info@hibrid.info
Krijohet edhe një pretendim i pabazuar për trafikim organesh në Ukrainë. Synohet të ndërlidhet me pretendimet tjera të pabazuara për “Shtëpinë e Verdhë”
shape
shape
shape

Në mediumin rus “Russia Today” edicioni për Ballkan, saktësisht shërbimi në gjuhën serbe, është publikuar sot (24 maj) një artikull me deklaratat e zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova rreth kryerjes së operacioneve për transplantim të organeve në Ukrainë.

Zakharova, përmes kësaj deklarate, synon që pretendimin e pabazuar për transplantim ilegal të organeve në Ukrainë, ta krahasojë me një pretendim tjetër të ngjashëm, jo të konfirmuar që ndërlidhet me skenarin e “Shtëpisë së Verdhë” gjatë luftës në Kosovë. 

Ajo thotë se “transplantimi i organeve në Ukrainë kërkon vëmendje” pasi që, siç shprehet, “operacione të tilla ‘në terren’ kryheshin edhe nga ‘transplantologë’ të paligjshëm në fund të viteve nëntëdhjetë në Shqipëri”.

Këtë e thotë, në kohën kur ende nuk është argumentuar fakti që ka pasur transplantim të organeve në Shqipëri gjatë luftës në Kosovë.

Vegëza e artikullit ë publikuar në RT Balkan serbisht:

https://lat.rt.rs/news/32683-zaharova-trgovina-organima-kosovo-metohija-ukrajina/

Pjesë të artikullit të publikuar në RT Balkan serbisht:

Nëse operacionet “në terren” kryheshin nga transplantologë të paligjshëm në fund të viteve nëntëdhjetë në Shqipëri, të dhënat për mbledhjen e organeve në Ukrainë këto ditë duken mjaft të denja për vëmendje, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse.

Punonjësit shëndetësorë ukrainas pohojnë se, siç thonë ata, është e pamundur të merret veshka apo zemra në terren, por dihet se gjatë konfliktit ushtarak në ish-Jugosllavi, pranë qytetit të Burrelit në territorin shqiptar, janë kryer operacione transplantimi. kryer në një “Shtëpi të Verdhë”.


Zakharova mundohet ta ndërlidh narrativin dezinformues mbi transplantimin e organeve në Ukrainë me të ashtuquajturën “Shtëpi e verdhë”. Sipas saj, përderisa në vitet 90-ta janë realizuar transplantime në Shqipëri në kushte terreni, kjo është mundur edhe në Ukrainë.

“Shtëpia e Verdhë” fillimisht është përfolur në librin e ish-prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare Carla del Ponte, “The Hunt: Me and the War Criminals ”, dhe më pas në raportin e përfaqësuesit të Zvicrës, Dick Marty.

Kujtojmë se pikërisht “Gjykata Speciale në Hagë, e njohur edhe si “Dhomat e Specializuara ishte krijuar me pretendimet e raportit të Dick Martyt për “Shtëpinë e Verdhë”. (këtu) Megjithatë, këto pretendime nuk u vërtetuan asnjëherë, dhe në aktakuza nuk ka asnjë element të trafikimit të organeve. (këtu)

Mungesa e provave ishte konfirmuar edhe nga shefi i Task Forcës Hetimore të EULEX-it, Clint Williamson, që kishte thënë se nuk është vërtetuar asnjëherë një pretendim i tillë. (këtu)

Gjithashtu, vërtetësia e raportit të Dick Marty-t është duke u kontestuar edhe me një rezolutë të Partisë Socialiste të Shqipërisë të kryeministrit Edi Rama, në korrik të vitit 2022 (këtu), për të dërguar në Këshill të Evropës (KiE). Ndërsa, lidhur me këtë iniciativë, kryeministri Rama është deklaruar së fundmi se janë mbledhur nënshkrimet për t’u futur për trajtim në Asamble të Përgjithshme të KiE-s (këtu).


Narrativi rus për organizimin e operacioneve për transplantim të organeve në Ukrainë vazhdon të publikohet. Ky pretendim është demantuar me argumentimin se transplantimi i organeve është një procedurë mjekësore komplekse dhe e kufizuar në kohë dhe është e pamundur të kryhet në kushte terreni. Akuzat për trafikimin e organeve gjatë aktiviteteve ushtarake në Ukrainë janë pjesë e mjeteve të dezinformimit të Kremlinit dhe kanë qenë në qarkullim që nga viti 2014. Në të kaluarën, akuzimi i të tjerëve për trafik organesh ka qenë një teknikë e përsëritur dezinformimi pro-Kremlinit. (për më tepër shih këtu, këtu)

Hibrid.info kishte trajtuar edhe më parë deklaratat Zakharova-s me pretendime për skenarin e “Shtëpisë së Verdhë”. (këtu)


Analiza:

Fakti se ka ekzistuar “Shtëpia e verdhë” dhe se janë kryer operacione për trafikim të organeve nuk është vërtetuar asnjëherë.

Edhe pretendimet se po kryhen operacione për transplantim të organeve në Ukrainë është demantuar disa herë dhe është cilësuar si narrativ dezinformues i Kremlinit.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info këtë pretendim e cilëson si “dezinformatë”.


Vlerësimi:

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.

Share With Others

Translate »