info@hibrid.info
Deklaratë e paargumentuar e Petkoviqit se shpërthimi në Zubin-Potok jep alibi për “të vazhduar persekutimin e serbëve”
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Nëpërmjet një deklarate është pretenduar se shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok i jep alibi kryeministrit të Kosovës Albin Kurti “për të vazhduar persekutimin e serbëve”.

Deklarata u dha nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, më 30 nëntor, në ueb-faqen e kësaj zyre.

Pjesa e deklaratës së Petkoviqit, që përmend Kurtin dhe autoritetet e Kosovës:

“Një dëm i tillë i papranueshëm në fakt i jep Kurtit një alibi për të vazhduar persekutimin e serbëve dhe sulmin ndaj Beogradit. Ishte çështje kohe se kur Kurti do t’i drejtohej propagandës së re në mënyrë që të forcojë aktivitetet e tij në fushatën zgjedhore. Për ta vazhduar pushtimin e mëtejmë të veriut, Kurtit i duhej një mënyrë për të dërguar ekipe të reja të policëve shqiptarë në veri dhe për të vazhduar militarizimin dhe fortifikimin e mëtejmë të veriut të Kosovës e Metohisë.

Në ditët e fundit, me akte të dhunshme dhe njëanshme të cilat Kurti po i implementon në veri, në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, duke vendosur gur themelin për ndërtimin e një baze të re policore dhe provokime të ndryshme me rastin e ditës së flamurit shqiptar, Kurtit i duhej të shpejtonte persekutimin e serbëve”.

Çka nuk shkon me këtë deklaratë?

Pretendimi i Petkoviqit se shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok do të shërbejë si alibi “për vazhdim të persekutimit të serbëve” në veri të Kosovës, është e paargumentuar, meqenëse nuk e bazon në asnjë fakt.

Hibrid.info ka trajtuar në disa raste deklaratat e pabaza të Petkoviqit dhe zyrtarëve të tjerë të Serbisë se “serbët në veri po persekutohen” nga institucionet e Kosovës. (shih këtu, këtu dhe këtu)

Përderisa Petkoviqi ka pretenduar se rasti i hap rrugë dërgimit të më shumë forcave policore të Kosovës në veri, ka qenë Policia e Kosovës që në një njoftim publik rreth gjysmë ore më herët se shpërthimi në Ibër-Lepenc, njoftoi për rritje të masave të sigurisë pas incidenteve të natyrave të ndryshme ditëve të fundit. Në këtë rast, Policia njoftoi se do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin (njoftimi i Policisë)

Deklarata e Petkoviqit u publikua edhe nga disa media në gjuhën serbe (shih këtu, këtu dhe këtu)


Çka dihet për shpërthimin në këtë kanal?

Sipas Policisë së Kosovës, dëmtimi i infrastrukturës kritike të kanalit të ujit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut në veri të Kosovës ka ndodhur rreth orës 19:00 të premten (29 nëntor). Policia e Kosovës ka thënë se janë ndërmarrë masat e sigurisë e se po kryhen hetime intensive për rastin. Po ashtu ka bërë të ditur se shtuar masat e sigurisë në lokacionet e ndjeshme. Sipas hetimeve fillestare, dyshimet janë se sulmi ka qenë i qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv nga individ apo grup kriminal (njoftimi i Policisë)


Analiza:

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit i jep alibi autoriteteve të Kosovës për “vazhdim të persekutimit të serbëve” në veri.

Por, Petkoviq nuk ka ofruar asnjë argument për këtë deklaratë. Hibrid.info ka trajtuar në të kaluarën disa deklarata të pabazuara në fakte të tij dhe të zyrtarëve të lartë serbë për “persekutim të serbëve”.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info vlerëson këtë përmbajtje si “Përmbajtje e paverifikuar”.

Arsyetimi:

Deklaratë e paargumentuar, është vlerësimi për deklaratat që figurat politike e publike me ndikim në opinion i bëjnë me pretendime që nuk mbështeten në fakte.

Share With Others

Translate »