[email protected]
Mediat në Serbi manipulojnë me komentet e Dua Lipës në Pula të Kroacisë
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Mediat në gjuhën serbe kanë filluar të manipulojnë në lidhje me etninë e këngëtares me prejardhje nga Kosova e me famë botërore, Dua Lipa.

Të dielën e kësaj fundjave që lamë pas (9 qershor), Lipa mbajti një koncert në qytetin Pula të Kroacisë.

E derisa po e interpretonte hitin e saj “Be the one”, Lipa në “Pula Arena” publikut iu drejtua me fjalët “ajmo ljudi” (“hajdeni njerëz”). Veç kësaj, mediat raportojnë se Lipa përshëndeti që në hyrje publikun me fjalët “Dobro veče, Pula” (“Mirëmbrëma, Pula”).

Çka thanë mediat serbe?

““SHIHET SE KA LINDUR NË SERBI” Dua Lipa foli NË SERBISHT në mes të koncertit në Kroaci, ndizen rrjetet (VIDEO)” është titulli që media serbe “Kurir.rs” i ka bënë artikulli që trajton komentin e Dua Lipës në koncertin e saj në Pula të Kroacisë. (shih këtu)

“KËNGËTARJA MË E URRYER SHQIPTARE FLET SERBISHT! Kaos në koncertin në Kroaci, pamjet po shpërndahen, ja çfarë tha ajo!” është titulli i medias tjetër serbe “Alo.rs” lidhur me deklaratën e Dua Lipës në koncertin e saj në Kroaci. (shih këtu)


Pretendimet e këtyre mediave janë të pabazuara meqë Dua Lipa ka lindur në Britani të Madhe më 1995, gjegjësisht në Londër nga prindër shqiptarë. (shih këtu)

Lipa e ka pranuar edhe vetë se nuk posedon shtetësi të Kosovës, por vetëm të Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar, Dua Lipa nuk lë rast pa folur për vendin e saj të origjinës. (këtu dhe këtu)


Analiza

Mediat serbe kanë pretenduar pa fakte se Dua Lipa, bazuar në komentet që ajo i bëri gjatë koncertit të saj më 9 qershor në Pula të Kroacisë, ka lindur në Serbi.

Andaj, në bazë të metodologjisë së punës së Hibrid.info, këto pretendime bien në kategoritë “Manipulim i fakteve” dhe “Dezinformatë”.

Arsyetimi

Vlerësimin si “Manipulim i fakteve” marrin ato përmbajtje informative që përdorin fakte të njohura si të sakta, por i interpretojnë ato në mënyrë të shtrembëruara. Këto raporte zakonisht përdorin informacion të saktë për të nxjerrë përfundime ose pretendime të pasakta, duke drejtuar kështu përfundimet e konsumatorëve të përmbajtjes së mediave në drejtim të gabuar në lidhje me kuptimin aktual të fakteve të paraqitura.

Vlerësimin si “Dezinformatë” e merr ajo përmbajtje informative e cila në vete përmban një “miks” të burimeve të pasakta apo edhe atribute gjysmë të vërteta, e që krijohet dhe/apo shpërndahet me qëllim të paramenduar për të shkaktuar dëm. Prapa motivit të prodhuesve/shpërndarësve të përmbajtjeve dezinformuese qëndron arritja e një qëllimi politik, financiar, psikologjik apo social.

Share With Others

Translate »