[email protected]
Rishikimi i javës: përmbajtje të pa verifikuar lidhur me dronët, manipulim të fakteve dhe lajme të rreme për të moshuarën e dhunuar fizikisht
shape
shape
shape

Java që shkoi u karakterizua me një dominim të përmbajtjeve të pa verifikuara në ekosistemin keqinformues në Kosovë. Në përmbajtje të pa verifikuar u përfshinë artikuj që kishin të bënin me pretendimet e mediave dhe zyrtarëve në lidhje me dronët, si dhe me dëmtimin e varrezave dhe mbishkrimin UÇK në vendbanime me shumicë serbe.

Gjatë javës që shkoi kishte edhe clickbait artikujt, që ndërlidhesin kryesisht me problemin e Instagramit, dhe kryeministrit malazez Abazoviç.

Sa i përket manipulimit të fakteve, disa media serbe dhe spanjolle kanë manipuluar me faktin se e moshuara e dhunuar fizikisht në shtëpinë e pleqve është serbe.

Lajme të rremë se Halil Kastrati ka strehuar të moshuarën edhe dhunuar fizikisht si dhe për ndihma financiare për shtresën e pensionistëve dhe përfituesve të ndihmave sociale.

Clickbait

Faqja “Lexo Sot” në Facebook ka publikuar një lajm të vjetër të muajit shkurt, atëkohë kur Gjermania ka paralajmëruar një ofensivë dëbimesh ndaj emigrantëve të huaj. Kjo faqe është munduar që këtë artikull ta paraqesë si aktual. (këtu)

Disa portale në Kosovë kanë publikuar një artikull lidhur me problemet e shfaqura në rrjetin social “Instagram”, duke mos lënë qasje në llogari shumë përdoruesve në mbarë botën. Mirëpo, këtij artikulli, portalet e lartcekura i kanë vënë titull jo adekuat me pretendimin se “kosovarëve po u mbyllet me të madhe Instagrami”, duke lënë të kuptohet se ky problem ka të bëjë vetëm me përdoruesit nga Kosova. Gjithashtu, këtë pretendim, këto portale nuk e argumentojnë me asnjë fakt apo të dhënë shtesë. (këtu)

Disa portale kanë publikuar një artikull lidhur me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili i dha pasaportën e këtij shteti ish-basketbollistit serb, Vlade Divac. Mirëpo, në titull këto portale ju referuan Abazoviqit si kryeministër shqiptar. Në përkufizimin “shtet komb” i bie që Abazoviq të jetë kryeministër malazaez, ndërsa si kryeministër shqiptar njihet vetëm ai i Shqipërisë, Edi Rama. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar/ dezinformatë

Televizioni shtetëror serb “RTS” ka publikuar artikuj ku jo zyrtarisht mëson se “disa dronë kanë vëzhguar ushtrinë serbe afër të vendosur në disa pika kufitare me Kosovën. Për pretendimet e pabazuara të televizionit publik serb u deklaruan presidenti serb Vuçiq i cili për “dronët e armikut” i dha urdhër gatishmërie Ushtrisë. Megjithatë, përpos që nuk paraqesin fakte që dëshmojnë prezencën e këtyre dronëve, tre udhëheqësit politikë e institucionalë serbë, japin verzione të ndryshme për rrjedhjen e ngjarjes. Vuçiq i quan si “fluturake të armikut”, por pa e përkufizuar se kujt i drejtohet me këtë term, Bërnabiq e ndërlidh këtë me ngjarjet në Kosovë, por pa e thënë se kush i ka lëshuar në fluturim ato mjete, ndërsa Vuçeviq thotë se këta dronë kanë ardhur nga Kosova, por nuk dihet se të kujt janë. Për pretendimet e mediumit dhe zyrtarëve ka reaguar ministri i mbrojtjes i republikës së Kosvës, Armend Mehaj, i cili i ka përgënjeshtruar pretendimet për gjoja lëvizjen e dronëve të panjohur nga territori i Republikës së Kosovës mbi vendbanimin e Rashkës. (këtu)

Përmbajtje e pa verifikuar

Mediumet në gjuhën serbe kanë publikuar deklaratën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në lidhje me mbishkrimin UÇK në murin e shtëpisë së një familjes serbe në fshatin Suhodoll të Lipjanit. Zyra për rastin i bënë fajtorë shqiptarët “ekstremist e huliganë” të frymëzuar nga lëvizjet antiserbe të Prishtinës zyrtare dhe të planifikuara me qëllim të dëbimit të tyre. Bazuar në analizën e fakteve, rezulton që ky pretendim i këtij institucioni serb, të vlerësohet si “përmbajtje e pa verifikuar”. (këtu)

