info@hibrid.info
Mundësia e ofruar për shtëpi të lira për banim në Kosovë, është mashtrim
shape
shape
shape

Shkroi: Fatbardh Dema

Përmes një postimi në Facebook pretendohet se përmes një aplikimi ofrohet mundësi për të përfituar shtëpi në Kosovë.

Në mbishkrimin e këtij postimi, bëhet thirrje që të aplikohet përmes “Aplikacionit për banim në Kosovë” .

Postimi u publikua më 27 nëntor nga faqja “IN-4”.


Çka nuk shkon me këtë postim?

Hibrid.info ka gjetur se mungojnë të dhënat bazike lidhur me këtë “subvencion” apo mundësi për aplikim.

Ky pretendim është bërë përmes një imazhi në Facebook, të cilit i është integruar një vegëz që shfaqet pas klikimit në imazh.

Hibrid.info ka gjetur se pas klikimit të vegëzës së përfshirë në imazhin e publikuar, ueb-faqja e shfaqur nuk ofron asnjë informacion mbi ndonjë institucion që ofron këtë mundësi.

Në hapësirën e ueb-faqes shfaqen disa opsione në gjuhën angleze, të cilat pas klikimit në to, të dërgojnë në faqe kompanish të huaja, të cilat nuk është se ofrojnë mundësinë e reklamuar. (shih fotografinë më poshtë)


Hibrid.info ka verifikuar kredibilitetin e kësaj ueb-faqe përmes platformës që vlerëson besueshmërinë e faqeve, “Scamdoc.com”, ku rezultatet tregojnë se ajo ka besueshmëri të ulët dhe është e dyshimtë. (shih këtu)

Faqja që ka postuar këtë përmbajtje, numëon mbi 600 ndjekës dhe në kohështrirjen e së cilës është vërejtur numër i vogël postimesh. Gjithashtu, në këtë faqe shfaqet një adresë në Philadelfia (SHBA).


Deri në shkrimin e këtij artikulli, ky postim ka arritur të grumbullojë 15 komente, e që shumica prej komentuesve kanë kërkuar “ndihmë” se si mund të aplikojnë. (shih fotografinë më poshtë)


Analiza:

Përmbajtja që pretendon se ofrohet mundësi për të aplukuar për shtëpia të lira, është mashtrim.

Në të mungojnë informatat se kush e ofron këtë mundësi dhe publikuesi i përmbajtjes është i dyshimtë.

Bazuar në metodologjinë e punës, hibrid.info e vlerëson përmbajtjen si “Mashtrim”.

Arsyetimi:

Vlerësimi “Mashtrim” u bëhet atyre përmbajtjeve informative të cilat manipulohen si në aspektin vizual (deepfake, cheapfake), zanor (audio) apo tekstual të përmbajtjes për të mashtruar audiencën. Zakonisht kjo formë e mashtrimit përdoret për të prodhuar përmbajtje të paqena dhe të manipuluara.

Share With Others

Translate »