info@hibrid.info
Llogaritë në Instagram nuk po u mbyllen vetëm kosovarëve
shape
shape
shape

Disa media online në Kosovë kanë publikuar sot (1 nëntor) një artikull me titull “Pse kosovarëve po u mbyllet me të madhe Instagrami”.

Pas verifikimit të fakteve, hibrid.info ka vërtetuar se titulli i përdorur nga këto portale nuk është i saktë, pasi lë të kuptohet se vetëm kosovarëve po u mbyllen llogaritë në rrjetin social “Instagram”.

Në përmbajtje të këtij artikulli nuk ofrohet ndonjë statistikë apo e dhënë që e argumenton atë që pretendohet në titull.

Pra, nuk jepen detaje se kosovarëve me të madhe po u mbyllen llogaritë në këtë rrjet social.

Në anën tjetër në përmbajtje bëhet e ditur se “Instagram” ka njoftuar se janë të vetëdijshëm se disa përdorues kanë probleme me qasjen në llogarinë e tyre në Instagram, duke shtuar se janë duke e shqyrtuar këtë problem.


Pjesë nga artikulli i publikuar në portalet “Reporteri.net”, “Kosova-sot.info”, “GazetaExpress.com” dhe “Botapress.info”:

Probleme me Instagramin. Shumë abonentë kanë raportuar pezullimin e llogarisë së tyre pa ndonjë arsye. Me hyrjen në rrjetin social, ata u gjendën përballë një ekrani ku shkruhej: “Ju pezulluam llogarinë në datën 31 tetor 2022. Keni 30 ditë kohë për të komunikuar mospajtimin tuaj me këtë vendim”.

Kjo po ju ndodh edhe shumë kosovarëve, të cilët në rrjetin sociale Facebook kërkojnë ndihmë për kthimin e llogarisë së tyre në Istagram.


Vegëzat e artikullit të publikuar në këto portale të lartcekura mund t’i gjeni këtu, këtu, këtu dhe këtu.


Me anë të këtij titulli, këto portale kanë lënë të kuptohet se mbyllja e llogarive në Instagram po u ndodhë vetëm përdoruesve kosovarë.

Rrjeti social “Instagram” përmes llogarisë zyrtare në “Twitter” dje (31 tetor) ka njoftuar se janë të vetëdijshëm për këtë problem dhe janë duke shqyrtuar atë. (shih këtu)

“Ne jemi të vetëdijshëm se disa prej jush kanë probleme me qasjen në llogarinë tuaj në Instagram. Po e shqyrtojmë dhe kërkojmë ndjesë për shqetësimin”, thuhet në njoftimin e Instagram të përkthyer në shqip.


Lidhur me këtë problem të shfaqur në këtë rrjet social, kishin raportuar edhe mediumet e huaja, në të cilat bëhet e ditur se problemet për t’u kyqur në “Instagram” ishin në mbarë botën. (shih këtu dhe këtu)


Analiza:

Disa portale në Kosovë kanë publikuar një artikull lidhur me problemet e shfaqura në rrjetin social “Instagram”, duke mos lënë qasje në llogari shumë përdoruesve në mbarë botën.

Mirëpo, këtij artikulli, portalet e lartcekura i kanë vënë titull jo adekuat me pretendimin se “kosovarëve po u mbyllet me të madhe Instagrami”, duke lënë të kuptohet se ky problem ka të bëjë vetëm me përdoruesit nga Kosova. Gjithashtu, këtë pretendim, këto portale nuk e argumentojnë me asnjë fakt apo të dhënë shtesë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Clickbait”.


Arsyetimi:

Vlerësimin “Clickbait” e marrin ato tekste titujt e të cilave nuk kanë asnjë bazë në përmbajtjen e tekstit vijues. Tekste dhe artikuj të tillë synojnë të tërheqin vëmendjen e lexuesit apo edhe konsumatorit me një titull sensacional duke premtuar përmbajtje që nuk ekziston në të vërtetë dhe janë krijuar kryesisht nga interesi financiar, domethënë për shkak të rritjes së lexueshmërisë. Pra, ky lloj teksti ka për qëllim vetëm klikimin, i cili mund të shndërrohet në përfitim të prodhuesit të përmbajtjes.

Share With Others

Translate »