Shkroi: Fatbardh Dema
Qeveria e Kosovës, të hënën (7 tetor) vendosi të heqë masën e sigurisë ndaj mallrave serbe, duke lejuar hyrjen e tyre fillimisht vetëm përmes pikës doganore në Merdarë.
E pas këtij vendimi, në rrjetet sociale po pretendohet se kamionë të shumtë po presin të hyjnë në Kosovë nga Serbia.
Një pretendim i tillë në formë postimi u bë sot (9 tetor) nga llogaria “tavnikcitypdk” në TikTok.
Çka nuk shkon me këtë pretendim?
Pas hulumtimit të kryer nga hibrid.info, u vërtetua se fotografia nuk paraqet kamionët nga Serbia në pritje për të hyrë në Kosovë, por e njëjta foto qarkullon në internet që nga viti 2008 dhe është realizuar në Gjermani.

Hibrid.info përmes programit të automatizuar “InVID” ka arritur të gjejë fotografinë e njëjtë, të publikuar në mediumet gjermane. (shih këtu dhe këtu)
Në legjendën e kësaj fotografie shkruan: “Në Gjermani, transporti është përgjegjës për një pjesë të konsiderueshme të emetimeve të dëmshme për klimën. (Foto: Patrick Pleul/dpa)”.

Screenshot nga artikulli i publikuar në vitin 2016 në mediumin gjerman “sueddeutsche.de”

Screenshot nga artikulli i publikuar në vitin 2008 në mediumin gjerman “welt.de”
Pak kontekst
Qeveria e Kosovës të hënën (7 tetor) vendosi të heq masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia.
Ndërsa, një ditë më vonë (8 tetor), zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se kamionët me mallra që kanë origjinë Serbinë, kanë qarkulluar pa ndonjë problem, por numri i tyre ka qenë i vogël. (shih këtu)
Analiza:
Përmes një fotografie në të cilën paraqitet një kolonë me kamionë, po pretendohet se të njëjtit janë në Serbi në pritje për të hyrë në Kosovë.
Pas verifikimit të fakteve, u vërtetua se ky pretendim është i rremë. Fotografia është shkrepur në Gjermani dhe e njëjta qarkullon në internet që nga viti 2008. Fakt tjetër që e mohon këtë pretendim është edhe deklarata e zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, i cili tha dje (8 tetor) se numri i kamionëve me mallra serbe që po hyjnë në Kosovë është i vogël.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.