info@hibrid.info
Kurti nuk ka thënë se e kap ankth vetëm kur e mendon fitoren e Trump
shape
shape
shape

Shkroi: Etrt Rexhepi

Publikohet një përmbajtje që pretendon se Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, më 23 maj të këtij viti, ishte deklaruar se e kap ankth vetëm kur e mendon fitoren e Trump.

Ky pretendim është publikuar dje (6 nëntor) në TikTok nga një llogari me emrin “universalks”, me anë të një imazhi, ku shihen Kurti e Trump.

Si qëndron e vërteta?

Gjetjet e hibrid.info tregojnë se në fakt, Kurti ka shprehur mendimin e tij se si perceptohet në Evropë, fitorja e mundshme e Trump në zgjedhjet presidenciale.


Hibrid.info ka gjetur se më 24 maj, ishte publikuar një artikull nga platforma e lajmeve “Semafor.com”, i titulluar “Europe anxious over potential Trump return, Kosovo PM admits” apo në shqip “Evropa në ankth për kthimin e mundshëm të Trump, e pranon kryeministri i Kosovës”.

Hibrid.info ka kuptuar se në artikull tregohet se kryeministri Kurti është shprehur se potenciali në rritje i kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë i mbush liderët evropianë me “stres dhe ankth”, kryesisht për shkak të prirjes së ish-presidentit amerikan për ndryshime të egra dhe të papritura të politikave.

Pjesa e përkthyer, shkëputur nga artikulli me deklarimin e Kurtit:

Kurti tha se mbështetja afatgjatë e SHBA-së për Kosovën nuk ka gjasa të ndryshojë, por “me kthimin e Presidentit Trump… ka një stres dhe ankth të caktuar në të gjithë kontinentin dhe Kosova nuk është më ndryshe”. Çështja, vazhdoi ai, nuk ishte se “diçka e keqe mund të ndodhë”, por më tepër “ankth për diçka të panjohur”. E thënë thjesht: “Çfarë do të bëjnë ata [Shtetet e Bashkuara] dhe si do të mendojnë, dhe si një urgjencë e caktuar mund të rrëmbejë të gjithë agjendën, kjo është ajo për të cilën njerëzit shqetësohen më shumë” (këtu).


Hibrid.info po ashtu ka gjetur artikuj në mediat në gjuhën shqipe, të cilat kanë publikuar tekste për këtë deklarim të Kurtit, ku konfirmohet se ai nuk ka shprehur shqetësime personale për ardhjen e mundshme të Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), (shih këtu dhe këtu).

Po ashtu, hibrid.info ka parë se në një status të publikuar në rrjetin social “X” (ish – Twitter), Kurti ka uruar Trumpin, për fitoren në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.


Analiza:

Pretendimi se kryeministri Kurti ka deklaruar se e kap ankth vetëm kur e mendon fitoren e Trump, është i pasaktë.

Hibrid.info ka vërtetuar se Kurti ka thënë se ka ankth në të gjithë kontinentin evropian (duke përfshirë edhe Kosovën) për kthimin e mundshëm të Trump në drejtimin e ShBA-së.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë përmbajtje si “Manipulim i fakteve”.

Arsyetimi:

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Share With Others

Translate »