsideron mbylljen e sotme të nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet e Kosovës si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar, që shkel marrëveshjet e arritura nën dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Si pjesë e marrëveshjeve sa i përket Telekomunikacionet të arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të rënë dakord më 2015, të dyja palët ranë dakord të diskutojnë për shërbimet postare ‘në një fazë të mëvonshme’, duke pranuar kështu që çështja mund të trajtohet brenda kornizës së dialogut”, thuhet në deklaratë. (shih këtu)


Kontekst

Policia e Kosovës dje (5 gusht) ka njoftuar se përmes një aksioni i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, më herët gjatë ditës.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok, raporton Radio Evropa e Lirë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK). (shih këtu)

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ka bërë të ditur se Posta e Serbisë vepron ilegalisht në Kosovë. (shih këtu)


Analiza:

Presidenti serb Vuçiq përmes një konference për media, ishte shprehur në lidhje me aksionin e djeshëm (5 gusht) për mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri, duke pretenduar se Kurti Kurti është duke u përpjekur për të provokuar një konflikt dhe se sipas tij, ai po e bën atë në mënyrë të organizuar me mbështetjen e disa fuqive perëndimore. Por, kjo deklaratë e tij nuk qëndron.

Ambasada e SHBA-ve në Kosovë dhe Bashkimi Evropian e kanë vlerësuar këtë aksion si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë pikave të Postë së Serbisë në veri të Kosovës.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e bërë nga Vuçiq si “Deklaratë e pavërtetë”.

Arsyetimi:

Kontrolli dhe vlerësimi i deklaratave

Në kategorinë e vërtetësisë, vlerësohen ato deklarata që përmbajnë thënie që lidhen me fakte objektive, saktësia e të cilave mund të përcaktohet me anë të verifikimit objektiv. Deklaratat e trajtuara në këtë kategori marrin vlerësimin – deklaratë e pavërtetë, gjysmë e vërtetë, apo edhe deklaratë e vërtetë.

Share With Others

Translate »