Portali i dyshimtë me përmbajtje në gjuhën shqipe “todaynews80.com” ka publikuar sot (4 tetor) një artikull me titull “Mësimdhënësit s’do marrin paga as në nëntor, Qeveria Kurti, qeveri e ndëshkimit”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i artikullit është i sajuar, cili ndërlidhet me një deklaratë të deputetit të LDK-së, Agim Veliut, i cili pretendon se shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor, për shkak kredive dhe kamatave ndëshkuese të bankave.
Vegëza e artikullit të publikuar në “todaynews80.com”:
Pjesë të artikullit të publikuar në “todaynews80.com”:
“Ndodhi ajo që edhe mund të pritej, qeveria e mashtrimit ndëshkoi mësimdhënësit dhe duke mos ua procesuar pagat, i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje”.
“Në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor”, është shprehur Veliu, transmeton Klankosova.tv.
Ky artikull është shpërndarë edhe në Facebook nga faqja “Post Lajme” e cila numëron mbi 16 mijë ndjekës. (shih këtu)
Pretendimi në titull se mësimdhënësit nuk do të marrin as në nëntor paga është interpretim i gabuar i deklaratës së deputetit të LDK-së, Agim Veliu.
Veliu në një deklaratë në llogarinë e tij në Facebook thotë se për shkak se pagat e mësimdhënësve do të mbeten peng të bankave, si pagesë për kredi dhe kamata ndëshkuese, shumicës së mësimdhënësve nuk do t’u bie të marrin paga as në nëntor. (këtu)
Për më tepër Qeveria ka bërë të ditur se pagat do t’u procedohen atyre mësimdhënësve që kanë punuar duke u bazuar në ligj. (këtu)
Analiza:
Portali i dyshimtë “todaynews80.com” ka hedhur pretendimin në titull se mësimdhënësit nuk do të marrin paga as në muajin nëntor.
Pretendimi në titull është një interpretim i gabuar i deklaratës së deputetit të LDK-së, Agim Veliu i cili thotë se, për shkak të obligimeve që do të kenë shumica e mësimdhënësve ndaj bankave për kredi, as në muajin nëntor nuk do t’u bie të marrin rrogë.
Hibrid.info, në bazë të metodologjisë së punës pretendimin në titull e vlerëson si “dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.