Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “todaynews80.com” ka publikuar një artikull me titull “Mesimi do te filloj ja data!”.
Hibrid.info pasi ka verifikuar faktet në këtë artikull, ka vërtetuar se titulli është i sajuar dhe nuk përputhet me përmbajtjen.
Lajmi ka të bëjë me kërkesën e SBAShK-ut drejtuar anëtarësisë për pezullimin e grevës deri në janar, e të fillohet me mësim nga data 3 tetor.
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, ky portal i dyshimtë këtë artikull rezulton ta ketë marrë nga mediumi online “Nacionale.com”, e më pas i ka ndryshuar titullin me pretendimin e rremë se mësimi do të fillojë.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin e dyshimtë “todaynews80.com”:
Ky artikull me titull të sajuar është shpërndarë në rrjetin social Facebook nga faqet “Post Lajme” dhe “Post Lajmee”.
Për mediumin online “Nacionale.com” ka folur kryetari i Këshillit Grevist të SBAShK-ut, Reshit Kushaj, i cili tha se anëtarësisë i kanë dhënë kohë dy ditë për t’u përgjigjur dhe për të vendosur për pezullim të grevës deri në janar dhe të fillojë mësimi nga 3 tetori. (shih këtu)
“Ne jemi në grevë sikur dje, takimet i kemi ditore. Risi është se anëtarësia do të përgjigjet një për një çka më tutje, a do të vazhdojmë me grevën apo do ta pezullojmë përkohësisht atë. Nga anëtarësia do të presim sot dhe nesër përgjigje e pas kësaj do të dalim me qëndrim. Duke u nisur nga kjo këshilli grevist i SBASHK-ut po kërkon nga anëtarësia mendim për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t’i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”, tha Kushaj.
Pra, nuk ka ende datë të saktë se kur do të fillojë mësimi, siç pretendohet rrejshëm në titullin e artikullit të publikuar nga portali i dyshimtë “todaynews80.com”.
Analiza:
Portali i dyshimtë “todaynews80.com” ka publikuar artikullin që ka të bëjë me kërkesën e SBASHK-ut drejtuar anëtarësisë së tyre për pezullim të grevës dhe se mësimi të fillojë më 3 tetor.
Ndërsa këtij artikulli, ky portal i dyshimtë i ka vënë titullin e sajuar “Mesimi do te filloj ja data!”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.