[email protected]
Narrativat serbe për hapjen e Urës së Ibrit
shape
shape
shape

Shkroi: Festim Rizanaj

Autoritetet e Kosovës kanë filluar procedurat përgatitore për hapjen e urës mbi Ibër në Mitrovicë, për qarkullim automjetesh. Ky veprim ka hasur në kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka kërkuar një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi për këtë temë. Në të njëjtën kohë, serbët e Kosovës kanë organizuar protesta kundër hapjes së urës. (këtu)

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka ngulur këmbë në hapjen për qarkullim të automjeteve të urës – e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe – me gjithë kundërshtimin e vazhdueshëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.

Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it në Kosovë kanë thënë publikisht se nuk mbështesin hapjen e urës në këtë kohë. Vendet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania dhe Franca. (këtu)

Bashkimi Evropian ka thënë se çështja e hapjes së Urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. (këtu)

KFOR-i ka thënë se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vëren veprime afër urës që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve. (këtu)

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.


Narrativat dezinformuese të zyrtarëve serbë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një prononcim të tij, pretendoi se Ura e Ibrit do të hapet më 14 apo 15 gusht, duke e ndërlidhur me idenë se agjencitë e huaja po përgatisin lider të rinj politikë për serbët në Kosovë.

Me 14 apo 15 gusht presim hapjen e dhunshme të urës mbi Ibër. Agjencitë e huaja do të mundohen të gjejnë liderë të rinj të serbëve, të cilët do të punojnë për Kurtin, por unë u them se nuk do t’ia dalin. I bëj thirrje KFOR-it që të reagojë dhe të pengojë hapjen e urës”. (këtu)

Edhe pse Vuçiq, pretendon për një datë të caktuar për hapjen e urës, gjë e cila nuk ndodhur tashmë, i njëjti pretendimin e tij nuk e mbështet në ndonjë referencë konkrete. Një pretendim të ngjashëm pati edhe ditë më parë, kur Vuçiq tha se do të ketë protestë në jug nga shqiptarët kundër protestës së serbëve në veri për hapjen e urës, i cili doli të jetë i pavërtetë. (këtu)

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një reagim të tij, ka pretenduar se Kurti e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me çdo kusht po synojnë që të nxitet konflikt ndëretnik me hapjen e urës. Këtë e ka thënë duke e ndërlidhur edhe me barrikadat e vitit 2014 dhe ‘Parkun e Paqes’. (këtu)

Deklarata e fundit e Albin Kurtit se ura në Ibër duhet të hapet dhe se nuk ka diskutim për këtë temë, tregon qartë se e vetmja gjë që dëshiron Kurti është lufta dhe provokimi i një konflikti me pasoja të mëdha. Shpresoj që tani të jetë e qartë për të gjithë, veçanërisht në komunitetin ndërkombëtar, se kush është Albin Kurti – zjarrvënës ballkanik, që dëshiron konfliktin dhe shkaktimin e kaosit në rajon!” 

Përsa i përket pretendimeve të tij, duhet të theksohet se ato nuk janë mbështetur në fakte të verifikueshme. Disa raste të ngjashme, kur janë përdor narrativa të ngjashme nga ana e Petkoviqit, janë trajtuar nga hibrid.info. (këtu)

Zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin tha në Moskë, ku ndodhet në një vizitë, se një përshkallëzim i ri në Kosovë do të ndodhë para fillimit të shtatorit, me një përpjekje të pritshme të autoriteteve shqiptare të Kosovës për të pushtuar veriun e Kosovës. (këtu)

Këtë vit pres një shtrëngim në Kosovë deri në shtator, sepse e shoh nga reagimet e Quint-it (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) të cilët vetëm kërcënojnë Albin Kurtin, por nuk bëjnë asgjë. Zakonisht, kur kjo ndodh, gjërat marrin një kthesë të rrezikshme. Tani është koha ideale për të sulmuar në veri”. 

