Portale të dyshimta me përmbajtje në gjuhën shqipe kanë publikuar më 20, 21 dhe 22 shkurt një artikull me titull “Zvicra kërkon punëtor, 250.000 vende të lira pune”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se lajmi është i vjetër, i publikuar në prill të vitit 2022. Pra, portalet e dyshimta si “atdheulajm.com”, “pnews5.com” dhe “specialja.com” këtë artikull janë munduar që ta paraqesin si aktual.
Vegëzat e artikullit të publikuar në portalet e dyshimta “atdheulajm.com”, “pnews5.com” dhe “specialja.com”:
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimit dhe mediave sociale, hibrid.info ka gjetur artikullin autentik të publikuar në kohë reale (4 prill 2022) në portalin informativ në gjuhën shqipe që operon në Zvicër “albinfo.ch”. (shih këtu)
Pjesë nga artikulli i publikuar më 4 prill 2022 nga portali “albinfo.ch”:
Pothuajse një çerek milioni vende pune janë të lira në Zvicër. Shumica janë në infermieri dhe ndërtimtari por edhe sektorë tjerë ofrojnë shumë vende pune
Qindra mijë vende pune janë të disponueshme aktualisht në Zvicër. Ky është konstatimi i platformës për punë “x28 AG” në raportin e saj “Jobradar” të publikuar të hënën, transmeton albinfo.ch. Platforma në fjalë ka regjistruar 246,942 vende të lira pune të hapura në tremujorin e parë të 2022.
Përveç që ky artikull është publikuar si aktual nga portalet e dyshimta, i njëjti është shpërndarë edhe në median sociale Facebook nga faqet si “Star.Al”, “Shqipëria” dhe “Specialja”.
Analiza:
Portale të dyshimta kanë publikuar një artikull të vjetër (4 prill 2022), atëkohë kur në Zvicër ishin të hapura afër një çerek milioni vende të lira pune.
Mirëpo, portalet e dyshimta janë munduar që këtë artikull të vjetër ta paraqesin si aktual, kështu duke lënë mundësi për keqinformim te lexuesit.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.