Artikulli me titull “Borell : Kosova pritet ne kete data te marre liberalizimin e vizave , i kane plotesuar te gjitha kushtet” është publikuar nga portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “news426media.com”.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli në këtë artikull është i sajuar. Në fakt, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, nuk ka dhënë datë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Borell foli pas darkës jo formale që u mbajt dje (16 maj) në Bruksel, ku pjesëmarrës ishin edhe gjashtë ministrat e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, tha se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave dhe se një gjë e tillë duhet të bëhet sa më parë.
“Nuk mund t’ju premtoj se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave sepse një vendim i tillë merret nga shtetet anëtare. Por mund të them se nga ana ime dhe nga Komisioni Europian që e përfaqësoj, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe është koha e duhur që të lëvizet dhe të përfundohet me pengesa teknike”, deklaroi Borrell.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “news426media.com”:
Artikulli me titull të sajuar është shpërndarë edhe në Facebook nga faqja “KOHA E RE”, e cila numëron afër 7 mijë ndjekës. (shih këtu)
Disa nga mediat online që kanë raportuar saktë lidhur me këtë deklaratë të shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, mund t’i gjeni këtu dhe këtu.
Analiza:
Portali i dyshimtë “news426media.com” ka publikuar një deklaratë të shefit të diplomacisë së BE-së Josep Borrell, i cili dje (16 maj) tha se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.
Megjithatë, ai nuk ka dha ndonjë datë se kur pritet të ndodhë një gjë e tillë, siç pretendohet rrejshëm në titullin e këtij artikulli. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
“Clickbait” janë ato tekste titulli i të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.