[email protected]
Rritje e numrit të keqinformatave në TikTok
shape
shape
shape

Përgatiti: Fatbardh Dema

Monitorimi i keqinformatave në gjuhën shqipe të shpërndara në mediat sociale tregon një prirje të vazhdueshme të përdorimit të këtyre platformave për përhapjen e informacionit të pasaktë dhe manipulues.

Në raportin mujor të keqinformimit, realizuar nga hibrid.info, në muajin gusht, Facebook ishte platforma kryesore me 31% të totalit të publikimeve keqinformuese, duke dëshmuar se është ende një mjedis i gjerë ku përmbajtjet e pasakta mund të ndahen në masë të madhe nga përdoruesit.

TikTok, gjithashtu, luajti një rol të rëndësishëm, duke përfaqësuar 23% të publikimeve në këtë periudhë. Sidoqoftë, analizat e realizuara në shtator zbuluan një ndryshim domethënës, me TikTok që përjetoi një rritje të madhe dhe u bë platforma kryesore për shpërndarjen e keqinformatave, me 35% të totalit, ndërsa Facebook ra në vendin e dytë me 33%.

Nga raporti monitorues i keqinformimit për muajin gusht

Nga raporti monitorues i keqinformimit për muajin shtator


Në muajin gusht, 58% e keqinformatave u publikuan në mediat sociale, ndërsa 70% e tyre në muajin shtator.

Formati i TikTok promovon viralitetin, dhe keqinformatat në këtë platformë janë të afta të përhapen më shpejt përmes videove të thjeshta që përfshijnë interpretime të rreme të ngjarjeve aktuale. Fushat më të prekura përfshijnë politikën, ku përmbajtjet e keqinformuara lidhur me zgjedhjet, sondazhet dhe manipulimet e fakteve ishin më të shpeshta. Për më tepër, shqetësimet për sigurinë dhe spekulimet për armatosjen e FSK-së ishin gjithashtu tema të nxehta që kanë kontribuar në rritjen e përhapjes së dezinformatave.

Gjatë muajit shtator, përmbajtjet që përfshinin lajme të rreme lidhur me çështje zgjedhore dhe sondazhe të manipuluara, janë rritur ndjeshëm në TikTok.

Cilat ishin temat për të cilat u keqinformua më së shumti në Facebook dhe TikTok gjatë gushtit dhe shtatorit?

Muaji gusht

Facebook – Lajmet e rreme dhe ato të vlerësuara si lajm i rremë/mashtrim janë dy kategoritë kryesore me të cilat u vlerësuan keqinformatat e publikuara në Facebook. Siguria (11%), socialja (7%) janë dy fushat kryesore, për të cilat u keqinformua gjatë muajit gusht në Facebook. Temat kryesore për të cilat u keqinformuar më së shumti në Facebook janë armatosja e FSK-së, rasti i Faton Hajrizit dhe keqinformatat për hapjen e urës së Ibrit.

TikTok – Lajmet e rreme (17%) janë kategoritë që kanë dominuar në vlerësimin e përmbajtjeve keqinformuese. Sa i përket fushave, politika (8%) dhe siguria (8%) janë dy fushat për të cilat u keqinformua më së shumti në platformën TikTok. Armatosja e FSK-së dhe sondazhet zgjedhore janë dy temat për të cilat u keqinformua më së shumti në TikTok.

Muaji shtator

Facebook – Në Facebook socialja (11%), siguria (10%) dhe politika (10%) janë tri fushat kryesore për të cilat u keqinformua më së shumti. Nga këto fusha dominojnë keqinformatat e vlerësuara si mashtrim (11%), dezinformatë (10%) dhe lajm i rremë (8%). Temat e përmbajtjeve përfshijnë armatosjen e FSK-së (5%), rimbursimin e faturave elektrike (3%), pronat e financuara nga Serbia, mundësitë e punës, tërmetet, çmimet e biçikletave elektrike, zgjedhjet në SHBA, deklaratat e Clinton për politikanët kosovarë, përkatësinë fetare, gjuajtjet me armë zjarri në lagjen “Aktash” etj.

TikTok – Lajmet e rreme kanë dominuar në TikTok, duke përbërë 19% të përmbajtjeve. Dy fushat kryesore ku është shpërndarë keqinformimi në TikTok janë politika (19%) dhe siguria (14%). Sa i përket temave specifike, armatosja e FSK-së dhe sondazhet zgjedhore janë ato që kanë pasur më shumë përhapje.

Rritja e keqinformatave në TikTok, veçanërisht në shtator, dhe pozicioni i qëndrueshëm i Facebook tregojnë se mediat sociale mbeten kanale të fuqishme për përhapjen e informacionit të pasaktë.

Raportin e plotë monitorues të keqinformimit për muajin shtator mund ta gjeni këtu.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »