Portali informativ “Kosova-sot.info” ka publikuar dje (26 shtator) një artikull me titull “Kosova vizat mund t’i marr më 13 tetor”.
Pas verifikimit të fakteve të kryer nga hibrid.info, është vërtetuar se titulli i këtij artikulli nuk është adekuat dhe nuk i përgjigjet përmbajtjes.
Në përmbajtje gjendet artikulli i publikuar nga “Radio Evropa e Lirë”, ku thuhet se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës më 13 tetor në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor.
REL ka siguruar letrën në të cilën Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.
Pra, më 13 tetor në BE do të jetë në rend dite diskutimi rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe nuk do të ketë vendim siç lë të kuptohet nga titulli i artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”.
Pjesë nga artikulli i publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Kosova vizat mund t’i marr më 13 tetor
Më 13 tetor, pritet të diskutohet liberalizimi i vizave për Kosovën në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian.
Edhe pse u përfol, liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ishte në rend dite të mbledhjes së Këshillit Evropian më 23 qershor.
Por, një lajm i mirë për qytetarët e vendit të vetëm në Ballkanin Perëndimor, të cilët s’mund të udhëtoje pa viza, mund të vijë më 13 tetor.
Ne këtë datë pritet të diskutohet kjo temë në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian.
“Pasi Presidenca Çeke mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje”, thuhet në letrën e shteti çek.
Vegëza e artikullit të publikuar në portalin “Kosova-sot.info”:
Pas hulumtimit të kryer përmes makinave online të kërkimi, hibrid.info ka gjetur artikullin autentik të publikuar në “Radio Evropa e Lirë”, i cili mban titull adekuat “Liberalizimi i vizave në rend dite në BE më 13 tetor”. (shih këtu)
Në këtë dokument të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, shprehet qartë dëshira e Çekisë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë konsensus të brendshëm për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.
Analiza:
Portali “Kosova-sot.info” ka publikuar një artikull të “Radio Evropa e Lirë”, ku tregon se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në diskutim në rend të ditës më 13 tetor në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian.
Ndërsa “Kosova-sot.info” në titullin e këtij artikulli ka pretenduar pa saktë se Kosova me 13 tetor mund t’i marr vizat.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson këtë artikull si “Dezinformatë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ai raportim mediatik i cili në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe përmbajtje gjysmë të vërtetë. Gjithashtu, ky vlerësim do të trajtojë raporte që kanë atribute të gabuara ose tituj që nuk pasqyrojnë tekstin për sa i përket saktësisë së informacionit.