Shkroi: Festim Rizanaj
Portali informativ në gjuhën serbe, “Kosovo-online.com”, nëpërmjet karikaturave shpërfaq qëndrimet editoriale të ndërlidhura me zhvillimet.
Më datë 13.10.2024, “Kosovo-online.com” ka publikuar një karikaturë në të cilën paraqiten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dy persona më pasaporta serbe në duar, një laurë dhe pas saj tabela me flamurin e BE-së.
Kjo karikaturë u publikua në ditën kur Ambasadori i Serbisë në Bashkimin Evropian, Danijell Apostolloviq tha se “nga kjo e diele (13 tetor 2024) serbët e Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë që lëshohen nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, do të mund të udhëtojnë në vendet e BE-së” pa viza. (këtu)
Përmbajtja e karikaturës në portalin në fjalë përçon mesazhin se kinse Qeveria e Kosovës po i dëbon serbët nga Kosova, që përkon me narrativin serb për spastrim etnik të serbëve të Kosovës.
Protagonisti i karikaturës konsiderohet Kurti, i cili shihet duke i shtyrë dy qytetarë, të cilët mund të identifikohen si serbë bazuar në kapelat tradicionale serbe, të njohura si Shajkaça, e të cilët mbajnë në duar pasaporta më simbolet e Republikës së Serbisë. Këta dy serbë shtyhen drejt një laure, pas së cilës qëndron tabela me flamurin e BE-së.
Nëpërmjet karikaturës synohet të ndërtohet narrativi se kryeministri Kurti, duke shfrytëzuar mundësinë e lëvizjes pa viza të serbëve të Kosovës drejt BE-së duke filluar nga 13 tetori, do ta shfrytëzojë si mundësi për spastrim etnik.
Konteksti i ngjarjes dhe reagimet zyrtare
Në muajin korrik, Këshilli i Bashkimit Evropian vendosi të liberalizojë vizat për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Lajmi u bë publik përmes një komunikate për media nga Këshilli i BE-së. (këtu)
Qeveria e Kosovës kishte deklaruar se Komisioni Evropian nuk e kishte konsultuar për propozimin e heqjes së vizave për serbët me pasaporta të Serbisë që jetojnë në Kosovë, duke e cilësuar këtë veprim si “shkelje të papranueshme të sovranitetit” dhe duke kërkuar nga BE-ja që t’i trajtojë ato pasaporta si të paligjshme. (këtu)
Presidenca e Republikës së Kosovës, ka theksuar se legjitimimi i këtyre pasaportave të paligjshme nga BE-ja minon procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë (këtu), veçanërisht në një periudhë kur “shumë qytetarë serbë në Kosovë po pajisen me pasaporta të Republikës së Kosovës”. (këtu)
Nga ana tjetër, Beogradi e ka mirëpritur vendimin për lirinë e lëvizjes së qytetarëve serbë të Kosovës me pasaporta të Serbisë.
Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e ka vlerësuar këtë si një lajm të mirë dhe rezultat të luftës diplomatike të Serbisë për të eliminuar padrejtësinë dhe diskriminimin. (këtu)
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, e vlerësoi vendimin e Këshillit të BE-së për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe në Kosovë si “një fitore të vogël, por të rëndësishme për të drejtat e serbëve në Kosovë”. Ai përshëndeti vendimin në profilin e tij në rrjetin social X. (këtu)
OJQ-të serbe e patën mbështetur iniciativën heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta serbe. (këtu)
Prandaj, bazuar në reagimet zyrtare nga të dyja palët, me Kosovën që kundërshtoi vendimin dhe Serbinë që e përshëndeti si lajm të mirë, nuk mund të mbështetet pretendimi në karikaturë se këtë vendim, kryeministri Kurti po e shfrytëzon për spastrim etnik të serbëve nga Kosova.