Shkroi: Fatbardh Dema
Faqet në Facebook “Kaçaniku 05” dhe “Bota e Lajmeve” kanë publikuar me datë 12 prill një video-material në të cilin paraqiten disa automjete ushtarake.
Me anë të kësaj videoje, faqet e lartcekura pretendojnë se janë pajisje për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), duke i vendosur mbishkrimin “Forcohet Ushtria e Kosovës”.
Pas kontrollit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se automjetet që shihen në video-material janë të forcave të armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë “Bundeswehr”.
Vegëza e postimit të publikuar në Facebook nga faqet “Kaçaniku 05” dhe “Bota e Lajmeve”:
https://www.facebook.com/100063812732113/videos/1140950810439217/
Në video-material janë vërejtur emra dhe simbole, të cilat pas verifikimit përmes makinave online të kërkimit, kanë rezultuar se i takojnë forcave të armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë “Bundeswehr”.
Në njërin nga automjetet shihet emërtimi “Feldjäger”, e që pas hulumtimit, është vërtetuar se i përket policisë ushtarake gjermane. (shih këtu dhe këtu)
Fotografia 1. Pamje nga video e publikuar nga faqet në Facebook / Fotografia 2. Foto e marrë nga uebfaqja zyrtare e forcave të armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë “Bundeswehr”
Ndërsa në një automjet tjetër ushtarak, është vërejtur një simbol. Pas verifikimit përmes programit të automatizuar “InVID”, u vërtetua se simboli i përket forcave të armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë “Bundeswehr”. (shih këtu dhe këtu)
Fotografia 1. Pamje nga video e publikuar nga faqet në Facebook – Fotografia 2. Foto e marrë nga uebfaqja zyrtare e forcave të armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë “Bundeswehr”
Në njoftimet Ministrisë së Mbrojtjes, për të cilat hibrid.info ka hulumtuar, nuk ka lajme që konfirmojnë pretendimin e faqeve të lartcekura. (shih këtu)
Hibrid.info ka hulumtuar me anë të makinës së kërkimit “Google”, mbi informacionet e fundit rreth pajisjes së FSK-së me mjete ushtarake, dhe ka gjetur postimin e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili me datë 11 prill përmes llogarisë së tij zyrtare në Facebook ka njoftuar se kanë pranuar donacionin e radhës të Republikës Federale të Gjermanisë, kamionë ushtarak të kompanisë Rheinmetall MAN, në vlerë prej 2.7 milionë euro. (këtu)
Analiza:
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një video-material me pamje që shfaqen automjete me emërtim dhe simbol të forcave të armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë “Bundeswehr”, duke pretenduar rrejshëm se automjetet janë për FSK-në.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson pretendimin e faqeve “Kaçaniku 05” dhe “Bota e Lajmeve”, si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.