Disa media online në Kosovë në faqet e tyre në Facebook dje (6 nëntor) kanë publikuar një fotografi të flamurit të Kosovës, i cili shihet i shfaqur brenda një objekti, e që sipas tyre kjo ka ndodhur pas fitores së ekipit kosovar, Bad News Eagles ndaj ekipit numër një në botë – FaZe Clan, në turneun Major e lojës kompjuterike “CS:GO” që po mbahet në Brazil.
Mirëpo, kjo fotografi nuk ishte e kësaj ngjarje, por ajo ishte realizuar në ngjarjen “ExpoDubai”.
Këtë e ka konfirmuar vetë realizuesi i saj, fotografi Arben Llapashtica, i cili përmes llogarisë së tij në Facebook tha se shumica e mediave serioze kanë rënë pre e kësaj fotografie dhe pa e verifikuar kanë vazhduar ta publikojnë.
Megjithatë, këto media online e kanë fshirë fotografinë në fjalë, por që hibrid.info ka arritur t’i sigurojë ato (screenshot).
Më poshtë mund t’i gjeni postimin e kësaj fotografie nga mediat online si: “Paparaci”, “GazetaBlic Sport”, “Zëri”, “RTV Dukagjini”, “Tëvë” dhe “Front Online”.

Sqarimin e fotografit Arben Llapashtica se fotografia në fjalë nuk i përket ngjarjes së mbrëmshme të fitores së ekipit “Bad News Eagles” mund ta gjeni këtu.
Pre e kësaj fotografie ka rënë edhe një faqe tjetër në Facebook me emrin “Kosovali”, e cila është llogaria e portalit informativ në gjuhën turke “Kosovali.net”. (shih këtu)
Analiza:
Disa media online kanë rënë pre e një fotografie, e cila është realizuar në ngjarjen “ExpoDubai”, ndërsa është paraqitur si e ngjarjes së mbrëmshme pas fitores së ekipit kosovar, Bad Neës Eagles ndaj ekipit numër një në botë – FaZe Clan në lojën kompjuterike CS:GO.
Këtë e ka konfirmuar realizatori i kësaj fotografie, Arben Llapashtica.
Hibrid.info pas hulumtimit të kryer ka vërtetuar se të gjitha këto portale në gjuhën shqipe e kanë fshirë këtë postim, por që ato janë siguruar me kohë në mënyrë “screenshot”.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info i vlerëson këto pastime si “Përmbajtje e pa verifikuar”.
Arsyetimi:
Vlerësimi “I pa verifikuar” u bëhet atyre raporteve mediatike që nuk ofrojnë informata të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet e bëra në raport, dhe të cilat nuk kanë mundur konfirmojnë të njëjtat për shkak të mungesës ose mos-posedimit të burimeve të besueshme.