Shkroi: Fatbardh Dema
Mbrëmë në një emision debatues politik të një televizioni privat në Kosovë u bë një deklaratë e paargumentuar në lidhje me bashkëshorten e kryeministrit Albin Kurti, Rita.
Branisllav Kërstiq (Branislav Krstic), si figurë publike dhe opionbërëse, në emisionin e mbrëmshëm (25 nëntor) “Politico” të televizionit “Kanal 10”, ka pretenduar se Rita Augestad Knudsen “jeton dhe punon në Beograd”.
“Gruaja e kryeministrit ynë je është i punësuar në Beograd dhe je tu jetu në Beograd” (e përshtatur: Gruaja e kryeministrit tonë është e punësuar në Beograd dhe është duke jetuar në Beograd), ishte një pjesë e deklaratës së Kërstiqit, e bërë mbrëmë në “Politico”.
Çka nuk shkon me këtë deklaratë?
Pretendimi i gazetarit dhe opinionistit Kërstiq se bashkëshortja e kryeministrit Kurti jeton dhe punon në Beograd, është deklaratë e paargumentuar, meqenëse nuk e bazon në fakte për ta argumentuar atë.
Deklaratën e gazetarit dhe opinionistit Kërstiq e kanë ritransmetuar edhe mediat tjera në vend, të cilat nuk e kanë verifikuar pretendimin e tij me të dhëna mbështetëse. (shih disa këtu, këtu, këtu dhe këtu)
Çka dihet për Rita Augestad Knudsen?
Aktualisht, bazuar në formularin e vitit 2024 për deklarim të pasurisë të kryeministrit Albin Kurti, bashkëshortja e tij Rita e ka të deklaruar vetëm një burim të hyrash dhe është nga agjencia qeveritare “NUPI” (Instituti Norvegjez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare).
Për sqarim, sipas të dhënave publike, instituti NUPI nuk posedon degë në Beograd, por bashkëpunon me Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë (BSCP) për disa vite.
Sipas kërkimeve online që hibrid.info ka bërë, del se drejtues i BSCP-së në Beograd është Igor Bandoviq. Po sipas kërkimeve online, emri i tij nuk është i asociuar në asnjë rast me emrin Rita Augestad Knudsen.
Analiza
Gazetari dhe opinionisti Branislav Kërstiq ka bërë mbrëmë një deklaratë të paargumentuar në lidhje me bashkëshorten e kryeministrit Albin Kurti, Rita Augestad Knudsen. Ai pretendoi se e njëjta jeton dhe punon në Beograd.
Kjo deklaratë është e paargumentuar, pasi ai në asnjë rast nuk ka dhënë asnjë argument për këtë deklarim.
Gjithashtu, mediat në vend e kanë transmetuar deklaratën e Kërstiqit pa e verifikuar të njëjtën.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info vlerëson këtë përmbajtje si “Përmbajtje e paverifikuar” dhe “Deklaratë e paargumentuar”.
Arsyetimi:
Deklaratë e paargumentuar, është vlerësimi për deklaratat që figurat politike e publike me ndikim në opinion i bëjnë me pretendime që nuk mbështeten në fakte.
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre përmbajtjeve informative që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur të verifikohen për shkak të rrethanave të caktuara (shpejtësisë, mungesës së burimeve) gjatë publikimit të përmbajtjes.