Shkroi: Fatbardh Dema
Një mesazh në aplikacionin për komunikim “WhatsApp” po u dërgohet qytetarëve të Kosovës, me pretendimin se i njëjti vjen nga platforma Facebook/META.
Përmes këtij mesazhi, i shkruar në gjuhën shqipe, pretendohet se përdoruesi ka shkelur standardet e komunitetit të Facebook, dhe bëhet thirrje të klikohet në një vegëz. Në të kundërtën thuhet se brenda 12 orëve do të çaktivizohet llogaria në këtë media sociale.

Çka qëndron prapa këtij mesazhi?
Vegëza e ofruar në përmbajtje është e dyshimtë dhe nuk vjen nga Facebook. Po ashtu, numri që ka dërguar këtë mesazh elektronik ka prefiksin e Vietnamit (+84).
Hibrid.info ka klikuar në vegëzën që ofrohet në këtë SMS, dhe rezultatet e para tregojnë se ajo është e dyshimtë. (këtu)
Për ta vërtetuar edhe më shumë kredibilitetin e kësaj faqeje, hibrid.info ka përdorur platformën për verifikimit të ueb-faqeve “Scamdoc.com” dhe rezultatet tregojnë se e njëjta është e dyshimtë dhe përmban “Malware”. (shih këtu)
Çka është “Malware”?
Malware ose aplikacion i dëmshëm është çdo softuer i krijuar qëllimisht për të shkaktuar ndërhyrje në një kompjuter, server, klient ose rrjet kompjuterik, rrjedhje informacioni privat, për të fituar akses të paautorizuar në informacion ose sisteme, për të privuar aksesin në informacion ose që pavetëdijshëm ndërhyn në sigurinë dhe privatësinë e pajisjes së përdoruesit.
Malware nuk është virus, por është një softuer/aplikacion i dëmshëm që pushton ose korrupton rrjetin tuaj kompjuterik. Qëllimi i malware është të shkaktojë dëme të parikuperueshme dhe të vjedhë informacione ose burime për përfitime monetare ose qëllime të dukshme sabotazhi.
Tipet e malware të zakonshëm përfshijnë viruse të tipit trojan, worms, spyware, adware dhe ransomware. (shih këtu dhe këtu)
Një tjetër dëshmi që ky mesazh elektronik nuk është dërguar nga Facebook, është edhe numri që shfaqet në SMS. Ky numër telefoni ka prefiksin +84, e që pas hulumtimit, hibrid.info ka vërtetuar se i njëjti i takon shtetit të Vietnamit. (shih këtu)
Facebook ka lëshuar njoftime për përdoruesit në lidhje me këto mesazhe të rreme, duke sqaruar se nuk duhet t’u besohet atyre. (shih këtu)
Ju mund t’i besoni një mesazhi nga platformat e META-s nëse adresat përfundojnë me:
- facebookmail.com (duke përfshirë priority.facebookmail.com )
- facebook.com (duke përfshirë support.facebook.com dhe developers.facebook.com )
- fb.com
- metamail.com
- meta.com
Analiza:
Një mesazh elektronik (SMS) iu është dërguar qytetarëve të Kosovës në WhatsApp, i cili është në gjuhën shqipe dhe pretendon të jetë nga Facebook/META.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se i njëjti nuk është dërguar nga Facebook dhe përmban një vegëz (link) të dyshimtë, si dhe “Malware” që është softuer dashakeq i zhvilluar nga hakerë për të vjedhur të dhënat dhe për të dëmtuar ose shkatërruar pajisje kompjuterike, serverë dhe sisteme kompjuterike.
Gjithashtu, numri që ka dërguar këtë SMS ka prefiksin e Vietnamit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë SMS si “Mashtrim”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.