info@hibrid.info
Lajmi për sondazhin nga NDI është i rremë
shape
shape
shape

Shkroi: Etrit Rexhepi

*Artikulli u përditësua pas reagimit të NDI edhe përmes postës elektronike (e-mail), me anë të së cilës ky Insititut ka thënë “atribuimi i këtij raporti nuk është i vërtetë dhe nuk i përket NDI-së”.


Është publikuar një artikull me pretendimin se këtë muaj është realizuar një sondazh nga Insitituti Demokratik Kombëtar (NDI), ku pasqyron përkrahjen e qytetarëve për partitë politike në Kosovë.

Lajmi është publikuar sot (13 qershor) nga portali në gjuhën shqipe “Paparaci.com” me titull “Sondazhi i fundit i NDI: Rënie e madhe e Vetëvendosjes, PDK-ja e dyta”.

E vërteta?

Hibrid.info ka kontaktuar përfaqësues të kësaj organizate në Kosovë. Ata kanë mohuar tërësisht përmbajtjen duke e quajtur “lajm të rremë”.


Vegëza e artikullit të publikuar nga portali “Paparaci.com”:

https://archive.ph/YS6aR


Duke iu referuar raportimit të “Paparaci.com”, pretendimi i njëjtë është publikuar edhe nga mediat e tjera në gjuhën shqipe (shih këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, dhe këtu).


Në bazë të asaj që thuhet në artikull tregohet se sipas matjeve të këtij sondazhi, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) mbetet e para, por me rënie prej 14% në krahasim me zgjedhjet e 2021-s. Ndërsa në vend të dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 26% e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24%.


Pjesë nga artikulli i publikuar në “Paparaci.com”:

Matjet e fundit se ku qëndrojnë partitë politike tregojnë ndryshime të mëdha në përkrahjen e tyre nga qytetarët.

Një sondazh i fundit i realizuar nga organizata amerikane Instituti Demokratik Ndërkombëtar (NDI), tregon se Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar një rënie të madhe në besueshmëri.

Sondazhi, i cili është realizuar këtë muaj, pavarësisht se e ka vendosur të parën Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti, ka treguar se partia në pushtet ka një rënie prej rreth 14 për qind nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Vetëvendosje do t’i fitonte 36 për qind të votave, bazuar në sondazhin e NDI, rezultatet e së cilit i ka siguruar Paparaci.


Hibrid.info ka kontaktuar përmes telefonit përfaqësuesit e NDI, të cilët e kanë mohuar vërtetësinë e këtij lajmi duke e cilësuar atë si “Fake News” (Lajm i rremë).


Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk është gjetur asnjë sondazh për zgjedhje i publikuar këtë muaj (qershor) në ueb-faqen e NDI-së. (shih këtu)


Pas kontollit të fakteve të kryer nga hibrid.info në lidhje me këtë artikull të publikuar në media, përveç mohimit nëpërmjet bisedës telefonike, NDI ka reaguar edhe përmes postës elektronike duke thënë se “Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) është njoftuar për një raportim që po qarkullon në media sot, i cili pretendohet të japë rezultate të një sondazhi të NDI-së për renditjen e partive politike në Kosovë. Atribuimi i këtij raporti nuk është i vërtetë dhe nuk i përket NDI-së”.

Analiza:

Portali “paparaci.com” ka publikuar të enjten (13 qershor) një artikull përmes të cilit ka pretenduar se ka siguruar rezultate të një sondazhi të organizatës amerikane “Instituti Demokratik Kombëtar (NDI)”.

Të kontaktuar nga hibrid.info, në NDI kanë mohuar vërtetësinë e këtij lajmi duke e quajtur “lajm të rremë”. E gjithë përmbajtja e artikullit, të dhënat e pretenduara të paraqiten si të vërteta nga autori dhe redaksia, janë mohuar tërësisht nga pala e apostrofuar, në këtë rast NDI. Si rezultat, duke u mohuar si e tëra, kjo përmbajtje cilësohet si “Lajm i rremë”.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara. Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.

Share With Others

Translate »