info@hibrid.info
Manipulohet me rezultatet e një sondazhi të vjetër duke e paraqitur si të ri
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

Nëpërmjet një postimi në TikTok është pretenduar për publikimin e një sondazhi të ri lidhur me zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Publikimi është bërë nga llogaria me emrin “tavnikcitypdk”.

Çka nuk shkon me këtë postim?

Pas verifikimit, hibrid.info ka gjetur se ky publikim përdor të dhëna të një sondazhi të vjetër. Madje aty janë ndërruar emrat e partive politike që prijnë në sondazh.

“LAJMI I FUNDIT 🚨 🚨 🚨në sondazhin e fundit Vetevendosje ka renie te madhe ne vota ndersa PDK prine e para 👏 👍 👍” thuhet në mbishkrimin që kjo llogari ka përdorur mbi fotografinë e sondazhit.

“Tavnikcitypdk” e ka publikuar këtë material në muajin shkurt të 2024-s, ndërsa së voni e ka kthyer në postim “pin” (postim i veçuar për të qëndruar në faqen kryesore të llogarisë).

“SHPERNDANE TE GJITHE PDK PO KTHEHET ATY KU E KA VENDIN 🇽🇰 🇽🇰” ka shkruar tutje kjo llogari në postimin në fjalë.


Vegëza e publikimit të llogarisë në fjalë:

https://archive.is/wTStq


Cili është manipulimi?

Pas verifikimit, hibrid.info ka gjetur se në publikim janë përdorur të dhëna të një hulumtimi të publikuar në dhjetor të vitit 2022, nga Instituti “PIPOS” në emisionin “Rubikon” në KlanKosova (shih këtu). Sipas institutit pyetja për të anketuarit ka qenë se për cilën parti do të votonin, po që se zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin atë ditë.

Në rezultatet e publikuara nga “PIPOS”, printe Lëvizja Vetëvendosje (VV) me 35.5%. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishte e dyta me 22.2% dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte e treta me 21.5%.


Ndërkaq në publikimin e bërë në TikTok nga llogaria “tavnikcitypdk” është ndërruar renditja e partive në listë. Aty është vendosur PDK-ja në vend të parë (35.5%), VV-ja në të dytin (22.2%) e LDK-ja (21.5%) në të tretin.

Përqindjet dhe emrat e partive të tjera kanë mbetur të njëjta.


Publikimi në TikTok deri tash ka grumbulluar mbi 146 mijë klikime. Ai ka marrë më shumë se 2300 pëlqime e më shumë se 2700 komente. (këtu)


Analiza:

Llogaria me emrin “tavnikcitypdk” në TikTok ka pretenduar për publikimin e një sondazhi të ri lidhur me zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Pas verifikimit, hibrid.info ka gjetur se nuk bëhet fjalë për sondazh të ri. Në këtë publikim janë marrë të dhëna nga një sondazh i vjetër, ndërsa janë bërë manipulime duke e ndryshuar renditjen e partive në listë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hybrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »