Shkroi: Etrit Rexhepi
Një llogari në TikTok me emrin “albinkurti_kryeminister” ka publikuar dje (10 prill) një video-material që shfaq ish-presidentin Hashim Thaçi.
Në audion vendosur video-materialit, e cila nuk përputhet me pamjet e shfaqura, dëgjohet zëri i një personi që jep vlerësimin e tij për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të cilën në mbishkrimin e bashkangjitur videos, pretendohet se paraqet zërin dhe mendimin e ish-presidentit Thaçi.
Por, pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info, është gjetur se zëri i dëgjuar në audio, është marrë nga një video-material, ku shfaqet një qytetar teksa shpreh opinionin e tij për kryeministrin Kurti.
Bazuar nga disa prej komentuesve në këtë publikim në TikTok, hibrid.info vlerëson se mbishkrimi i pretenduar se videoja paraqet Thaçin duke komentuar për Kurtin, mund të merret si i mirëqenë nga audienca.
Vegëza e video-materialit të publikuar nga llogaria “albinkurti_kryeminister” në TikTok:
Disa nga komentuesit në këtë publikim/shih foto:
Pas kontrollit me anë të makinave të kërkimit, hibrid.info ka gjetur në Youtube, video-materialin që paraqet një qytetar teksa e jep opinionin e tij për kryeministrin Albin Kurti, audioja e së cilës i është bashkangjitur videos të lartcekur, ku shfaqet ish-lideri i PDK-së (shih këtu).
Po ashtu hibrid.info e ka gjetur se edhe pamjet që shfaqin ish-kryeministrin Thaçi, janë marrë nga fjalimi i tij në Samitin e Diasporës të mbajtur në Tiranë, para pesë vitesh, në 2019 (shih këtu dhe këtu).
Analiza:
Mbishkrimi i një video-materiali ku shfaqet ish-presidenti Hashim Thaçi, që pretendon se në audio dëgjohet zëri i këtij të fundit teksa jep vlerësime për kryeministrin Albin Kurti, nuk pasqyron të vërtetën.
Hibrid.info ka gjetur se audioja është marrë nga një video-material tjetër nga një intervistë e shkurtër e një qytetari dhe i është vendosur këtij publikimi.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.