Në një deklaratë të fundit, Vulin përmendi rolin e rëndësishëm të studentëve në Mitrovicën e Veriut, duke i përshkruar ata si mbrojtësit kryesorë të urës që ndan pjesët jugore dhe veriore të qytetit. Sipas tij, Universiteti në Mitrovicën e Veriut, me rreth 8,000 studentë, ka luajtur rol të rëndësishëm në parandalimin e sulmeve në veri. Ai theksoi se gjatë periudhës së pushimeve verore, këta studentë, të cilët gjithmonë kanë qenë në vijën e parë të mbrojtjes, janë në pushime.

Universiteti në Mitrovicën e Veriut me 8,000 studentë, të cilët gjithmonë mbrojtën urën ndërmjet pjesëve jugore dhe veriore të Mitrovicës dhe parandaluan sulmet në veri, tani është në pushime verore”.

Studentët në veri kishin protestuar vitin e kaluar para objekteve komunale në veri (këtu) dhe në vitin 2008 kundër pavarësisë së Ksovës (këtu), Vulin nuk ofron fakte se studentët kanë mbrojtur edhe më parë urën dhe se pretendimi i tij se është momenti kritik për tu sulmuar veriu nga Qeveria e Kosovës, është i pabazë.

Milovan Drecun, kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme, në një intervistë për RTS, theksoi rëndësinë jetike të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për mbijetesën dhe sigurinë e popullit serb. Sipas tij, Prishtina zyrtare nuk synon hapjen e urës, por pushtimin e saj, për ta prezantuar si një fitore mbi popullin serb dhe për të shpallur atë territor si shqiptar (këtu).

Prishtina nuk e dëshiron vërtet hapjen e urës, ajo dëshiron ta pushtojë urën, të tregojë se si është fituese, si është mundur populli serb në veri, si është nënshtruar, si janë vënë nën kontroll dhe se ky territor është territor shqiptar, edhe pse në atë pjesë të territorit jetojnë 95 për qind serb”.

Drecun nuk e bazon pretendimin e tij në asnjë fakt. Ai, herë pas herë ka bërë pretendime të pabazuara me idenë se ekziston strategji për spastrim etnik të serbëve. (këtu)

Kryeministri Millosh Vuçeviq, në një prononcim për gazetarë, tha se hapja e urës mbi Ibër në Mitrovicë do të ishte veprim i rrezikshëm që do të kërcënonte mbijetesën e serbëve në Kosovë (këtu).

Më e rëndësishme është që KFOR-i para së gjithash nuk e lejon hapjen e urës ndërmjet Mitrovicës veriore dhe jugore, sepse unë më së shumti mbështetem në këtë çështje. Hapja e urës do të jetë cunami për mbijetesën e serbëve në Mitrovicë prandaj po e bën Albin Kurti”.

Përveç se Vuçeviq nuk e bazon në ndonjë fakt pretendimin e bërë, ai, pretendime të pabaza për spastrim etnik të serbëve kishte bërë edhe më parë. (këtu, këtu)  


Narrativat dezinformuese në media

Nga ana tjetër, edhe në media në serbisht u publikuan disa narrativa ndërlidhur me hapjen e Urës së Ibrit.

Mediumi serb “Informer.rs” publikoi më 12 gusht një artikull që akuzon pa asnjë fakt, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për përgatitjen e një sulmi ndaj serbëve në Kosovë, duke e lidhur këtë me ushtrimin fushor “Valor Shield 2024” ku morën pjesë Forca e Sigurisë së Kosovës dhe trupat specialë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, nën vëzhgimin e Komandës Amerikane të Operacioneve Speciale për Evropën. (këtu, këtu)

Vetëm një ditë pasi presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, paralajmëroi se ekstremistët e Prishtinës po përgatisin kaos në veri të Republikës së Kosovës, sepse më 14 apo 15 gusht synojnë të hapin me forcë urën mbi Ibër, e ashtuquajtura, “Njësia Speciale intervenuese e Policisë së Kosovës” dhe “Forcat e Sigurisë së Kosovës” mbajtën një stërvitje nën mbikëqyrjen e Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropë dhe Forcave Speciale të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”.

