Disa faqe në Facebook kanë publikuar me 6 dhe 7 shkurt një fotografi të ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, të cilës i kanë vënë përshkrimin “Prof.Hajredin Kuçi fillon punën në mbrojtje të ish-ushtarëve të UÇK-së!”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, kuptohet se ky imazh është i vjetër, i publikuar në shkurt të vitit 2022. Gjithashtu, Kuçi nuk ishte angazhuar si pjesë e mbrojtjes e të gjithë ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), siç pretendohet, por atëkohë ishte bërë pjesë e mbrojtjes së Kadri Veselit në Gjykatën Speciale në Hagë.
Vegëzat e postimit në Facebook nga faqet “Skenderaj.info”, “Shekulli.info” dhe “Prishtina”:
Postimi i kësaj fotografie nga faqet e lartcekura, duket se është marrë si i mirëqenë nga lexuesit, pasi kanë arritur të grumbullojnë mijëra reagime e qindra komente në këtë imazh. (shih fotografitë më poshtë)

Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit, hibrid.info ka arritur të vërtetojë se fotografia e Kuçit është marrë nga artikujt e publikuar në shkurt të vitit 2022, në disa media online. (shih këtu dhe këtu)
Gjithashtu, në këta artikuj qartësohet se ish-ministri i Drejtësisë ishte bërë pjesë e mbrojtjes së Kadri Veselit në Gjykatën Speciale në Hagë, e që kjo ishte konfirmuar nga avokati i këtij të fundit, Ben Emmerson.
Analiza:
Disa faqe në Facebook kanë publikuar një imazh të Hajredin Kuçit të realizuar në ambientet e Gjykatës Speciale në Hagë, me pretendimin se ish-ministri i Drejtësisë ka filluar punën në mbrojtje të ish-ushtarëve të UÇK-së.
Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se fotografia është e publikuar në shkurt të vitit 2022, atëkohë kur Kuçi ishte bërë pjesë e mbrojtjes së Kadri Veselit në Gjykatën Speciale në Hagë.
Pra, pretendimi i bërë nga faqet e lartcekura është i pasaktë. Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson atë si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.