Disa media online në Kosovë kanë rënë pre e një video të manipuluar, të publikuar nga profili zyrtar në Twitter i Ministrisë së Mbrojtjes në Ukrainë me përshkrimin “MiG-29 i Forcave Ajrore të Forcave të Armatosura shkatërron Su-35 e pushtuesve rusë”.
Mirëpo, kjo video duket të mos i përgjigjet pretendimit të bërë, pasi duket se e njëjta është marr nga video-loja “Digital Combat Simulator World”.
Media në gjuhën shqipe, kryesisht nga Kosova, kanë publikuar artikuj, duke e vlerësuar pretendimin e bërë nga Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës si të mirëqenë, duke e vlerësuar si burim të besuar.
Vegëzat e artikujve të publikuar nga disa media online në gjuhën shqipe:
Mirëpo, përkundër që është publikuar nga profili i kësaj ministrie, i cili është i verifikuar, kjo video rezulton të mos jetë bërë gjatë luftimeve të fundit në Ukrainë. Pra nuk bëhet fjalë për ndonjë dyluftim mes pilotëve ukrainas dhe rus, siç pretendohet.
Këtë e dëshmon edhe një kontroll i fakteve i BBC.
Njëjtë sikur mediumi i lartcekur, këtë gjë e ka konfirmuar edhe platforma për kontroll të fakteve nga Spanja (Maldita.es). Përfaqësues të kompanisë “Eagle Dynamics”, krijues të videolojrave, kanë thënë për “Maldita.es” se imazhet në videon e publikuar në profilin e Ministrisë ukrainase, janë nga video-loja “Digital Combat Simulator”. (shih këtu)
Hibrid.info gjatë hulumtimit përmes makinave të kërkimit dhe rrjeteve sociale, ka gjetur videon e njëjtë të publikuar në “Youtube.com” nga përdoruesi me emër “Comrade_Corb”, ku në përshkrimin e këtij materiali ka shkruar se “Kjo pamje është nga DCS, por megjithatë është bërë për respekt për “Fantazma e Kievit”. Nëse ai është i vërtetë, Zoti qoftë me të; nëse ai është i rremë, unë lutem për më shumë si “ai”.” (shih këtu)
Analiza:
Një video material që është publikuar në llogarinë zyrtare në Twitter nga Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës, duket se është mashtrim apo përmbajtje e rreme. Pre e saj kanë rënë disa nga mediat online në Kosovë, duke e publikuar atë si të mirëqenë.
Mediumi britanik BBC njofton se ky video material i përket video lojës Digital Combat Simulator. Ndërsa kompania e kësaj loje “Eagle Dynamics” ka deklaruar për platformën për kontroll të fakteve nga Spanja “Maldita.es”, se është një simulim duke përdorur softuerin e saj.
Hibrid.info ka gjetur këtë video material të publikuar në Youtube nga përdoruesi me emër “Comrade_Corb”, i cili në përshkrimin e këtij video materiali ka shkruar se “Kjo pamje është nga DCS”, i cili është akronim i lojës Digital Combat Simulator.
Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e ka cilësuar këtë video material si “Lajm i rremë”.
Arsyetimi:
Vlerësimin “Lajm i rremë” e marrin ato raportime mediatike që janë tërësish prodhim i një mediumi i cili në vete përmban pretendime ose informacione faktikisht të gabuara.
Përmbajtja që vlerësohet si lajm i rremë mund të përcaktohet me siguri se është krijuar dhe shpërndarë me qëllim të dezinformimit të publikut, d.m.th., për të paraqitur një pretendim që është plotësisht i rremë si fakt.