[email protected]
Aksioni i AKP-së në veri paraqitet pa fakte si “vazhdim i terrorit të Kurtit”
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet titujve në artikuj, tri mediume në gjuhën serbe e kanë paraqitur si “vazhdim të terrorit të Kurtit” aksionin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për t’i marrë nën posedim objektet që shfrytëzoheshin nga Banka Postare Kursimore në veri të Kosovës.

Titujt e mediumeve në gjuhën serbe “novosti.rs”, “b92.net” dhe “alo.rs” nisin me “Nuk ka fund për terrorin e Kurtit”, “Vazhdon terrori i Kurtit në kosovë” e “Terrori i Kurtit në Leposaviq nuk ndalet”.

Artikujt u publikuan të enjten, 18 korrik.

Çka nuk shkon me këta tituj?

Si vazhdimësi e narrativës që po bëhet në Serbi se në Kosovë po kryhet terror ndaj serbëve, as në këtë rast mediat në fjalë nuk kanë ofruar fakte për një pretendim të ngjashëm. Ato e përmendin “terrorin” e kryeministrit Albin Kurti vetëm në tituj.

Në raportime, mediat në gjuhën serbe kanë publikuar letrën e vendosur nga AKP-ja në objektet e filialeve në Zubin-Potok, Zveçan e Leposaviq.

“Nuk ka fund për terrorin e Kurtit: Një paralajmërim është vendosur në hyrje të Bankës Postare të Kursimeve në Leposaviq”, mban titullin e plotë artikulli i “novosti.rs”. “Terrori i Kurtit vazhdon në Kosovë: Në Leposaviq, një paralajmërim u vendos në dyert e bankës serbe”, është titulli i përdorur nga “b92.net” dhe “Terrori i Kurtit në Leposaviq nuk ndalet: Një paralajmërim u vendos në hyrje të Bankës Postare të Kursimeve” është titulli i “alo.rs”.


Çka shkruan në letrën e AKP-së?

Në letrën e vendosur në hyrje të objektit në Zubin-Potok, AKP-ja ka njoftuar se ky objekt është nën menaxhim të saj dhe se çfarëdo përpjekje për të hyrë në objekt pa autorizim, konsiderohet shkelje dhe se do të ndërmerren masa sipas Kodit Penal të Kosovës. AKP-ja ka thënë po ashtu se përdoruesi ilegal i objektit është i obliguar të njoftojë autoritetet brenda 10 ditësh në mënyrë që t’i heqë sendet, ose AKP-ja nuk do të marrë përgjegjësi për largimin e tyre pas afatit kohor të dhënë.

AKP-ja ka dalë të enjten me njoftim edhe në faqen e vet në Facebook. Sipas njoftimit, asetet që tash i ka marrë nën posedim, shfrytëzoheshin paligjshëm nga Banka Postare Kursimore deri në fund të majit, kur u mbyll nga autoritetet e Kosovës.

Komunikata e AKP-së:

“Në vazhdën e vendosjes së ligjshmërisë dhe administrimit të ligjshëm të aseteve në pronësi shoqërore, Agjencia Kosovare e Privatizimit, me asistencë të Policisë së Kosovës, ka marrë në posedim objektet e N.Sh. Jugobanka, respektivisht filialet në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq. Këto asete kanë qenë duke u shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme nga Banka Posta Kursimore sh.a. (Banka Postanska Stedionica a.d.) deri më datë 20 maj 2024, kur institucionet kompetente të Republikës së Kosovës kanë mbyllur këto njësi të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica). AKP falënderon policinë e Kosovës dhe institucionet tjera relevante për asistimin dhe mundësimin e zbatimit të mandatit të saj ligjor në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”

Më 20 maj 2024, Policia e Kosovës pati njoftuar për mbylljen e gjashtë njësive të kësaj banke në veri të Kosovës. Sipas njoftimit të Policisë, filialet po vepronin ilegalisht në këtë zonë të Kosovës. Policia pati thënë se ka vepruar me autorizim të prokurorit kompetent, pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare si Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës (shih këtu).

Po atë ditë, Policia njoftoi se janë konfiskuar si prova materiale edhe rreth 1.6 milionë euro, 74 milionë dinarë, rreth 19500 franga, gati 14 mijë dollarë e rreth 40 dollarë australianë dhe dokumentacione e prova që lidhen me rastin (shih këtu).

Aksioni ishte zhvilluar një javë pasi Banka Qendrore pati njoftuar se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren që e ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerje pagesash. Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

Hibrid.info në disa raste ka trajtuar pretendimet e mediave apo autoriteteve serbe për “terror në Kosovë”. Në shumë raste, veprimet e autoriteteve të Kosovës janë paraqitur si përpjekje për t’i dëbuar serbët nga veriu i Kosovës. Në të gjitha këto raste, raportimet nuk janë mbështetur në fakte (shih këtu, këtu, këtu dhe këtu)


Analiza:

Tri mediume në gjuhën serbe kanë pretenduar se marrja nën administrim të AKP-së të disa filialeve të Bankës Postare Kursimore në veri të Kosovës është “vazhdim i terrorit të Kurtit”.

Për pretendimin e bërë në tituj, asnjëri nga mediumet në fjalë nuk është mbështetur në fakte.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson titujt e “novosti.rs”, “b92.net” dhe “alo.rs” si  “Teori Konspirative”.

Arsyetimi:

Vlerësim si “Teori konspirative” marrin ato përmbajtje informative të cilat në vete përmbajnë një përshkrim të rremë ose të paverifikueshëm të një dukurie, ngjarje ose një personi, duke e paraqitur atë si pjesë ose rezultat të një plani të fshehtë (“komplot”). Karakteristikë e këtyre përmbajtje është se ato paraqesin një seri pretendimesh, të paraqitura si fakte, midis të cilave vendosen marrëdhënie shkak-pasojë, pa ofruar ndonjë provë të besueshme.

Share With Others

Translate »