[email protected]
Mediumi ukrainas raporton gabimisht se në Srebrenicë janë vrarë 8000 myslimanë të Kosovës
shape
shape
shape

Shkroi: Endrit Berisha

“Rreth 8000 myslimanë të Kosovës” ishin vrarë në korrik të 1995-s në qytetin e Srebrenicës është pretendimi i publikuar nga mediumi në gjuhën ukrainase “unn.ua” të enjten (11 korrik).

Ky medium ka pretenduar po ashtu se masakra është kryer nga paramilitarët serbë të Kosovës.

“Sot është Dita e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë: Përse kjo ngjarje është e rëndësishme për ukrainasit”, mban titullin artikulli në fjalë.

Çka ka raportuar ky medium?

Në artikullin e publikuar më 11 korrik, mediumi “unn.ua” duke raportuar për gjenocidin në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës, ka përmendur Kosovën në vend të Bosnjë-Hercegovinës.


Vegëza e artikullit të “unn.ua”:

https://archive.is/Yk0Z2

Në lajm raportohet për shënimin për herë të parë si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, që kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që 11 korriku të jetë dita e përkujtimit.


Pjesë nga artikulli, i përkthyer në shqip

“Në korrik 1995, paramilitarët serbë të Kosovës nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq vranë rreth 8000 myslimanë të Kosovës, pasi i kapën në qytetin e Srebrenicës”


“unn.ua” (Ukrainian National News) në vegëzën për detaje për uebfaqen ka të publikuar një dokument që tregon se bëhet fjalë për medium me bazë në Kiev të Ukrainës.


Gjenocidi në Srebrenicë:

Srebrenica është qytet në Bosnjë-Hercegovinë. Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjë-Hercegovinës, kishin pushtuar një zonë të mbrojtur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Këto forca i kishin ndarë më shumë se 8000 burra e djem boshnjakë dhe i kishin masakruar. Trupat e tyre ishin varrosur në varreza masive gjithandej Bosnjë-Hercegovinës. Lider politik i serbëve të Bosnjës atë kohë ishte Radovan Karaxhiq e komandant i ushtrisë, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar nga Tribunali special i Kombeve të Bashkuara për krime lufte. Rreth 50 zyrtarë serbë të Bosnjë-Hercegovinës janë dënuar më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë (shih këtu).

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e kanë njohur si gjenocid vrasjen e më shumë se 8000 myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë nga Ushtria e Republikës Sërpska në Bosnjë-Hercegovinë (Shih këtu).

Në vitin 2007 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e njohu masakrën e Srebrenicës si gjenocid të kryer nga forcat serbe të Bosnjë-Hercegovinës. Gjykata po ashtu ka vendosur që Serbia nuk ka ishte përgjegjëse direkte për gjenocidin, por ka vendosur po ashtu që Serbia ka shkelur Konventën e Gjenocidit duke dështuar në parandalimin e gjenocidit (Shih këtu).

Në maj sivjet, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë me të cilën e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë (Shih këtu)


Analiza:

Një medium në gjuhën ukrainase ka raportuar gabimisht për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës, duke pretenduar se në këtë masakër ishin vrarë 8000 myslimanë të Kosovës. “unn.ua” po ashtu ka raportuar se gjenocidi është kryer nga paramilitarët serbë të Kosovës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e kanë njohur si gjenocid vrasjen e më shumë se 8000 myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Arsyetimi:

Vlerësimin “Gabim” e marrin përmbajtjet informative në të cilat, gjatë procesit të përpilimit apo publikimit, paraqiten gabime duke publikuar informacion të pasaktë (sidomos kur kemi të bëjmë me informacione në shifra) ose duke transmetuar lajme të pavërtetuara mirë, pa qëllimin e qartë të dezinformimit të publikut.

Share With Others

Translate »