info@hibrid.info
Dezinformohet për largimin e ushtarëve amerikanë dhe mbylljen e bazës ushtarake në Kosovë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Një opinion i një profesori amerikan, i cili flet për zgjedhjet në ShBA dhe ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, specifikisht në Kosovë, është transmetuar si punë e kryer.

“LAJM I KEQ/ Largohen amerikanët, mbyllet baza ushtarake në Kosovë”, është titulli i artikullit të publikuar sot (5 nëntor) në portalin me përmbajtje në gjuhën shqipe, “ntv.al”.

Si qëndron e vërteta?

Pas kontrollit të fakteve, u vërtetua se titulli nuk i përgjigjet përmbajtjes. Vetëm kur klikohet në artikull, sqarohet se kjo është një deklaratë e bërë nga profesori amerikan David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias.

Phillips në një prononcim për Radio Evropa e Lirë (REL), kishte thënë se pret që nëse Donald Trump rizgjidhet president i ShBA-së, baza ushtarake amerikane në Kosovë, Bondsteel të eliminohej gradualisht.


Pas hulumtimit të kryer online, hibrid.info ka vërtetuar se artikulli i publikuar në “ntv.al” së pari u publikua nga Radio Evropa e Lirë, por që portali që e ritransmeton deklaratën e profesorit Phillips, ia ndryshon titullin. (shih këtu)

REL e ka publikuar artikullin me datë 3 nëntor me titull “Me Harrisin pak pritje për Kosovën, me Trumpin turbullira”.


Çka tha Phillips për REL-in?

“Një nga gjërat e para që Trump do të bëjë, është vlerësimi i politikës amerikane dhe i interesave të sigurisë. Unë do të prisja që [baza ushtarake amerikane në Kosovë] Bondsteel të eliminohej gradualisht. Gjithashtu, çdo hap për ta futur Kosovën në NATO, do të pezullohej”, tha ndër të tjera Phillips për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.


Artikulli nga ntv.al është publikuar edhe në kanalin “NTV Televizion” në YouTube, me titull të njëjtë: “LAJM I KEQ/ Largohen amerikanët, mbyllet baza ushtarake në Kosovë”.


Analiza:

Pretendimi “Largohen amerikanët, mbyllet baza ushtarake në Kosovë”, i publikuar në portalin “ntv.al”, nuk është i saktë.

Bëhet fjalë për një deklaratë të bërë nga profesori David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias, i cili kishte thënë se në rast që Trump rizgjedhet president i ShBA-së, pret që baza ushtarake amerikane në Kosovë “Bondsteel” të eliminohej gradualisht.

Ndërsa, titulli i vendosur në artikullin e “ntv.al”, e bënë këtë deklaratë si fakt të kryer.

Prandaj, bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Dezinformatë” dhe “Clickbait”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

“Clickbait” vlerësohen ato përmbajtje informative titulli i të cilave është përgjithësues dhe nuk bënë të ditur vendndodhjen e ngjarjes, kontekstin dhe relevancën. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës me tituj sensacionalë me pasojë çorientuese, që nuk e qartësojnë saktësisht përmbajtjen e artikullit. Titujt “clickbait” bëhen kryesisht për të tërhequr lexueshmëri në rastin e publikimeve mediatike dhe/ose për të fituar nga klikimet në rastet e publikimeve komerciale.

Share With Others

Translate »