[email protected]
Kosova nuk është furnizuar me pajisje ushtarake turke “Boran 105mm”
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një video-materiali të postuar në Facebook është pretenduar se Ushtria e Kosovës është furnizuar me pajisje ushtarake nga Turqia “Boran 105”.

“Ushtria e Kosovës pajiset me topa “Boran 105mm”, prodhim Turk me një fuqi goditëse deri në 10 km”, është mbishkrimi që faqja “Me Albin Kurtin” ka përdorur në videon e publikuar më 20 gusht.

E vërteta?

Pas verifikimit të fakteve nga hibrid.info përmes makinave online të kërkimit, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në media kredibile se Kosova është furnizuar me pajisje të tilla ushtarake (shih këtu)

Hibrid.info ka kërkuar me termin “Boran” edhe në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës. As aty nuk është gjetur diçka që tregon se ka furnizime me pajisje të tilla (shih këtu).

Vegëza e publikimit:

https://archive.is/1mgBQ


Pretendim të ngjashëm për furnizim të tillë, hibrid.info ka trajtuar edhe në të kaluarën. Në shtator të vitit të shkuar ishte pretenduar se Kosova do të furnizohej në tetor (2023) me pajisje të tilla nga Turqia (shih artikullin). E në materialin e publikuar nga faqja “Me Albin Kurtin” në Facebook, ndër të tjera përdoret edhe fotografia që ishte përdorur edhe në rastin e shkuar. Fotografia ishte bërë gjatë një vizite që zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe FSK-së kishin bërë në shtator të vitit të shkuar në festivalin e teknologjisë dhe hapësirës ajrore “Teknofest” në Izmir të Turqisë (shih këtu).


Video e publikuar nga faqja “Me Albin Kurtin” në Facebook deri në momentin e trajtimit ka mbledhur më shumë se 140 mijë shikime, ka rreth 2700 pëlqime, më shumë se 270 komente e rreth 240 shpërndarje.


Analiza:

Faqja në Facebook me emrin “Me Albin Kurtin” ka pretenduar rrejshëm se Ushtria e Kosovës është pajisur me pajisje ushtarake turke “Boran 105mm”.

Nga verifikimi në makinat online të kërkimit, nuk është gjetur asnjë informacion i publikuar në media kredibile për një pretendim të tillë. Njoftim zyrtar nuk ka pasur as nga Ministria e Mbrojtjes. Pretendimi i ngjashëm ishte publikuar edhe vitin e shkuar.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje të publikuar në Facebook nga faqja “Lajme Nga Bota” si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »