info@hibrid.info
Abdixhiku nuk ka thënë se LDK-së i takojnë të tre postet udhëheqëse
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

Është publikuar një imazh që shfaq Lumir Abdixhikun, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me mbishkrimin që pretendon se ai ka deklaruar, “Jemi partia e tretë në vend dhe rrjedhimisht na takojnë 3 postet udhëheqëse: presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri”.

Kjo përmbajtje është gjetur e publikuar (16 mars) në Facebook, në një faqe me emrin “75% për Albinin”.

A ka thënë Abdixhiku kështu?

Hibrid.info ka gjetur se Abdixhiku nuk ka deklaruar ashtu siç është pretenduar.


Deri në momentin e trajtimit, përmbajtja në fjalë ka marrë mbi 200 pëlqime dhe mbi 320 e komente.


Hibrid.info ka gjetur konferencën për media të Abdixhikut, prej nga është shkëputur imazhi. Konferenca është e datës 10 mars, pas mbledhjes së kryesisë së subjektit që drejton Abdixhiku (shih këtu).

Pas kontrollit të përmbajtjes së videos, është gjetur se kryetari i LDK-së është shprehur se LDK nuk do të jetë pjesë e çfarëdo zgjidhje ku nuk udhëheqë me qeverinë dhe nuk synon të punojë për një qeveri afatshkurtër, pasi që e vlerëson se një gjë e tillë nuk sjellë stabilitet qeveritar.

Gjithashtu ai ka treguar se pozicioni i LDK-së mbetet që ata të qëndrojnë në opozitë, duke kërkuar që sipas afateve kushtetuese, subjekti i parë i renditur nga zgjedhjet e 9 shkurtit, të fillojë me procedurat e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë.

Këto deklarata konfirmohen edhe nga komunikata pas kësaj konference e publikuar në faqen zyrtare të LDK-së në Facebook (shih këtu) dhe nga raportimet e mediave në gjuhën shqipe (shih këtu, këtu dhe këtu).

Çka e vërteton se Abdixhiku ka kushtëzuar vetëm me postin e kryeministrit.

Gjithashtu, hibrid.info ka gjetur se ky pretendim është publikuar në formatin të cilin e përdor për postime në Facebook, portali “korrektpress.net” (këtu).

Por, në postimet e kësaj faqe të kësaj date, nuk është gjetur pretendimi i trajtuar (shih këtu).


Analiza:

Pretendimi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se pas zgjedhjeve, subjektin që ai e udhëheq, i takojnë pozitat e presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, nuk është plotësisht i saktë.

Abdixhiku e ka kushtëzuar bashkëpunimin me partitë tjera opozitare vetëm me postin e kryeministrit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson si “Dezinformatë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Leave a Reply

Translate »