Ngjashëm, pa ofruar fakte, ka pretenduar edhe e përditshmja “Politika” në një artikull të publikuar, ku vlerëson se Prishtina zyrtare nuk heq dorë nga planet për hapjen e urës mbi Ibër në Mitrovicë, dhe kjo sipas saj, konsiderohet si provokim dhe mund të çojë në një përshkallëzim të ri dhe të pakontrolluar të dhunës. (këtu)

Regjimi i udhëhequr nga Albin Kurti është akuzuar për provokime të qëllimshme të konflikteve ndëretnike dhe përpjekje për të futur Serbinë në një konflikt të mundshëm me NATO-n”.

Russia Today, shërbimi në serbisht, ka publikuar një artikull mbi dyshimet e serbëve në Mitrovicën e Veriut lidhur me aftësinë e KFOR-it për të mbrojtur popullin serb në rast se Albin Kurti hap urën mbi Ibër. Ndërsa KFOR-i bën thirrje për shmangien e veprimeve të njëanshme dhe garanton ndërhyrje në rast të tensioneve, mediumi në fjalë, bazuar në deklaratat e folësve, vlerëson se KFOR-i do të jetë në anën e Prishtinës edhe në këtë situatë. (këtu)

KFOR-i, si gjithmonë, në fund të fundit, është në anën e autoriteteve të Prishtinës, dhe mendoj se as populli serb dhe as Serbia nuk mund të presin një mbështetje të fortë nga KFOR për mbrojtjen e popullit serb, as në këtë situatë”, thotë për RT Balkan gjenerali Mitar Kovaç.

Për dallim nga pretendimi i mësipërm, KFOR-i ka bërë të ditur se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vëren veprime afër urës që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve. (këtu)

Krahas kësaj, në Russia Today, u publikua edhe një artikull që diskuton situatën në Mitrovicë, duke u fokusuar në hapjen e urës mbi Ibër dhe ndikimin e saj në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve. Sipas mediumit, Albin Kurti po akuzohet se po përpiqet të bashkojë pjesët shqiptare dhe serbe të qytetit në një administratë të kontrolluar nga shqiptarët, gjë që ka shkaktuar shqetësime mes serbëve. Një nga serbët nga Mitrovica e Veriut shprehet se qëllimi i hapjes së urës është i lidhur ngushtë me idenë e një bashkimi të forcës shqiptare dhe se sulmi mbi urën mund të jetë një hap i ri ndaj Asociacionit të Komunave Serbe (ASK) (këtu).

Ndërsa, Sputnik, në serbisht, ka publikuar një artikull ndërlidhur me zhvillimet rreth veriut të Kosovës dhe Urës së Ibrit, e që pretendon se Serbia është në luftë me NATO-në e jo me shqiptarët. Sipas tyre, në dukje, flitet për terrorin e autoriteteve të Prishtinës, por në fakt, janë direktivat dhe dhuna që vijnë nga Uashingtoni. (këtu)

Në të gjitha veprimet e tyre të dhunshme dhe të paligjshme, thotë ai, shqiptarët shkojnë pak nga pak, duke kuptuar pjesë për pjesë të planit të tyre dhe e gjithë loja mes Uashingtonit dhe autoriteteve të Prishtinës është transparente. Uashingtonit i intereson që historia për Kosovën të përfundojë dhe të marrin një shtet të rrumbullakosur pa ndërhyrje në veri të Kosovës”.

 Edhe pse pretendohet një gjë e tillë, KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër/Ibër, në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Po ashtu kanë konfirmuar se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. (këtu)

Share With Others

Translate »