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një video material të dëshmorit të UÇK-së në luftën e fundit në Kosovë, Fitush Kukaj, të cilin e kanë paraqitur rrejshëm si Taulant Nura, djali i ndjerë i gruas që u sulmua fizikisht nga një infermiere në shtëpinë e të moshuarve në Pejë “Orenda”. (këtu)

Mediat serbe kanë publikuar artikuj  me pretendim se është neutralizuar një nga fluturaket pa pilotë (dronë), që kanë fluturuar pranë kazermave të ushtrisë serbe, të vendosura në disa pika pranë kufirit me Kosovën. Pretendimet e mediave serbe bazohen në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë dhe deklaratën e ministritë të kësaj ministrie, Millosh Vuçeviq. Përpos që nuk paraqesin fakte që dëshmojnë rrëzimin e dronit, ministria dhe ministri i saj, japin versione të ndryshme mbi identitetin e dronit. Përderisa ministria dronin e identifikon si “komercialë”, ministri i saj thotë se vazhdojnë në identifikimin e llojit dhe pronësuesit të dronit. Përkundër kësaj, KFOR-i ka deklaruar se për momentin nuk ka prova për ato që po diskutohen në media në lidhje me dronët. (këtu)

Mediumet serbe “Republika.rs” dhe “Alo.rs” kanë publikuar një artikull lidhur me dëmtimin e varrezave serbe në jug të Mitrovicës me pretendimin se ky veprim është kryer nga shqiptarët. Artikujt janë të bazuar në një lajm të publikuar nga mediumi në gjuhën serbe “Kosovo-online.com” në titull apo përmbajtjen e së cilës nuk thuhet se ky akt është kryer nga shqiptarët. (këtu)

Manipulim i fakteve

“Alo.rs” dhe disa kanale në gjuhën serbe në mediat sociale, kanë keqpërdorur fatkeqësinë e paraqitur në përmbajtjen e videos, duke pretenduar rrejshëm se e moshuara e dhunuar fizikisht është një grua serbe. Këtë pretendim e kanë bërë përmes titullit dhe përshkrimit të video-incizimit. (këtu)

Disa media spanjolle kanë publikuar artikuj lidhur me rastin e dhunimit fizik të një të moshuare në një shtëpi të pleqve në Kosovë, ku pretendojnë se ajo është e komunitetit serb. Me gjasë mediat spanjolle pretendimin e bazojnë në dezinformatat e bëra nga mediat serbe lidhur me identitetin etnik të viktimës. (këtu)

Lajm i rremë

Disa faqe në Facebook kanë publikuar një fotografi të vjetër të muajit tetor 2021, në të cilën shihet drejtuesi i shoqatës bamirëse, Halil Kastrati së bashku me një të moshuar. Në përshkrimin e kësaj fotografie këto faqe kanë pretenduar rrejshëm se e moshuara që shihet në këtë imazh është e moshuara që u sulmua fizikisht nga një infermiere në shtëpinë e pleqve në Pejë “Orenda”, duke shtuar se Kastrati tashmë e ka strehuar atë në shtëpinë e pleqve “Jetimat e Ballkanit”. (këtu)

Faqja në Facebook “Lexo Sot” ka postuar një artikull të publikuar nga portali i dyshimtë “news308media.com” me datë 7 tetor 2021 lidhur me pensionet dhe përfituesit e ndihmave sociale. Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info është vërtetuar se artikulli autentik është i publikuar në gusht të vitit 2018, atëkohë kur ministër i Financave ishte Bedri Hamza. Ky portal i dyshimtë qëllimshëm e ka fshirë emrin e Hamzës, duke e zëvendësuar atë me emrin e ministrit aktual të Financave, Hekuran Murati, në mënyrë që ta paraqesë lajmin si aktual. Këtë artikull më pas e ka publikuar, më 5 nëntor, faqja “Lexo Sot” në Facebook. (këtu)

Gabim

Disa portale në Kosovë dhe Shqipëri kanë raportuar pas suspendimit të Drejtorit Rajonal të Mitrovicës Veri, Nenad Gjuriq, ndërsa në titujt e vendosur këtë vendim të Policisë së Kosovës e kanë interpretuar si “shkarkim”. (këtu)

Share With Others