info@hibrid.info
Përmes imazhit të manipuluar pretendohet rrejshëm se LDK e dërgoi në Kushtetuese vendimin e fundit qeveritar për ndarjen nga 100 euro
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Publikohet një imazh me mbishkrimin që pretendon se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët në Kosovë.

Përmbajtja është publikuar dje (22 dhjetor) në TikTok nga një llogari me emrin “toke.ilirodardane”.

A qëndron ky pretendim?

Hibrid.info ka gjetur se deri më tani LDK nuk e ka dërguar për shqyrtim vendimin në fjalë në institucionin përkatës.


Imazhi i paraqitur shfaq titullin e një artikulli të publikuar në mediumin online “telegrafi.com”. Hibrid.info ka kontrolluar në faqen e këtij portali, por nuk ka gjetur artikullin në fjalë.

Hibrid.info ka gjetur një artikull në faqen e këtij mediumi, titulli i të cilit nis me fjalinë “Edhe LDK e dërgon në Gjykatën Kushtetuse”, por teksti në fjalë jep lajmin për Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ligj i cili ishte ankimuar nga ky subjekti i dytë opozitar.


Çka do të thotë se ky imazh mund të jetë manipuluar, në mënyrë që të shfaqet në formën siç është paraqitur në përmbajtjen e trajtuar.

Hibrid.info po ashtu ka hulumtuar përmes makinës së kërkimit, “Google”, për të njëjtin pretendim, por rezultatet nuk kanë shfaqur asnjë artikull ku konfirmohet pretendimi i trajtuar.


Analiza:

Pretendimi se LDK e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për ndarjen prej 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët në Kosovë, është i pasaktë.

Ky pretendim është shfaqur përmes një imazhi të manipuluar, që paraqitet si artikull i publikuar nga “telegrafi.com”.

Po ashtu, nuk ka burim kredibil që e konfirmon pretendimin.

Andaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin si “Mashtrim” dhe “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato përmbajtje informative që janë tërësish të sajuara apo të cilat në vete përmbajnë pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »